Lidhje

Vendimi ndaj Limajt dhe Musliut - përfundim i një procesi të rregullt ligjor pa ngjyrime politike


Vendimi i Gjykatës së Hagës për të liruar si të pafajshëm dy ish-luftëtarët e UÇK-së, Fatmir Limaj dhe Isak Musliu po komentohet nga shtypi në Kosovë si tregues se veprimet e UÇK-së ishin një luftë çlirimtare, dhe jo krime lufte. Por analisti i çështjeve të drejtësisë ndërkombëtare dhe ish-këshilltar i Gjykatës së Hagës, Edgar Çen e shikon vendimin mbi të gjitha si një kurorëzim i një procesi të rregullt gjyqësor që nuk duhet shoqëruar me tone politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Çen, zhvillimi kryesore ku do të donim të ndaleshim është shpallja e pafajësisë për Fatmir Limajn dhe Isak Musliun në Hagë. Si e gjykoni ju këtë vendim?

Edgar Çen: Mendoj se duhet ta shohim vendimin dhe gjithë procesin gjyqësor ndaj tre ish-anëtarëve të UCK-së si një proces që kishte të bënte me provat ekzistuese dhe aftësinë e palës akuzuese për të provuar akuzat. Nëse errësojmë çështjen me motivacione politike harrojmë thelbin e procesit. Të gjitha akt-paditë i nënshtrohen një analize të hollësishme ligjore para se të paraqiten. Këto aktpadi konfirmohen nga një gjykatës i Hagës për të provuar se janë të justifikueshme për t’u paraqitur në gjyq. Pra kriteri numër një është që prokuroria të ketë prova se këto krime janë kryer. Pra, ka arsye të besohet se këto akte janë kryer në realitet. Procesi vetë përqëndrohet në fajësinë e secilit prej këtyre individëve lidhur me këto akte: pra a ishin ata përgjegjës, dhe nëse këto krime u kryen, a vepruan të pandehurit me paramendim?

Zëri i Amerikës: A mendoni se ky vendim i gjykatës do të ndikojë në rritjen e mbështjetjes së shqiptarëve ndaj Gjykatës së Hagës, duke e parë atë si më të paanshme dhe jo si një institucion me motivacion politik?

Edgar Çen: Mendoj se këto pyetje nuk gjejnë përgjigje përnjëherësh. Mendoj se është një proces i vështirë. Në mënyrë që të arrish në përfundimin se ky është një proces i paanshëm, i mbështetur në fakte, duhet të ndjekësh gjyqet çdo ditë, të njihesh me provat dhe të nxjerrësh vetë përfundime. Pala akuzuese paraqiti prova të shumta dhe solli një numër dëshmitarësh për të provuar fajësinë e të akuzuarve dhe pala mbrojtëse u kundërpërgjigj. Këtë duhet të shohim. Nëse nuk i ndjek punimet e gjykatës, humbet këndvështrimin objektiv se ky është një proces dhe jo thjesht një vendim: i pafajshëm apo fajtor.

Zëri i Amerikës: Komuniteti ndërkombëtar thekson rëndësinë që rajoni të futet në rrugën e ripajtimit etnik. A mendoni se proceset gjyqësore në Hagë janë një faktor pengues këtë proces të ripajtimit?

Edgar Çen: Shpresoj që jo, pasi dua ta përsëris se përgjegjësia panale bie mbi individët dhe jo mbi grupe etnike. Gjykata mund të kishte ngritur fare lehtë aktpadi ndaj mijëra vetëve në rajonin e ish-Jugosllavisë. Gjykata ka pasur detyrën e vështirë ta ngushtonte objektivin duke u përqëndruar në individët mbi të cilët bie përgjegjësia kryesore për krimet më të rënda. Të gjitha aktpaditë bazohen në disa pretendime, vërtetësia e të cilave provohet në gjyq. Por aktpaditë janë ngritur ndaj individëve dhe jo ndaj grupeve etnike.

Zëri i Amerikës: Mendoni që do të ishte më e vlefshme për rajonin që këto procese të zhvilloheshin në vendet përkatëse, për t’u dhënë mundësi popujve të ballafaqoheshin me provat dhe krimet e së kaluarës?

Edgar Çen: Organizata që unë përfaqësoj mbështet idenë e mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë, megjithatë ne do të dëshironim që drejtësia të çohet në vend sa më pranë viktimave dhe vendeve ku ndodhën këto akte. Kjo do të ishte një zgjidhje ideale. Por në kohën kur u krijua Gjykata e Hagës ishte e pamundur të realizoheshin gjykime të paanshme në Jugosllavi. Tani kanë kaluar 10 vjet dhe Gjykata ka filluar të rikthejë disa procese në rajon. Një ndër të metat e Gjykatës së Hagës është se nuk ka arritur të vendosë lidhje të mira me rajonin. Por kemi ndjekur në Serbi gjykimin e disa të akuzuarve serbë për krime lufte në Kosovë. Veprimtarët për të drejtat e njeriut në Serbi e shohin këtë proces si shumë të rëndësishëm, jo thjesht për viktimat, por edhe për vetë popullsinë serbe për t’u ballafaquar me krimet që u kryen në emër të saj.

Zëri i Amerikës: A ka gjasa që gjykime të tilla të shqiptarëve të akuzuar nga Haga të zhvillohen në Kosovë në të ardhmen?

Edgar Çen: Gjykatat e UNMIK-ut në Kosovë janë një institucion ndërkombëtar për drejtësinë, gjë që u jep një farë avantazhi krahasuar me proceset në Beograd apo Kroaci, pasi si rrjedhojë e pranisë ndërkombëtare do të jenë të paktë ata që do t’i shohin këto procese si të njëanshme me motivacion etnik, apo si drejtësia e fitimtarit. Por një ndër arsyet përse këto çështje nuk gjykohen në Kosovë është problemi i sigurisë së dëshmitarëve, pasi klima në Kosovë ka qenë shumë e rrezikshme për dëshmitarët e mundshëm. Prandaj për Gjykatën, gjykatësit dhe prokurorët, situata shihet si shumë e rrezikshme për zhvillimin e gjyqeve.

Zëri i Amerikës: Të përqëndrohemi pak tek gjyqi i Millosheviçit dhe kërkesa e gjykatësve për ta ndarë procesin në dy gjykime të veçanta: një lidhur me krimet në Kosovë dhe një tjetër lidhur me Bosnjen dhe Kroacinë? Si do ta ndryshonte një veprim i tillë procesin?

Edgar Çen: Rezultati më i dukshëm do të ishte arritja e një vendimi gjyqësor. Pra një pjesë e procesit do të merrte fund. Do të merrej një vendim, do të kishte dokumentacion të punimeve që u zhvilluan. Nga ana e mbrojtjes, do të kishte fare pak ndryshime. Vetë gjykata e ka bërë këtë ndarje në akuzat e veçanta që ngriti ndaj Millosheviçit lidhur me Kosovën dhe ato që ndodhën në Kroaci dhe Bosnje. Duhet të ndajmë veçmas komponentin politik nga përgjegjësia individuale e Millosheviçit. 66 akuzat kundër tij lidhen me politikat që vunë në zbatim ai dhe qeveria e tij, por këtu bëhet fjalë për akuza të një fajësie individuale. Dua të theksoj se nuk ka ndonjë motivacion politik në këto zhvillime. Kërkesa për ta ndarë procesin ndaj Millosheviçit është bërë edhe më parë. Millosheviçi përfundon së shpejti paraqitjen e argumentave ndaj akuzave lidhur me Kosovës. Më pas ai do të përqëndrohet te Bosnja dhe do të kërkojë zgjatjen e procesit dhe do ta zvarrisë procesin siç ka bërë deri tani. Gjykatësit e kanë kuptuar tashmë se nëse nuk marrin një vendim së shpejti, ka të ngjarë që të mos merret dot kurrë një vendim.

XS
SM
MD
LG