Lidhje

Bordi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike mbi ambicjet bërthamore të Iranit


Bordi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike mbajti një seancë me dyer të mbyllura për të diskutuar rreth një raporti sekret nga kreu i agjencisë lidhur me programin bërthamor të Iranit. Mohamed El Baradei i tha bordit se shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje pas tre vjet punë. Në përfundim të takimit, agjencia e Kombeve të Bashkuara për energjinë atomike lëshoi një deklaratë ku thoshte se e ka shtyrë paraqitjen e çështjes së Iranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Shtetet e Bashkuara janë të bindura se Teherani po punon fshehtas për një bombë bërthamore, por deri tani Agjencia për Energji Atomike nuk ka gjetur të dhëna që ta vërtetojnë një gjë të tillë. Por agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara thotë se pas tre vjet analizash dhe inspektimesh, ende ka paqartësira lidhur me programin e Iranit për pasurimin e uraniumit dhe i kërkoi Teheranit të jetë më i hapur dhe të bashkëpunojë më shumë.

Mohamed El Baradei, shefi i Agjencisë për energjinë bërthamore që fitoi këtë vit çmimin Nobel të Paqes për punën e agjencisë së tij, i tha bordit 35 anëtarësh se Irani duhet të përgjigjet pa vonesë për të sqaruar disa çështje të pazgjidhura, përfshirë punën për centrifugat që mund të jenë pjesë e një programi armësh bërthamore. Teherani mohon se është duke ndërtuar një bombë atomike.

Gregory Schulte, ambasadori amerikan në Agjencinë për energjinë atomike thotë se bashkëpunimi i Iranit me agjencinë vazhdon të jetë i ngadaltë dhe i mangët. “Së pari përsa i takon bashkëpunimit me inspektorët, së dyti për sa i përket pezullimit të përpunimit të uraniumit dhe së treti në lidhje me negocitatat me treshen e Bashkimit Evropian: Britaninë, Francën dhe Gjermaninë. Dhe më duhet të them, theksoi ambasadori Shulti, që në secilin nga këto drejtime përparimi ka qenë zhgënjyes”.

I dërguari amerikan thotë se raporti i fundit i Agjencisë për Energji Atomike tregon se Irani nuk u është përgjigjur pyetjeve qenësore. “Dhe nga raporti, thekson ambasadfori amerikan, po fillojnë të shfaqen një numër i ri çështjesh që mbeten të pazgjidhura dhe që kanë lidhje me rritjen e aftësive të armatimit. Çfarë përpjekjesh ka ndërmarrë Irani, jo vetëm për të prodhuar karburant për një armë bërthamore, por që ta kthejë atë në një armë bërthamore?”

Irani nuk po pranon të heqë dorë nga e drejta për të pasuruar uranium që mund të përdoret për prodhimin e mbushjeve bërthamore. Por, zoti Schulte thotë se ndjehet i inkurajuar që Rusia dhe Kina që kanë lidhje me Iranin në fushën e energjisë, janë gjithashtu të shqetësuara dhe gradualisht po binden që të mbështesin Shtetet e Bashkuara dhe evropianët në bordin prej 35 anëtarësh të Agjencisë për Energji në bërthamore.

XS
SM
MD
LG