Lidhje

Ahtisari: Maqedonia - një shembull i mirë i ndërtimit të raporteve shumëetnike


Marti Ahtisaari, i dërguari i posaçëm i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së qëndroi në Shkup për takime me autoritetet shtetërore të atjeshme për të mësuar qëndrimet lidhur me statusin e Kosovës.

Zoti Ahtisaari tha se nevojitet bashkëpunimi i të gjitha palëve në mënyrë që procesi të shkojë përpara. “Nga shqiptarët e Kosovës kërkohet që të përshpejtojnë decentralizimin e çështjeve administrative. Që të bëhet kjo, duhet edhe mbështetja dhe pjesëmarrja e pakicave, përfshirë atë serbe”, tha zoti Ahtisari.

Ai theksoi se është çështje e drejtë e atyre të cilët janë larguar nga Kosova që të kthehen të jetojnë aty. Ndërmjetësi për statusin e Kosovës, Ahtisaari tha se Maqedonia mund të shërbejë si një shembull i mirë se si janë ndërtuar raportet shumëetnike në vend. Ai vuri në dukje zhvillimin që është bërë nëpër komunat shumëetnike, për çka tha se do të dëshironte ta mirrte këtë shembull nga Maqedonia me vete dhe se do të shqyrtonte mundësitë e zbatimit në Kosovë të disa çështjeve se si janë zgjidhur në Maqedoni.

Zoti Ahtisari pranoi se do të studiojë aspekte nga Marrëveshja e Ohrit për të parë sa janë të zbatueshme për pakicat në Kosovë. Por se është Këshilli i Sigurimit i OKB-së ai i cili në fund do të vendosë për gjithçka, tha ai. Zoti Ahtisaari tha se nga Maqedonia vjen një mesazh shumë i qartë, lidhur me mosndryshimin e kufijve në rajon dhe ruajtjen e sovranitetit e tërësisë tokësore të Maqedonisë pa marrë parasysh se cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës. Por tha poashtu se parimet bazë të Këshillit të Sigurimit nuk njohin ndryshimin e kufijve si pasojë e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Kryeministri maqedonas Vllado Buçkovski i ka folur zotit Ahtisaari mbi zhvillimet e mundëshme në rajon dhe alternativat e ndryshme që duhet marrë në konsideratë. I dërguari Ahtisaari tha se çështja e shënimit të vijës së demarkacionit Maqedoni-Kosovë nuk paraqet ndonjë prioritet për të në këto momente. Por, ai tha se me rëndësi është që të gjithë të përqëndrohen mbi përparimin e procesit për statusin dhe se tash dihen qëndrimet fillestare të palëve. Ai theksoi nevojën për përmirësimin praktik në terren, siç tha, me zbatimin në praktikë të ligjeve të miratuara në Kosovë.

“Dëshirojmë të shohim rezultate konkrete dhe inkurajojmë grupet e punës që të merren me këtë” tha i dërguari i OKB-së, Marti Ahtisaari. Ai la të kuptohej se do të mirëprsite grupet e punës për takime në Vjenë të Austrisë. Ndërkohë, theksoi vështirësitë e shumta që hasen lidhur me përpjekjet për “përmirësimin e pozitës së pakicave kur ato (pakicat) nuk dëshirojnë të marrë pjesë në asnjë gjë!”

Ai tha se po kërkon nga Beogradi që të inkurajojë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në proceset e atjeshme ndërkohë që ka kërkuar nga Beogradi që arkivat e Kosovës mbi çështjen e pronave që janë bartur nga Prishtina në kohën e luftës, të paktën të nxirren në internet që çdokush të mund të ketë qasje aty. Zoti Ahtisaari përveç takimeve me prsidentin Branko Cërvenkovski, kryeministrin Vllado Buçkovski dhe ministren e jashtme Ilinka Mitreva është takuar edhe me Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim.

XS
SM
MD
LG