Lidhje

Presidenti Bush bën fushatë për politikat e tij të imigracionit


Presidenti George Bush po zhvillon një turne dy ditor në Arizonë dhe Teksas për të nxitur përkrahje për paketën e tij me reforma për politikat e imigracionit. Presidenti synon të pengojë imigracionin e paligjshëm, por ligjvënësit janë të përçarë në pikëpamjet për realizimin e kësaj.

Në shtetin Arizona, ku rojet që patrullojnë kufirin amerikan ndeshen çdo ditë me probleme si imigrantë të paligjshëm që kapërcejnë barrierat apo që kalojnë kufirin, presidenti ritheksoi zotimin e tij për të mbrojtur kufijtë e Amerikës.

Sigurimi i kufijve është jetik për sigurimin e vendit.” - tha Presidenti.

Në fjalën që mbajti para rojeve të kufirit dhe zyrtarëve të doganave në një aeroport të Forcave Ajrore në Tuscan të Arizonës, presidenti parashtroi planin e tij për të reformuar sistemin e imigracionit në vend, duke rritur angazhimin në zbatim të ligjit, ngritjen e objekteve të reja për të ndaluarit dhe shtimin e 1 mijë rojeve të tjera të kufirit. Presidenti u bëri gjithashtu thirje ligjvënësve të miratojnë një program për punëtorë me viza afat-shkurtra:

“Do të forcojmë ligjet e imigracionit në vend dhe së bashku me Kongresin do të krijojmë një program për punëtorët që vijnë për periudha të shkurtra. Këto masa do të lehtësojnë trysninë mbi kufijtë, do t’u japin mundësi punëtorëve të mos jetojnë më nën hije dhe do të kundërshtojnë amnistinë.” - tha ai.

11 milionë shtetas të huaj punojnë aktualisht në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara. Udhëheqës të Kongresit pohojnë se reformat janë të nevojshme, por shumë prej tyre kanë mendime të ndryshme lidhur me programin e presidentit për punëtorë të përkohshëm, i cili do t’u lejonte punëtorëve pa dokumenta të qëndronin Shtetet e Bashkuara, pa u ndëshkuar, deri në 6 vjet. Kritikët thonë se kjo masë është tepër e butë ndaj imigrantëve të paligjshëm, ndërsa të tjerët thonë se reforma nuk është e thellë sa duhet. Avokatja e çështjeve të imigracionit Laura Rif mendon se programi i propozuar për punëtorë të përkohshëm nuk është praktik:

“Nuk mendoj se imigrantët e paligjshëm që u fshihen autoriteteve do të vijnë vullnetarisht të regjistrohen. Dhe kjo lë pa zgjidhur çështjen e sigurisë kombëtare. Ne duam të dimë kush jeton në këtë vend në mënyrë që të përdorim mekanizmat tona të kufizuara të zbatimit të ligjit për të kapur keqbërësit.” - tha ajo.

Disa amerikanë mendojnë se qeveria nuk po bën sa duhet. Afro 1 milion imigrantë të paligjshëm u përpoqën të kalojnë kufirin amerikan me Meksikën vitin e kaluar, duke bërë që qindra vullnetarë të bashkohen me njësitë e njohura si Minutemen, një ekip qytetarësh, që patrullojnë kufirin dhe njoftojnë autoritetet për kalime të dyshuara të kufirit dhe marin në fotografi puntorë të paligjshëm dhe punëdhënësit e tyre. Vullnetari nga shteti Maryland, Chuck Floyd, thotë se diçka duhet bërë.

“Së pari ne duhet të sigurojmë kufijtë tanë, kjo është e domosdoshme. Gjithashtu duhet të punojnë me Kongresin, Departamentin e Shtetit, Departamentin e Drejtësisë dhe të Sigurisë Kombëtare për ta vënë gjendjen nën kontroll.”

Presidenti Bush foli rreth së njëjtës çështje kur shkoi sot në Texas. Por në se plani i presidentit bëhet realitet apo jo kjo do të varet nga ligjvënësit amerikanë, të cilët kanë shtyrë diskutimin e reformës së imigracionit deri në fillim të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG