Lidhje

Nju Orlinsi ende në pritje të  banorëve

  • Greg Flakus

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Uragani Katrina goditi New Orleansin, megjithatë qyteti ende nuk është futur si duhet në rrugën e rimëkëmbjes. Kryetari i Bashkisë së qytetit Ray Nagin thotë se lagjet e qytetit pranë derdhjes së lumit Misisipi ka të ngjarë të kenë vetëm gjysmën e popullsisë së rregullt edhe për një vit, por si ai edhe udhëheqës të tjerë të New Orleansit shpresojnë se banorët që do të kthehen do të ndihmojnë në rigjallërimin e njërit prej qyteteve amerikane më dinamike si nga historia ashtu edhe nga kultura.

Për ata pak persona që janë kthyer në rajonin numër nëntë të goditur nga përmbytjet, pamjet janë tronditëse dhe dëshpëruese. J.W. Tatum dhe e shoqja, Marna, janë banorët e vetëm që janë kthyer deri tani në këtë lagje, por ata besojnë se së shpejti do të kthehen edhe të tjerë:

"Shpresojmë se do të kthehen, sidomos me afrimin e të ftohtit në zonat veriore, ku janë strehuar. Pasi të kthehen banorët, do të jemi më mirë."- thotë ai.

Këtë shpresë ushqen edhe profesorja e universitetit Tulane, dhe eksperte e arkitekturës, Ann Mason, e cila mendon se me një popullsi të vogël njerëzish të përkushtuar, New Orleansi mund të përjetojë një periudhë rilindjeje.

"Nëse ndodh kjo, New Orleans do të jetë një qytet më i vogël, por banorët do të jenë më të përqendruar. Ne do të përdorim më mirë tokën dhe strukturat e vjetra dhe do të ruajmë një kombinim interesant të kulturave dhe njerëzve."

Por ajo pohon se nuk është e lehtë të bindësh njerëzit të kthehen:

"Që të tërheqësh njerëzit, duhet të ndërtosh shtëpitë, por nga ana tjetër ku do t’i strehosh punëtorët që do të ndërtojnë këto shtëpi."

Kryebashkiaku Nagin thotë se do të donte të shihte kthimin e gjithë popullsisë, përveç shitësave të drogës dhe bandave kriminale që e kishin bërë New Orleansin një ndër qytetet më të rrezikshme të Amerikës para Uraganit Katrina. Ann Mason thotë se një qytet me nivel të ulët krimi do të tërhiqte një nivel më të lartë investimesh për rindërtim.

"Tani mund të dalësh natën nëpër rrugët e qytetit dhe të ndjehesh më i sigurtë se para Katrinës. Keqbërësit janë larguar dhe shpresojmë të mos kthehen më."

Ndërkohë që vazhdon pastrimi, inxhinierët e urbanistikës po studiojnë zonat e goditura më rëndë nga përmbytjet për të vendosur cilat shtëpi mund të rindërtohen dhe cilat duhen shkatërruar një herë e mirë. Meg Lusto, Drejtoreshë e Shoqatës së Objekteve Historike të Luizianës, thotë se kjo katastrofë natyrore ka treguar se cili stil arkitektural është më i përshtatshëm për New Orleansin.

"Shtëpitë më të vjetra janë projektuar për t’i mbijetuar kësaj klime, motit të nxehtë dhe me lagështirë, ndërsa këto shtëpi më të reja nuk rezistojnë dot. Për më tepër ato janë projektuar me tarraca të sheshta, një model i papranueshëm në një zonë të tillë me rreshje të dendura. Por jo gjithkush mund të jetë në gjendje të përballojë koston e banimit në një prej shtëpive historike të New Orleansit. Përveç kësaj, nuk është zgjidhur ende dilema se ku do të rindërtohen shtëpitë."

Një artikull i kohëve të fundit në gazetën Times Picayne të New Orleansit tregon se në vitin 1878 askush nuk jetonte në zonën e ulët të qytetit. Ekspertët po studiojnë metoda të ndryshme për të forcuar digat dhe ledhet për të parë nëse mund të ketë vend për rindërtime në disa zona të ulëta. Derisa të gjejnë përgjigje këto dilema, shumë ish-banorë të qytetit nuk do të kthehen dhe rindërtimi do të mbetet në vend-numëro.

XS
SM
MD
LG