Lidhje

Limaj: Populli i Kosovës na besoi se jemi të pafajshëm


Fatmir Limaj dhe Isak Musliu, të liruar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e cila i shpalli dje të pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria e kësaj gjykate, mbrritën sot pasdite vonë në Prishtinë, të pritur nga mijëra qytetarë që brohorisnin emrin e Fatmir Limajt.

Mijëra qytetarë i pritën ata edhe në Prishtinë, duke i shoqëruar që nga aeroporti i Prishtinës, duke shprehur kënaqësinë për ata që qytetarët e Kosovës e kanë konsideruar triumph të drejtësisë.

Zoti Limaj, u kërkoi qytetarëve që e prisnin, që të punojnë për ndërtimin e Kosovës demokratike së bashku me të tjerët. Zoti Limaj kërkoi që në Kosovë të ndërtohet një Shoqëri demokratike, në të cilën çdo qytetar do të jetë i lirë dhe i barabartë para ligjit. Zoti Limaj kërkoi gjithashtu unitet në këto momente kaq të rëndësishme për Kosovën, duke u kërkuar qytetarëve që të mos lejojnë përçarje në momentet më të punohet për ndërtimin e realitetit të ri në Kosovë dhe që shteti i Kosovës, siç u shpreh ai, të ndërtohet së bashku me të tjerët. “Populli i Kosovës na besoi se jemi të pafajshëm, këtë e vërtetoi edhe drejtësia ndërkombëtare”, u shpreh Fatmir Limaj, duke theksuar se liria e tij dhe e Isak Musliut është fitore e popullit të Kosovës.

Autoritetet më të larta vendore të Kosovë, partitë politike dhe qytetarët e Kosovës, përshëndetën vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës për shpalljen të pafajshëm dhe lirimin e Fatmir Limajt dhe Isak Musliut ndërkohë që theksuan se beteja ligjore e Haradin Balajt, nuk ka përfunduar. Serbët e Kosovës shprehën pakënaqësinë e tyre për këtë vendim të Gykatës. Limaj, Musliu dhe Balaj kanë kaluar 33 muaj në qendrën e paraburgimit të Sheveningenit në Hagë. Gjykata e Hagës nuk parashikon kompensim për vitet e kaluara në paraburgim në rastet kur të akuzuarit shpallen të pafajshëm.

XS
SM
MD
LG