Lidhje

Roli dhe e ardhmja e sindikatave të punëtorëve në epokën e globalizimit


Dobësimi në rritje i ndikimit të sindikatave në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë ka ngjallur spekullime se organizimit të punonjësve në mbrojtje të së drejtave të tyre ndoshta po i ikën koha. Por shumë analistë thonë se shoqatat e sindikatave në gjithë botën po riorganizohen dhe po përpiqen të gjejnë mënyra që t’i përgjigjen më mirë realitetit të ekonomisë globale:

Këtë muaj, një aleancë e 12 sindikatave në Kaliforni përmbysi të katër masat e propozuara nga Guvernatori Arnold Schwarzenegger që do të dobësonin të drejtat e punonjësve dhe do të pakësonin sigurimet e tyre. Aleanca që përfaqësonte 2 milionë e gjysmë punonjës, kryesisht infermierë, mësues, oficerë policie dhe zjarrfikës, dëshmoi se sindikatat në Amerikë vazhdojnë kenë ndikim. Por anëtarësimi ka rënë vazhdimisht që nga vitet 1950 kur një e treta e punonjësve merrte pjesë në sindikata.

“Aktualisht ne jemi pothuajse të fundit mes vendeve të industrializuara, përsa i takon përfaqësimit në sindikata”, thotë David Brody, profesor i historisë së sindikatave në Universitetin e Kalifornisë dhe autor i librit të ri “Rënia e sindikatave”. Ai shton se përfaqësimi në sindikata në sektorin privat është më pak se 8 për qind dhe se ky është niveli më i ulët që prej më shumë se një shekulli.

Në kontrast me këtë, në vendet skandinave anëtarësimi në sindikata është dhjetë herë më i madh. Mbi 80 për qind e punonjësve në Suedi dhe afro 80 për qind e tyre në Danimarkë dhe Finlandë janë anëtarë sindikatash. Anëtarësimi në vendet e tjera evropiano-perëndimore është nga 20 deri në 50 për qind. Në Francë 9 për qind e puonjësve janë anëtarë sindikatash, përqindja më e ulët në gjithë vendet e Evropës Perëndimore. Megjithatë ata organizojnë greva masive, tërheqin vemendjen e medias dhe arrijnë rezultate.

Robert Tobias profesor i menaxhimit publik në Universitetin Amerikan në Washington dhe ish-president i një sindikate thotë se sindikatat evropiane janë të angazhuara në politike shumë më tepër se sa ato amerikane. “Sindikatat evropiane kanë një ndryshim drastik nga ato amerikane, në kuptimin që sindikatat amerikane janë përqendruar tek të drejtat e punonjësit individual përmes negociatave të marrëveshjeve kolektive. Në Evropë, sindikatat janë bërë pjesë e procesit politik dhe përpjekjeve politike dhe janë përqendruar tek të drejtat për hartimin e legjislacionit”.

Shumë vende, mes së cilave Britania, Australia dhe Izraeli kanë parti laburiste që përfaqësojnë interesat e tyre. Lëvizja sindikaliste amerikane ka qenë gjithnjë e prirur nga ekonomia dhe tregu i punës. Shumë historianë thonë se kjo e ka bërë atë më të pavarur dhe elastike.

Forca e sindikatave në Amerikë është se ajo mbështetet tek solidariteti i punëtorëve dhe vullneti i tyre për të dalë në grevë. Por kjo ndryshoi në mënyrën drastike në vitin 1981 kur Presidenti Ronald Reagan ndërpreu një grevë të kontrollorëve të trafikut ajror, duke pushuar punonjësit shtetërorë që kishin marrë pjesë në grevë. Që atëherë ndryshimet ekonomike e kanë gërryer ndikimin e sindikatava në shumë pjesë të botës. Shumë analistë përmendin si shkak fuqizimin gjithnjë e më të madh të korporatave ndërkombëtare që mund t’i zhvendosin linjat e tyre të prodhimit nga një vend në tjetrin për një krah më të lirë pune.

Drejtuesit e korporatave i kanë akuzuar sindikatat se ia kanë humbur elasticitetin fuqisë punëtore. Vështirësia e marrjes në punë të punonjësve të përkohshëm, pushimi nga puna i atyre që nuk duhen më dhe pakësimi i sigurimeve i bën disa nga punëdhënësit të mos kenë vullnetin të hapin vende të reja pune. Ata thonë gjithashtu se masat e shumta mbrojtëse për punonjësit e vështirësojnë rimëkëmbjen e një ekonomie të dobësuar dhe thellojnë papunësinë.

Partitë laburiste dhe socialiste në shumë vende, mes së cilave Britania dhe Gjermania janë dorëzuar para disa prej këtyre presioneve ekonomike. Shumë analistë janë të një mendjeje se pavarësisht nga numri i anëtarëve të sindikatës, lëvizja laburiste do të ekzistojë përsa kohë të ketë punëdhënës dhe punonjës. Nëse punonjësit ndjehen të shfrytëzuar, thonë analistët, herët a vonë ata e gjejnë mënyrën të organizohen dhe të luftojnë për interesat e tyre.

XS
SM
MD
LG