Lidhje

Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë ka sot gjashtë mijë studentë


Shtetet e Bashkuara kanë investuar rreth gjysmën e fondeve të nevojshme për ndërtimin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Sot ky universitet ka gjashtë mijë studentë. Interesimi është i madh për të studjuar në këtë universitet, të cilin studentët shkurt e thërrasin Shtul.

Ambasadorja amerikane në Shkup Gillian Milovanovic vizitoi të mërkurën për herë të parë këtë universitet dhe tha se ka mbetur shumë e kënaqur me atë që pa.

“Është një universitet me sistem dhe mundësi të mrekullueshme”, u shpreh ajo.

Ambasadorja Milovanovic u takua me studentë dhe petagogë entuziastë dhe një ekip të shkëlqyer administratorësh. Ajo tha se do të vazhdojë bashkëpunimi përmes programit të Universitetit të Indianës që është paraparë deri në vitin 2007.

Rektori Alajdin Abazi thekson praninë dhe ndihmën e Agjensisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që i jep këtij universiteti. Rektori Abazi thotë se Universiteti i Indianës në Shtetet e Bashkuara ka dhënë kontribut të konsiderushëm që nga themelimi, ndërsa tani në një fazë tjetër po ndihmon në planifikin e programeve dhe shkëmbimin e pedagogëve.

“Universiteti i themeluar në vitin 2001 ka hapur programe për studime pasuniversitare. Ne shpresojmë se SHBA do të vazhdojnë edhe më tutje ta përkrahin.”

Zoti Abazi bën të ditur se 10 përqind e studentëve janë nga Kosova dhe Shqipëria. Ai flet rreth planeve që kanë të bëjnë me hapjen e programeve të reja studimore duke theksuar këtu fillimin tashmë të ciklit të dytë të studimeve, siç njihen në bazë të procesit të Bolonjës, studimet pasuniversitare, ndërsa më pas studimet për doktoratë.

Në bazë të politikës së fleksibilitetit të gjuhëve në Universitetin e Evropës Juglindore, numri i studentëve joshqiptarë ose i atyre që i ndjekin mësimet në gjuhën maqedonase është rreth njëzet përqind. Një gjë e tillë krijon një ambient të shumëllojshëm ku raportet ndërmjet studentëve të përkatësive të ndryshme janë shumë të mira.

Universiteti po përgatitet t’i japë titullin Honoris Causa fituesit të çmimit Nobel me origjinë shqiptare Ferid Murat. Kjo do të bëhet në verën e vitit të ardhsëm. Ndërsa vetëm para pak muajsh Universiteti i Evropës Juglindore i dha këtë titull shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.

XS
SM
MD
LG