Lidhje

Qumështi i gjirit dhe diabeti; Moti i ftohtë dhe të ftohurit; Muzika, kujtesa dhe leximi


Qumështi i gjirit dhe diabeti

Sipas një studimi të këtyre ditëve, ushqimi i foshnjeve me qumësht gjiri ndihmon jo vetëm për mirërritjen e tyre, por edhe për pakësimin e rrezikut të diabetit tek nënat.

Alison Kejp vazhdon të ushqejë me qumësht gjiri vajzën e saj, Sharlote që kur ajo lindi 9 javë më parë. Alison thotë se ka në plan t’ia vazhdojë dhënien e qumështit të gjirit derisa të ketë mundësi, ndoshta derisa vajza të bëhet 12 muajshe. Shkencëtarët thonë se nëse ndodh kështu, Alison ka të ngjarë të pakësojë dukshëm rrezikun e prekjes nga diabeti në të ardhmen.

Mjekja Alison Stuebe pranë spitalit Brigham thotë se gjatë studimit u vu re që ushqimi i foshnjeve me qumësht gjiri për një vit ul 15 përqind rrezikun e prekjes nga diabeti tek nëna. Në studimim e kryer pranë spitalit Brigham morrën pjesë 150 gra.

Sipas studimit, nëse një nënë ka dy fëmijë dhe që të dy i ushqen me qumësht gjiri derisa secili prej tyre të bëhet 1 vjeç, kjo nënë e ul me 30 përqind rrezikun e prekjes nga diabeti.

Mbipesha trupore është një nga shkaktarët e diabetit dhe shkencëtarët mendojnë se përdorimi i qumështit të gjirit parandalon mbi peshën trupore tek nënat, po të kihet parasysh se çdo nënë përdor 500 kalori në ditë për të ushqyer fëmijën e saj me qumësht gjiri, energji kjo e barabartë me atë që njeriu harxhon kur vrapon 7-8 kilometra në ditë.

Moti i ftohtë dhe të ftohurit

Një studim i kohëve të fundit tregon se moti i ftohtë ndikon në qarkullimin jo të lirshëm të gjakut në hundë dhe kjo bëhet shkak për të ftohurit ose gripin. Shkencëtarët thonë se gjatë periudhës së dimrit, venat e gjakut në hundë tkurren nga të ftohtit dhe kjo ul qëndresën e organizimit ndaj virusit të të ftohurit. Kjo sikur vërteton shkencërisht përse tradita ka zgjedhur të ftohtit për të treguar gjendjen e motit dhe të ftohurit për t’iu referuar sëmundjes. Pra duket e natyrëshme që i ftohti shkakton të ftohur dhe kolla e teshtimat janë shenjat.

Rezultatet e studimit pasuan një sërë eksperimentesh me dy grupe. Në njërin grup, personat i mbajtën këmbët në ujë të ftohtë.

Doktor Ron Ekles thotë se këta njerëz kishin mbi 10 përqind gjasa për t’u prekur nga të ftohurit. Doktor Ekles thotë se shumë prej pjesmarrësve në eksperiment u prekën nga virusi i të ftohurit por nuk treguan ndonjë simptomë, por këto simptoma dolën në pah kur hundët e tyre u ekspozuan ndaj të ftohtit. Studimi arriti në përfundimin se të ftohtit shkakton vështirësi në qarkullimin e gjakut në venat e hundës dhe kjo pakëson qëndresën e organizimit ndaj prekjes nga të ftohurit.

Fakti që njerëzit marrin të ftohur gjatë periudhës së dimrit më shumë sesa gjatë verës, mund të jetë i lidhur drejtpërdrejtë me faktin që hundët janë të ftohta në dimër dhe jo në gjendje për të mbrojtur organizimin, siç bëjnë gjatë stinës së verës kur moti është i ngrohtë.

Muzika, kujtesa dhe leximi

Prej vitesh është thënë se të mësuarit e një instrumenti muzikor ndihmon në forcimin e kujtesës, por tani shkencëtarët besojnë se përdorimi i një instrumenti muzikor ndihmon trurin për të zhvilluar të folurit, gjuhën dhe leximin. Pra mësimi i një intrumenti muzikor mund t’u vijë në ndihmë fëmijëve në procesin e leximit.

Studimi i ri gjithashtu ngre një sërë pyetjesh rreth paaftësive muzikore dhe paaftësive për të mësuar. Neurologu John Gabriel thotë se rezultatet e punës së tij kërkimore mund të kenë efekte të thella tek fëmijët.

Ai mendon se muzika mund t’i ndihmojë fëmijët të shtojnë aftësitë e tyre të leximit ose t’i përmirësojnë ato. Neuro shkencëtarët thonë se njeriu mëson të lexojë duke bashkërenduar ato që sheh me ato që dëgjon. Kjo është arsyeja, thonë ata, përse fëmijët që lexojnë me vështirësi shpesh e kanë të vështirë të bëjnë dallime edhe mes tingujve. Në studimin e neurologut Gabriel, u morrën në shqyrtim dy grupe të rriturish; njëri me përvojë muzikore dhe grupi tjetër pa një përvojë të tillë. Për pjesmarrësit u luajtën tinguj muzikorë dhe rrokje fjalësh. Doktor Gabriel thotë se disa tinguj ishin krejt të ndryshëm dhe herë herë tingujt kishin pak dallim nga njëri tjetri. Tingujt që ishin të ndryshëm u dalluan me saktësi, ndërsa për tingujt që kishin pak dallim, personat me përvojë muzikore i dalluan ato më mirë në krahasim me fëmijët që nuk kishin ndonjë përvojë me vegla muzikore. Tek këta fëmijë gjithashtu u vu re se ata i dallonin me vështirësi dhe ndonjëhrë edhe gabim rrokjet e ndryshme porafërsisht të ngjashme në tingull, si për shembull ga - ka, ma - na.. etj.

Gjatë studimit u përdor edhe skanimi i trurit për të argumentuar se kur muzikantët bëjnë dallimin midis tingujve, veprimtaria e trurit të tyre është më e përqëndruar. Pra studimi rekomandon që fëmijët të merren sa më shumë me muzikë, pasi kjo përmirëson leximin.

Por kritikët thonë se rezultatet janë të parakohëshme dhe në këtë fushë nevojiten studime të tjera. Profesor Majkëll Kamil pranë universitetit Stanford thotë se është e parakohëshme të thuhet se muzika ndikon në mësimin e fëmijëve për të lexuar.

Edhe autorët e studimit janë dakord me këtë vlerësim. Kjo është arsyeja që për të vërtetuar teorinë e tyre, shkencëtarët kanë në plan që gjatë muajve të verës të merren me një grup fëmijësh që ndeshen me vështirësi në të lexuar, për t’u mësuar atyre intrumente muzikore dhe pastaj të shohin rezultatet e tyre në fushën e leximit.

XS
SM
MD
LG