Lidhje

Sekretarja Rajs është e përgatitur të diskutojë mbi akuzat për burgje të fshehta amerikane në Evropë


Departamenti i Shtetit bëri të ditur dje se Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, do t’u përgjigjet shqetësimeve mbi akuzat për burgje të fshehta të CIA-s në Evropën Lindore, javën e ardhshme gjatë turneut të saj në Evropë. Administrata e Presidentit Bush as e ka mohuar dhe as e ka konfirmuar ekzistencën e tyre, por e pranon se ka marrë kërkesë nga Evropa për të sqaruar çështjen.

Javën e ardhshme Sekretarja Rajs shkon për vizitë në Gjermani, Rumani, Ukrianë dhe Belgjikë për takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s. Ky do të jetë udhëtimi i saj i parë në Evropë që pas njoftimeve të shtypit amerikan për burgje të fshehta në Evropë.

Ndërsa i përmbahet qëndrimit për të mos diskutuar mbi këtë çështje, Departamenti i Shtetit e pranon se ka marrë disa kërkesa nga Evropa rreth kësaj çështjeje duke shtuar se zonja Rajs do të jetë e përgatitur të flasë rreth kësaj sa më plotë e hapur që të munduet.

Njoftimet se CIA po mban të dyshuar për terrorizëm në një ose disa vende të Evropës Lindore ka shkaktuar një debat të zjarrtë politik në Evropë.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, filloi hetimet mbi këtë çështje dhe Komisioneri Evropian për Drejtësinë Franko Fratini kërcënoi dje me vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që kanë pranuar ngritjen e këtyre objekteve në territorin e tyre.

Zoti Fratini tha se Bashkimi Evropian ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë para disa ditësh, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje zyrtare se njoftimet nuk janë të vërteta.

Gjatë një konference shtypi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormak tha se ka patur kërkesa zyrtare nga Bashkimi Evropiane rreth njoftimeve që ai i quajti “të ashtuquajturat burgje të fshehta” dhe fluturimet nga një aeroport në tjetrin.

Ai shtoi se në se kjo çështje do të ngrihet gjatë udhëtimit në Evropë të Sekretares Rajs, javën e ardhshme, ajo do të jetë e përgatitur të flasë sa më plotë që të mundet.

Zëdhënësi tha se një diskutim i tillë do të kryhet në kontekstin më të gjerë se ç’qëndrim mund të mbajnë vnedet demorkatike ndaj dilemës që paraqet terrorizmi.

“Në këtë luftë së bashku me ne marrin pjesë gjithë vendet e lira, përfshirë vendet e Evropës. Ç’duhet të bëjmë ndaj grupeve dhe individëve që nuk njohin asnjë ligj, që nuk u përkasin ushtrive të rregullta, që nuk njohin asnjë rregullore? Dhe në këtë kontekst, vendi ynë, apo vendet e tjera, që i binden ligjit, që respektojnë detyrimet ndërkombëtare, që zbatojnë kushtetutën e tyre, çfarë qëndrimi duhet të mbajnë ndaj këtyre elementëve? Sekretarja e Shtetit do të jetë e përgatitur të flasë për këto, në se çështja ngrihet për diskutim.”

Zëdhënësi Mekormak tha se ai nuk mund të japë ndonjë hollësi nga përgjigja që Sekretarja Rajs, ose zyrtarë të tjerë mund t’i japin kërkesës evropiane.

Pa iu referuar burgjeve të fshehta, zëdhënës të administratës amerikane kanë hedhur poshtë kategorikisht se Shtetet e Bashkuara torturojnë të dyshuarit për terrorizëm.

Po ashtu ata kanë këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara respektojnë detyrimet ndërkombëtare përsa i përket trajtimit të të burgosurve dhe venë në dukje se Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, anëtarët e Kongresit, dhe të tjerë janë lejuar të shkojnë në burgun e Guantanamos ku mbahen të dyushuar për terrorizëm.

Sot Sekretarja Rajs ka në plan të takohet në Departamentin e Shtetit me Ministrin e ri të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier dhe pas disa ditësh me Ministrin e Jashtëm të Irlandës Dermot Ahern.

Para zonjës Rajs, në Evropë shkon nën sekretari i shtetit Robert Zellik. Të mërkurën ai do të takohet në Gjermani me Kancelaren Angela Merkel dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të ri në Berlin.

XS
SM
MD
LG