Lidhje

Ahtisari viziton Tiranën dhe Podgoricën


Autoritetet më të larta të Shqipërisë i shprehën të shtunën qëndrimin e tyre në mbështetje të pavarësisë së Kosovës të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, Marti Ahtisarit, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Nga ana e tij zoti Ahtisari vlerësoi pozicionin e Shqipërisë për të luajtur një rol aktiv në këtë proces por për të mos u bërë aktore

Zoti Ahtisari vizitoi Tiranën në kuadër të një turneu në vendet e rajonit pas kontakteve të para që ai pati në Prishtinë dhe Beograd.

Një turne i tillë, me synim për të kuptuar dhe parë nga afër gjendjen, natyrisht që nuk mund të mjaftonte që zoti Ahtisari të dilte që tani me vlerësime mbi te ardhmen e statusit përfundimtar, aq më tepër që, si në Prishtinë, ashtu dhe në Beograd ai ka dëgjuar dy qëndrime totalisht të kundërta: në Prishtinë kërkesën e palëkundur për pavarësi, dhe në Beograd kërkesën për një autonomi të zgjeruar por jo pavarësi.

Turneu i tij i ngjan më shumë një misioni faktmbledhës. Në Tiranë ai u takua me autoritet më të larta të shtetit ku praktikisht u njoh me një qëndrim të njëjtë, si nga presidenti, ashtu dhe nga qeveria në mbështetje të pavarësisë.

Kështu kreu i shtetit Alfred Moisiu ka përsëritur qëndrimin e tij të njohur se “Kosova nuk mund të kthehet aty ku ka qënë më parë, se nuk duhet të ndahet dhe se nuk duhet të bashkohet me ndonjë shtet tjetër”, duke theksuar se ”kjo formulë e pranuar nga faktori ndërkombëtar përbën një bazë realiste për këto bisedime, për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme që nuk le probleme të hapura për të ardhmen, që për Shqipërinë do të thotë pavarësi e Kosovës”.

Edhe Kryeminisri Sali Berisha në takimin me zotin Ahtisari deklaroi se “Statusi duhet të përcaktohet në përputhje me vullnetin e qytetarëve që janë shprehur në mënyrë të përsëritur për pavarësi, si dhe në bashkëpunim me Grupin e Kontaktit dhe bashkësinë ndërkombëtare, duke respektuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e serbëve dhe pakicave të tjera”.

Megjithatë pala shqiptare ka bërë të qartë se në procesin e bisedimeve ajo nuk kërkon të marrë rolin e një aktori. Zoti Ahtisari u shpreh se ky rol është shumë i përshtatshëm dhe se e vlerëson diçka ttillë: ”Mënyra se si po sillet qeveria është mënyra më e mirë për t’u sjellë”.

”Ata po e ndjekin aktivisht situatën dhe janë të gatshëm të vihen në dispozicionin tonë. Do të krijonte një situatë të pamundur sikur shumë palë të donin të bëheshin aktor në këtë proces. Kjo do ta ndërlikonte shumë situatën", u shpreh i dërguari i OKB-së. Ai tha se bisedimet për statusin duhet të shkojnë paralel me përmbushjen e standarteve dhe kërkon bashkëpunim të të gjitha palëve të përfshira: "Kur i përqasemi statusit të ardhshëm të Kosovës ne mbajmë parasysh se i përqasemi statusit së bashku me standartet. Arritja e statusit të ardhshëm kërkon bashkëpunim në Kosovë, jo vetëm nga Shqipëtarët e Kosovës, por dhe nga përfaqësuesit e grupeve minoritare dhe nga Beogradi gjithashtu”, tha ai duke shpjeguar se janë diskutuar edhe disa parime të tjera, si procesi i decentralizimit, kthimi i refugjatëve, siguria dhe e rendit, mbrojtja e pakicave që është e rëndësishme për të garantuar kthimin kurdoherë të atyre që do të duan të kthehen”.

Para Tiranës, zoti Ahtisari vizitoi Podgoricën, ku dekelaroi se Kosova nuk mund të kthehet në periudhën e pas marsit të vitit 1999 dhe se nuk do të ketë ndryshim terroritori apo kufijsh në rajon. //az//

XS
SM
MD
LG