Lidhje

Takim Solana-Berisha në Bruksel


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtëme, Havier Solana, në një takim që pati sot në Bruksel me kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha i bëri thirrje qeverisë që të vazhdojë ta përqendrojë vemendjen fort te reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Ai i bëri gjithashtu thirrje zotit Berisha që të përpiqet për krijimin e një atmosfere pune pa dallime partiake. Zoti Solana tha se për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes së asocim-stabilizimit, qeveria shqiptare duhet të garantojë përparim në zbatimin e reformave. Zoti Solana i theksoi kryeministrit Berisha rëndësinë që angazhimi i qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të shndërrohet në veprime të fuqishme duke iu përmbajtur me rigorizitet ligjit. Përparimi i Shqipërisë, tha ai, do të gjykohet nga përparimi i arritur në terren.

Zoti Berisha i kërkoi zotit Solana ndihmën e Bashkimit Evropian për të përballuar problemet energjitike të vendit. Duke folur për Kosovën, zoti Solana i bëri thirrje kryeministrit Berisha që Shqipëria të vazhdojë rolin e saj të moderuar në rajon dhe të mbështesë plotësisht punën e të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Zoti Berisha tha se ka rëndësi që Prishtina dhe Beogradi të dialogojnë per te hapur nje kapitull te ri bashkepunimi.

XS
SM
MD
LG