Lidhje

Shqipëri: Vazhdon kriza energjetike


Kriza energjetike duket se do të vazhdoje të mbetet ende edhe në javët në vazhdim problemi kryesor për Shqipërinë. Autoritetet kanë deklaruar se dhe për muajin dhjetor megjithë reshjet e parashikuara, importi do të jetë burimi kryesor për furnizimin e popullatës dhe biznesit. Koporata energjitike ka njoftuar se do të zbatojë sot në Tiranë një skemë të re duke dhënë më shumë energji në orët e pasdites. Ndërsa Komisioni qëndror i zgjedhjeve rrëzoi kërkesën për organizimin e një referendumi kundër ngritjes së termocentralit të ri në Vlorë.

Korporata energjetike shqiptare po mundohet të shfrytëzojë mundësitë e pakta që ka në dispozicion për furnizimin me energji elektrike, në një situatë e cila vazhdon të ofrojë një panorame të zymtë dhe kritike prej disa javësh. Niveli i ujërave të hidrocentraleve nuk lë shteg për të të rritur prodhimin vendas dhe kjo gjendje sipas asaj që ka deklaruar dje ministri i ekonomisë Genc Ruli pritet të vazhdojë edhe për muajin dhjetor.

Situata në liqenin e Fierëzës është e dobët dhe niveli mesatar i prurjeve mujore është nën 70 metra kub për sekondë. Megjithë reshjet e parashikuara furnizimet me enrgji do të mbështeten kryesisht te importet. Por mundësitë e importeve të energjisë janë të kufizuara.

Grafikët e javëve të shkuara kanë dëshmuar se niveli transmetimit të energjisë nga jashtë nuk ka mundur për asnjë moment të kapë nivelin maksimal të 8 deri 10 milion kilovat orëve në ditë, megjithë shpresat e autoriteteve dhe premtimet e tyre për të realizuar këtë që prej më shumë se 10 ditësh.

Tashmë pritet që ditët e para të dhjetorit të mund të jenë më të mbara, por dhe kjo është një shpresë e cila nuk varet as në dëshirën dhe as në vullnetin e palës shqiptare, por nga problemet teknike apo ngarkesat e vetë linjave ndërkombëtare nga të cilat Shqipëria realizon importin.

Koroporata energjetike nga ana e saj po eksperimenton disa variante të kufizimeve me energji, dhe për sot është parashikuar një rritje e furnizimit në Tiranë në orët e pasdites. Sipas KESH-it, ky do të jetë një test për të provuar edhe vetë rrjetin. Errësira që ka pllakosur mbi të gjithë vendin ka koinciduar dhe me debatin për ndërtimin e termocentralit të Vlorës, i parashikuar të nisë vitin e ardhshëm me mundësinë që të fillojë prodhimin që në vitin 2007.

Komisioni qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar sot kërkesën për organizimin e një referendumi në Vlorë për këtë problem, i kërkuar nga një grup ambientalistësh të bashkuar nën emrin Aleanca për mbrojtjne e gjirit të Vlorës. Ndërsa javën e ardhshme grupi ndërministror i ngritur me urdhër të kryeministrit Sali Berisha duhet të japë përfundimet e tij jo vetëm për termocentralin por dhe objektet e tjera të parashikuara për tu ngritur në zonën e konsideruar si parku energjitik i Vlorës.

XS
SM
MD
LG