Lidhje

Berisha: BE ka vullnetin e plotë për të nënshkruar pranverën e ardhshme Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit

  • Laura Konda

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ishte për një vizitë në Bruksel, ku u takua me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, mes tyre Shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit, Havier Solana, me Presidentin e Komisionti Evropian Joze Manuel Barroso dhe Sekretarin e Pergjithshem të NATO-s Jaap de Hop Scheffer. Para nisjes së tij për në Shqipëri, Zëri i Amerikës zhvilloi një intervistë telefonike nga Brukseli me kryeministrin shqiptar.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, pas takimeve me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian gjatë vizitës suaj në Bruksel, sa të vështirë e shikoni procesin deri në firmosjen e marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit dhe çfarë hapash duhet të marrë qeveria për realizimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian?

Kryeministër Sali Berisha: Në Bruksel unë erdha pas 80 ditë qeverisjeje. Unë pata kënaqësinë se ju paraqita bashkëbiseduesve të mi të rëndësishëm të gjitha vendimet dhe arritjet e këtyre 80 ditëve dhe në tërësi programin e qeverisë sime, të cilën unë e konsideroj si një “road map” të vërtetë për integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Çfarë konstatova unë nga këto bisedime? Një vlerësim të rëndësishëm për arritjet fillestare të qeverisjes; që të vazhdohet ky drejtim, se ky është drejtimi i duhur, të thellohen dhe konsolidohen reformat e nisura. Unë nga zoti Barroso, nga zoti Solana, mora garanci të plotë se Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian kanë vullnetin e plotë për të nënshkruar pranverën e ardhshme Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit. Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s më siguroi se Aleanca është e hapur për Shqipërinë, por ajo bazohet në performancë dhe unë pata kënaqësi se edhe në ekspozenë që bëra në Këshillin e Ambasadorëve i njoha ata me vendimet paraprake, të cilat ishin: nxjerrja tërësisht e administratës dhe të qeverisë jashtë konfliktit të interesit, shkurtimi drastik i shpenzimeve abuzive dhe rritja me këtë shkurtim e rrogave buxhetore me 20 për qind. Angazhimi serioz dhe miratimi i ligjit për kompensimin e ish-pronarëve, së bashku me luftën serioze kundër krimit të organizuar dhe grupeve të trafikantëve, kanë patur një vlerësim të mirë dhe janë çmuar nga bashkëbiseduesit e mi. Natyrisht, është në duart e qeverisë shqiptare që të vazhdojë reformat dhe të mos lejojë që ato të mbeten reforma në letër.

Zëri i Amerikës: Zoti Solana vleresoi dje përkushtimin e qeverisë suaj ndaj korrupsionit, që ju e keni cilësuar edhe si një përparësi të saj. Si po ecet konkretisht në dy drejtimet, atë të sjelljes para drejtësisë të individëve të korruptuar dhe atë të masave institucionale që do të çonin në pakësimin e korrupsionit?

Kryeministër Sali Berisha: Unë ju kisha deklarar shqiptarëve se luftën kundër korrupsionit do ta filloj nga vetja ime, nga zyra ime dhe e bashkëpunëtoëve të mi. Në këtë aspekt, une mendoj se zëvendësimi i praktikave korruptive, abuzive me taktika të drejta, tranparente dhe ligjore ka patur një progres të rëndësihëm, qenësor dhe do të vazhdojë. Natyrisht, dua të theksoj sërish se korrupsioni ka dhe autorët dhe dosjet e veta dhe dua të siguroj opinonin se do të proçedohet edhe me ato. Natyrisht, drejtësia në Shqipëri është e pavarur, por detyra e ekzekutivit është t’i paraqesë dosjet para drejtësisë për gjykim. Dua t’i siguroj dëgjuesit se qeveria është e vendosur dhe po punon intensivisht edhe në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Zoti Solana ka përmendur në takimin e djeshëm edhe çështjen e krijimit të një atmosfere pune pa dallime partiake. A ju shqetësojnë kritikat e opozitës se gjatë ristrukturimit të insitucioneve po bëhen ndryshime mbi bazën e bindjeve politike, duke shkelur ligjin për shërbimin civil?

Kryeministër Sali Berisha: Në këtë aspekt unë mund t’ju siguroj se ëdhtë e tëra pa baza, pasi të gjithë punonjësit që janë larguar, janë larguar mbi bazën e kritereve ligjore. Unë u kam deklaruar shqiptarëve se do të ketë një qeveri të vogël, efiçente dhe do të jetë ridimensionimi i adminsitratës në përputhje me përmasat e vendit. Ky ka qenë një vendim i imi dhe nuk ka të bëjë me asnjë tendencë politike, përkundrazi, do të thoja se fryrja e administratës jashtë çdo lloj përmase ka qenë politike, ndërsa zvogëlimi i saj në përmasat që duhet të ketë një administratë, është një detyrë e qeverisë që unë drejtoj. Dhe unë mund t’ju siguroj se nuk ka patur asnjë lloj objeksioni dhe vërejtjeje për të gjithë këtp përpekje tona për reforma të thella në administratë dhe në të gjitha fushat. Vetëm mbështetje ka patur.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, çfarë diskutuat për Kosovën me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s?

Kryeministër Sali Berisha: Për Kosovën unë shpreha pikëpamjet e qeverisë që unë kryesoj, që ne insisitojmë për respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të serbëve në Kosovë, zbatimin e decentralizimit, dialogun Prishtinë-Beograd, sikundër mendojmë se nuk është realiste që të pritet që të arrihet kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës për statusin, por ata mund të dialogojnë për të gjitha gjërat e tjera. Lidhur me statusin, qëndrimi ynë është se ai duhet të përcaktohet në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që në mënyrë të përsëritur është shprehur për pavarësi dhe kjo në bashkëpunim me Grupin e Kontaktit dhe komunitetin ndëkorkombëtar. Mund t’ju them se në tërësi unë kam gjetur një vlerësim serioz për qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj çështjes së Kosovës dhe qëndrimeve në Ballkan, veç qndrime pozitive. Kemi rënë dakord që të vazhdojmë bashkëpunimin. Natyrisht, Shqipëria mund të ndihmojë në disa drejtime, por ajo nuk është një aktore direkte, pasi aktori direkt është lidershipi i Kosovës dhe Grupi i Kontaktit.

XS
SM
MD
LG