Lidhje

Presidenti Bush: Shtetet e Bashkuara kanë një sfidë dhe detyrë për të luftuar Sidën


Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara kanë një sfidë dhe detyrë për të luftuar sidën si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfson, njofton nga Shtëpia e Bardhë se në Ditën Botërore të sidës presidenti Bush riafirmoi vendosmërinë e Amerikës për të luftuar këtë sëmundje.

Presidenti thotë se Shtetet e Bashkuara po bëjnë një ndryshim të madh në luftën globale kundër SIDËS, dhe do të vazhdojnë të mbështesin vendet që kanë nevojë.

"Besoj se Amerika ka një mundësi të pashembullt, dhe një thirrje të veçantë për të luftuar sëmundjen. Ne jemi të bekuar me njohuritë shkencore. Jemi një vend bujar që gjithmonë ka ndihmuar të varfërit dhe ka liruar të kapurit si dhe është kujdesur për të sëmurët."-tha Presidenti.

Në një takim të posaçëm në Shtëpinë e Bardhë me rastin e ditës së SIDËS, zoti Bush tha se sëmundja ka prekur keq vendet më të varfëra të botës. Rreth 90 përqind e 40 milion të infektuarve me SIDË jetojnë në vendet në zhvillim, dhe ata përballen me sfidën më të madhe, tha presidenti. Ai foli për kurajon dhe vendosmërinë që këto vende kanë treguar, duke përmendur në veçanti Ugandën, Botswanën, Kenian dhe Namibinë.

"Këto vende, dhe shumë të tjera po luftojnë për jetët e shtetasve të tyre...dhe Amerika është tani partneri i tyre më i fuqishëm në këtë luftë... ne ndihemi krenarë për këtë", tha Presidenti.

Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë në dy mënyra; përmes kontributeve në Fondin Global për luftimin e SIDËS dhe përmes Planit Emergjent për Lehtësimin e SIDËS. Synimi i planit është dhurimi i 1,5 miliard dollarëve në pesë vjet për të ndihmuar në parandalimin e SIDËS, trajtimin dhe programet në 15 vendet më të goditur nga sëmundja. Ai tha se në dy vjetët e përpjekjeve jashtë vendit, plani ka dhënë rezultate të fuqishme.

"Para Planit Emergjent për Lehtësimin e SIDËS, vetëm 50 mijë njerëz, nga katër milionë në nevojë të menjëhershme për trajtim në Afrikën nënsahariane, ishin në gjendje që të merrnin ilaçe. Pra vetëm 50 mijë njerëz."

Pas dy vitesh përpjekjesh, afërsisht 400 mijë njerëz nga ai rajon po marrin kurat e nevojshme. Presidenti Bush premtoi shtimin e përpjekjeve në të ardhmen për kanalizimin e fondeve në programet e drejtuara nga komunitetet dhe ato të organizuara nga kishat dhe instuticionet e tjera fetare. Ai tha se synimi është shpëtimi i sa më shumë jetëve.

"Ne po bëjmë përparime të dukshme dhe kjo nuk do të ishte e mundshme pa devotshmërinë dhe profesionalizmin e partnerëve tanë; udhëheqësit kurajozë të vendeve afrikane të cilët kujdesen për popujt e tyre dhe që tregojnë të vërtetën; mjekët dhe farmacistët që punojnë pa pushim në kampet e mbipopulluara; punonjësit e shëndetit, shpesh të infektuar edhe vetë, të cilët vizitojnë shtëpitë dhe garantojnë që njerëzit do t’i marrin ilaçet; njerëzit që drejtojnë grupet dhe klubet e të rinjve që mbështesin lënien e alkooholit dhe shprehen kundër mardhënieve seksuale pa kontraceptivë si dhe ndihmojnë fëmijët me SIDË të përballen me sfidat e jetës."

Së bashku me presidentin në podium ndodheshin edhe katër të ftuar të cilët kishin ardhur nga larg për të marrë pjesë në këtë takim; një nënë bashkë me fëmijët e saj nga Afrika e Jugut e infektuar me SIDË dhe një mjek nga klinika e tyre. Presidenti i quajti ata një shembull të fuqishëm të kurajos.

XS
SM
MD
LG