Lidhje

Nju Jork Tajms shkruan përsëri për librin e Kadaresë


Për herë të dytë brenda dy javësh, një ndër gazetat kryesore amerikane, boton shkrime për librin e ri të shkrimtarit Ismail Kadare “Trashëgimtari”. Kritiku letrar Richard Eder, shkruan në gazetën Nju Jork Tajms, se ngjarjet e Trashëgimtarit, i shkojnë aq për shtat stilit të Kadaresë, një universi të ankthit që ai ka krijuar gjatë viteve, sa që shpesh duket sikur ai vetë me ato që shkruan i jep jetë.

Kadareja, vazhdon kritiku, e bën misterin më të mistershëm, deri në atë pikë ku nuk ka më rëndësi të pyetet pse apo kush, aty ku koha bën ecejake mes të shkuarës dhe së ardhmes. Mes shkrimtarëve të mëdhenj të kohës moderne, dhe Kadareja është një prej tyre, vazhdon autori, vetëm Kafka, ka eksploruar një territor të tillë.

Të dy përdorin një butësi endacake, një hare të zymtë për të krijuar makthin, e megjithatë të dy janë tepër të ndryshëm. Alegoritë e Kafkës merren me një botë abstrakte që na lejon të kuptojmë pafuqinë me të cilën ne jetojmë në botën tonë. Ndërsa tiranitë raskapitëse që krijon Kadareja, po aq universale, janë të errëta dhe me rrënjë të thella, shkruan kritiku Richard Eder.

Romani Trashëgimtari del për shitje në Amerikë në muajin shkurt. Libri është përkthyer nga David Bellos. Shtëpia botuese Arcade që po nxjerr Trashëgimtarin ka në proces botimi edhe romanin tjetër të Kaderesë Vajza e Agamemnonit. Ismail Kadare është fituesi i parë çmimit prestigjioz ndërkombëtar Man Booker, që për herë të parë filloi të jepej këtë vit edhe për shkrimtarë të tjerë veç atyre të vendeve anglishfolëse.

XS
SM
MD
LG