Lidhje

Ministri i Energjitikës Genc Ruli: importi do të vazhdojë të jetë burimi kryesor i energjisë


Që prej shumë javësh Shqipëria po përjeton një krizë të rëndë energjitike me pasoja të ndjeshme dhe për ekonominë e saj, ritmi i rritjes të së cilës do pësojë ulje për vitin 2005 dhe me efekte akoma më të mëdha edhe për vitin e ardhshëm. Autoritetet po mundohen të shfrytëzojnë në mënyrë të balancuar mundësitë e kufizuara të prodhimit vendas me importet që shpesh ndikohen nga problemet e linjave të interkoneksionit me rrjetet ndërkombëtare dhe rritjen e vazhdueshme të konsumit për shkak të ftohjes së motit. Por si parashikohet të jetë kjo situatë në ditët në vazhdim. Çfarë kanë planifikuar autoritetet dhe a pritet ndonjë përmirësim i kësaj gjendjeje?

Intervistë me Ministrin shqiptar të Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës Genc Ruli

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli, për sa kohë pritet të vazhdojë kjo krize e rënduar energjetike në Shqipëri?

Genc Ruli: Kjo vjen së pari nga vetë shkaku i krizës, përveç mossigurimit të kontratave të importit në kohën e duhur, të cilat tashmë ishte dashur që t’i kishim nga vendet që importojmë, ka qenë edhe mungesa e zgjatur e reshjeve. Sigurisht, jemi detyruar që me ndërhyrjen tonë, në lidhje me zgjidhjen e situatës, do ta bazojmë së pari në sigurimin e importeve të domosdoshme, të cilat në krahasim me muajin tetor janë pothuajse 2, 5 herë më të larta nga ato që janë arritur gjatë nëntorit. Po tentojmë së fundi, megjithëse situata në Ballkan është tepër e vështirë, të gjithë vendet kanë kërkesë të madhe nga konsumatorët dhe për këtë arsye lidhjet e transmetimit janë pothuajse të zëna. Megjithatë, duke u munduar nga burime alternative, nga Greqia apo nga Italia po mundohemi të sjellim disa sasi shtesë për muajin dhjetor. Pritshmëria e reshjeve do të ndikojë gjithashtu në rritjen e prodhimit vendas. Reshjet që kanë rënë kohët e fundit kanë qenë të pakta për të siguruar një rritje të ndjeshme të prodhimit, ndonëse dy të tretat e kërkesave të konsumatorëve përballohen prapë nga prodhimi vendas.

Zëri i Amerikës: Pra ju i keni varur shpresat kryesore tek importimi nga jashtë, apo jo?

Genc Ruli: Importimi është faktori kryesor plotësues për momentin dhe këto rezerva hidrike që kemi ne, nuk mund të bëjmë rritje më të ndjeshme të importit. Jemi duke menaxhuar me shumë kujdes depozitën hidrike në lumin e Drinit duke e matur me centimetra konsumin e saj çdo ditë dhe jo më me metra. Kështu që faktor plotësues për të përballuar kërkesën e konsumatorit, që në dhjetor do të jetë më e lartë, duke menduar që është fillimi i mirfilltë i dimrit, sigurisht që importi mbetet mënyra e vetme.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli, në Shqipëri është folur shumë gjatë këtyre ditëve për aftësinë teknike të përballimit, se sa rrjeti i brendshëm mund të përballojë nga importi, nga energjia e marrë nga jashtë. A është i aftë ky rrjet, të plotësojë nevojat që ka vendi përmes importeve?

Genc Ruli: Sigurisht ne nuk e kemi ngarkuar për arsye se nuk kemi pasur aq importe, sa ta ngarkojmë rrjetin deri në maksimumin e tij. Ne jemi ende larg atij maksimumi. Importet e përditshme lëvizin në nivelin prej 5-6 milionë kilovat orë në ditë, ndërsa rrjeti por të organizohet dhe menaxhohet me kujdes, mund të mbajë deri në 10 milionë kilovat në ditë. Pra ka ende mundësi, nëse do të sigurohet transmetimi, ne kemi kontaktuar sasitë e nevojshme për 10 milionë në ditë, por problemi është që na pengohet transmetimi. Rrjeti ynë sigurisht që do ta mbajë futjen e kësaj energjie në vend.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli sipas shtypit shqiptar, qeveria juaj ka bërë përpjekje për të blerë energji nga Italia, nga firma ENEL, por blerja nuk është realizuar. Sipas firmës ENEL të cituar nga shtypi shqiptar, vendit i është ofruar një sasi energjie se bashku me kapacitetin e duhur të interkoneksionit, por oferta nuk është pranuar nga KESH-i. Si qendron çështja me firmën ENEL?

Genc Ruli: E vërteta është krejt ndryshe, sepse kemi qenë ne që kemi trokitur tek ENEL-i, për të biseduar me ata për një mundësi të importimit në momentetet kur kriza mund të ashpërsohet më tepër. Kemi diskutuar për të marrë një furnizim energjie prej 200 megavatësh, duke tentuar kryesisht të marrim energji nate, për arsye se është më e lirë. Italia sigurisht ka çmimet më të larta në Europë të energjisë elektrike. Atë energji që sot në Ballkan mund ta blesh me 44 Euro megavatin, në Itali e blen me 95 Euro megavatin. Ne do të jemi të detyruar të shohim edhe çmimet dhe leverdisshmërinë që do të ketë importi në lidhje me çmimet, kështu që përderisa kemi siguruar gjithmonë me të gjithë vështirësitë e mëdha sasi energjie me çmime më të lira është lënë që energjia nga Italia do të merret vetëm në rastin më ekstrem, kur nuk do të ketë më asnjë mundësi tjetër.

Zëri i Amerikës: Ju thatë pak më parë se rrjeti në Shqipëri arrin të përballojë një ngarkesë më të madhe. Atëherë a është mungesa e sigurimit të energjisë nga vendet e tjera, që nuk po e mbingarkoni rrjetin, apo është arsyeja ekonomike që ju sapo përmendët?

Genc Ruli: Jo, besoj se gjërat ishin të qarta në mënyrën si i deklarova. Është një kompleks faktorësh. Energjia elektrike nga Italia thashë është nga më të shtrenjtat. KESH-in ne e gjetëm me arkë të zbrazur. Nuk është se njerëzit e blejnë vetë drejtpësëdrejti me çmimin e importit energjinë. Çmimet me të cilin shitet energjia tek konsumatorët familjarë është ndoshta një e treta e asaj me të cilën KESH-i e importon nga jashtë, sidomos në këto momente që çmimi i energjisë është rritur. Kështu që KESH-i është i detyruar të bëjë një menaxhim të kujdesshëm edhe të financave të tij në mënyrë që të sigurojë në vazhdimësi energji. Për sa kohë që ka mundësi qoftë edhe një kilovat/orë më shumë brenda Ballkanit dhe më lirë, ne do të shfrytëzojmë njëherë këtë mundësi. Pastaj do t’i drejtohemi një tregu më të shtrenjtë siç është ai italian ku çmimi është gati dy herë më i madh.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli, çfarë dëmi ekonomik do t'i shkaktohet Shqipërisë nga kriza energjetike?

Genc Ruli: Kriza energjitike ka një dëm të zgjatur në ekonominë shqiptare. Ekonomia shqiptare asnjëherë nuk është furnizuar me 100 përqind me nevojat që ka për energjinë elektrike dhe në rastin më të mirë është furnizuar 80 përqind. Sigurisht që në momente të tilla të emergjencës ky furnizim bie në nivele më të ulta. Dëmet në radhë të parë janë tek biznesi, i cili pa dyshim ka ndërprerje të mëdha në oraret e tij të punës, dëmtime të ciklit të prodhimit dhe të ciklit tregtar. Ndoshta në këtë periudhë ato kanë qenë relativisht të kufizuara, por pikësynimi ynë është pikërisht që kjo krizë të mund të mbarojë sa më shpejt dhe që tani përpjekjet tona më të mëdha, përveç menaxhimit të situatës së përgjithshme kemi edhe sigurimin e energjisë për vitin 2006.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli kjo situatë e rënduar ka përkuar dhe me një debat lidhur me ndërtimin ose jo të Termocentralit të Vlorës. Në Shqipëri është ngritur një grup pune ndërministror për të shqyrtuar këtë cështje, pjestare e së cilit është dhe ministria juaj. A do të vazhdojë qeveria t’i mbahet premtimit elektorale kundër ndërtimit të Termocentralit apo do të ketë një vendim pro tij?

Genc Ruli: Faleminderit për pyetjen sepse ka nevojë për një sqarim. Partia Demokratike në fushatën elektorale ka qenë kundër idesë së një parku energjitik tepër të madh në Vlorë, i cili pavarësisht nga standartet mbrojtëse, duke marrë parasysh përmasat e tij dhe konsumet e mëdha do të sillte një ndotje të ambientit. Ndoshta më në veçanti, ne kemi thënë se parku energjitik do ta nxirrte tërësisht jashtë loje turizmin e Vlorës. Nga ana tjetër, një mega-park i këtij lloji i pakonceptuar mbi konsiderata të mirëfillta ekonomike mund të ishte jo shumë i dobishëm edhe për ekonominë kombëtare. Ne i përmbahemi idesë se duhet ndërtuar ajo që i leverdis ekonomisë kombëtare dhe që i nevojitet asaj, por pa dëmtuar interesat e ekonomisë lokale, ekonomisë së turizmit, që potencialisht do të zhvillohet në gjirin e Vlorës. Mendojmë që ngritja e një TEC-i të vetëm, me një kapacitet prej 130 megavatësh, me një teknologji nga më të lartat që mund të jenë sot në Evropë për sa i përket mbrojtjes së ambientit, nuk do të ishte një dëm, përkundrazi, do të ishte një dobi për zhvillimin në tërë jugun e Shqipërisë. Duke menduar që së pari është pikërisht bregdeti jugor nga Vlora e deri në Sarandë që është pjesa e Shqipërisë e mbuluar më keq me rrjetin energjitik dhe e furnizuar më keq me energji elektrike.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli në këtë situatë të vështirë që po kalon Shqipëria, ku nuk duket se ka rrugedalje te lehta, vëzhgues të ndryshëm janë shprehur se vendi ka nevoje te paktën për bashkëpunim të forcave kryesore politike për të përballuar situatën. Ajo që vihet re deri sot, të paktën në publik, janë kritikat, hedhja e fajit njera tjetërs për situatën. Po a ekzistojnë kanale të tjera komunikimi, jashtë syve të publikut?

Genc Ruli: Faktikisht nuk ka ekzistuar. Është vënë re që ka qenë e vështirë për të ndërtuar një kanal të tillë dhe kur opozita ka deklaruar se mund të jetë bashkëpunuese në këtë proces, gjithë qëndrimi i saj, që nga dita e parë e deri më sot, ka qenë vetëm për t’ia lënë në kurriz të qeverisë problemet e krizës ekonomike dhe ne e dinim këtë krizë që pa hyrë në zyrat tona, dhe megjithatë nuk e filluam betejën duke u marrë me socialistët për fajësinë që kishin ata në moszhvillimin e tenderave, por filluam punën për të siguruar burimet dhe për të mbajtur sistemin që e gjetëm jashtë kontrollit dhe për ta vënë sistemin e energjitikës nën kontroll. Sigurisht që u detyruam të kthejmë përgjigje, detyrim që kemi për të sqaruar opinionin publik kur akuzat tejkaluan çdo pikë të seriozitetit politik dhe të transparencës politike. Dhe përsërisim me kurajo se kjo krizë, në qoftë se do të ishte reaguar me hapat e duhur dhe me përgjegjësinë e duhur, që në maj të këtij viti, kjo krizë nuk do të ishte sot në dyert e shqiptarëve.

XS
SM
MD
LG