Lidhje

Tiranë: Përfundon konferenca e vendeve të koalicionit të angazhuar në Irak


Në Tiranë përfundoi sot konferenca e vendeve anëtare të koalicionit të angazhuar në Irak. Konferenca e organizuar nga komanda qendrore e Shteteve të Bashkuara mori në shqyrtim situatën dhe diskutoi rreth planeve të ardhshme të koalicionit, për të cilat u paraqitën disa kërkesa. Vendet anëtare të përfaqësuara vetëm në nivel ushtarak u zotuan që t’i përcjellin informacionet qeverive të tyre të cilat më pas do të vendosin.

Komandanti i forcës shumëkombëshe në Irak gjenerali amerikan George Casey u shpreh se puna e partnerëve të koalicionit dhe qeverisë së përkohshme irakene nuk ka përfunduar ende.

Drejtues dhe oficerë të lartë të ushtrive të 34 vendeve nga e gjithë bota, të angazhuara në koalicionin ndërkombëtar në Irak mbyllën sot pas dy ditësh, takimin e tyre të dytë vjetor të mbajtur në Tiranë.

Nën masa të rrepta sigurie në një nga hotelet kryesore të kryeqytetit shqiptar, i marrë në mbrojtje nga trupat komando të ushtrisë shqiptare por dhe nga agjentë të shërbimeve sekrete, u diskutua rreth situatës në Irak, mbi sfidat e sigurise qe gjenden perballe këtij vendi, u shyrtua statusi i forcave irakene te sigurise, u shkëmbye informacion, si dhe u hodhën planet dhe kërkesat për të ardhmen. Konferenca u organizua nga komanda qendrore e Shteteve të Bashkuara dhe në të mori pjesë drejtuesi i kësaj komande, gjenerali John Abizaid si dhe komandanti i trupave shumëkombëshe në Irak gjenerali amerikan George Casey.

Gjenerali Casey u shpreh gjatë konferencës se “ritmi nga zgjedhjet e janarit dhe referendumit të suksesshëm kushtetues është i jashtëzakonshëm dhe i pakthyeshëm. Megjithatë gjenerali Casey ka lënë të kuptohet qartë se nuk mund të bëhet fjalë për një mision të mbyllur. “Puna e partnerëve të Forcës Shumë-Kombëshe dhe Qeverisë së Përkohshme Irakene nuk është e përfunduar – ka deklaruar Casey - Një përkushtim i vazhduar i Koalicionit në Irak është thelbësor për ta ruajtur dhe zgjeruar këtë sukses”, është shprehur ai.

Në konferencë janë paraqitur dhe planet dhe kërkesat për të ardhmen e misionit në Irak. Vendet anëtare, për shkak të përfaqësimit vetem në nivel ushtarak nuk kanë dhënë asnjë përgjigje, por janë angazhuar të përcjellin informacionin qeverive të tyre të cilat më pas do të duhet të vendosin. Të dy gjerealët e lartë amerikanë, Abizaid dhe Casey u shprehën në fillim të konferencës për rolin gjithnjë e më të madh që do të duhet të luajnë forcat e sigurisë irakene apo dhe ato afgane në vendin e tyre.

Pikërisht për shkak të këtyre vlerësimeve, Shqipëria, sipas asaj që deklaroi presidenti Alfred Moisiu, nuk do të ketë shtim të trupave shqiptare në Irak. Atje, veprojnë aktualisht 120 komando të cilat janë angazhuar në patrullimet për garantimin e sigurisë në aeroportin e Mosulit.

XS
SM
MD
LG