Lidhje

Tiranë: Filloi konferenca e vendeve anëtare të koalicionit ushtarak të operacionit “Liria e Irakut”


Në Tiranë filloi sot konferenca e vendeve anëtare të koalicionit ushtarak të përfshirë në operacionin “Liria e Irakut”. Kjo konferencë organizohet nga komanda qendrore e Shteteve të Bashkuara dhe në të marrin pjesë ushtarakë të lartë nga mbi 30 vende, si dhe gjenerali i Komandës Qendrore amerikane Xhon Abizaid dhe ai i trupës shumëkombëshe në Irak, Xhorxh Kejsi. Dy gjeneralët e lartë amerikanë janë takuar me kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Alfred Moisiu, i cili sot u shpreh se duke parë zhvillimet në Irak, nuk do të jetë i nevojshëm një shtim i trupave shqiptare atje.

Vlerësimi i situatës në Irak dhe sfidat e ardhshme të operacionit "Liria e Irakut" që ka bashkuar mbi 30 vende të botës, mes të cilave dhe Shqipëria, është tema e bisedimeve që kanë nisur sot në Tiranë ushtarakë të lartë të këtyre vendeve, nën drejtimin e Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara.

Fillimisht ishte menduar që për takimin, ndoshta për arsye sigurie, nisur dhe nga niveli i rëndësishëm i pjesëmarrësve, të mos jepej asnjë njoftim, madje të mbahej e fshehtë gjithshka deri në përfundim të tij, por mbrëmë, në koordinim me komandën qendrore amerikane, Ministria shqiptare e Mbrojtjes bëri të ditur organizimin e tij në kryeqytetin shqiptar.

Dy gjeneralet e lartë të Shteteve të Bashkuara, Komandanti i Komandës Qendrore John Abizaid dhe ai i trupave shumëkombëshe Xhorxh Kejsi, u pritën mbrëmë nga kryeministri Sali Berisha dhe sot në mengjes nga presidenti Alfred Moisiu.

Kreu shqiptar i shtetit tha pas takimit se terrorizmi është një rrezik, i cili në qoftë se do të lihet në harresë, apo pa u marrë me të në kohën e duhur, në të ardhmen është shumë e vështirë të përballesh me të dhe u angazhua se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në këtë luftë. Nga ana e tij, gjeneral Abizaid deklaroi se koalicioni po shënon progres shumë të mirë në luftën e gjerë kundër terroizmit. Ai u shpreh optimist për rezultatet e operacioneve të gjera atje, ashtu si dhe për operacionet në Afganistan. Ndërsa komandanti i trupave shumëkombëshe në Irak Xhorxh Kejsi, tha se në Konferencën e Tiranës përfaqësohet koalicioni prej gati 30 vendesh nga e gjithë bota, të gjithë të përkushtuar për të ndihmuar një vend prej 26 milionë banorësh, “i cili për tre dekada ka jetuar në tirani”, u shpreh ai, duke shtuar se “brenda disa javësh, Iraku do të bëjë zgjedhjet, për të zgjedhur një qeveri kushtetuese dhe irakianët do të vazhdojnë të përpiqen për të ecur përpara në rrugën e tyre për të ndërtuar një jetë më të mirë në demokraci”.

Sipas gjeneralëve amerikanë, Iraku ka përpara shumë sfida dhe bërthama e koalicionit edhe në Afganistan do të jenë trupat irakiane dhe afgane, të cilat duhet të përpiqen të ndërtojnë vendin e tyre.

I pyetur për trupat shqiptare në Irak, presidenti Moisiu, duke rimarrë vlerësimet e gjeneralëve amerikanë për zhvillimet e ardhshme atje, u shpreh se nuk do të ketë nevojë për shtim forcash të tjera. Shqipëria ishte ndër vendet e para që iu bashkua Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe në luftën për rrëzimn e regjimit të Sadam Hyseinit. Ajo dërgoi menjëherë atje një njësi të trupave komando, trupat elitë të ushtrisë shqiptare, numri i të cilave erdhi në rritje. Aktualisht, 120 komando shqiptare veprojnë në aeroportin e Mosulit. Shqipëria ka gjithashtu trupa të saj në misionet paqeruajtëse në Afganistan, së bashku me një ekip mjekësh nga Kroacia dhe Maqedonia si dhe trupa të tjera në Bosnje.

XS
SM
MD
LG