Lidhje

1 dhjetori - Dita Ndërkombëtare e SIDË-s 


1 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e SIDË-s. Kjo epidemi ka prekur të gjitha kontinentet dhe vendet e botës. Më tepër se 40 milionë njerëz në botë janë të infektuar me virusin HIV që shkakton SIDË-n, ose me vetë sëmundjen. Këtë vit pati 5 milionë raste të reja të infeksionit dhe më tepër se gjysma e tyre ishin në Afrikën Nën-Sahariane dhe më tepër se gjysma, mes të rinjve.

18 vjet më parë, ministritë e shëndetësisë të botës vendosën se nevojitet një përpjekje në shkallë botërore për ndalimin e përhapjes së SIDË-s, nga e cila kanë vdekur të paktën 25 milionë njerëz. Epidemia ka ndikuar në jetën e shumë e shumë të tjerëve. 15 milionë fëmijë kanë mbetur jetimë për shkak të SIDË-s. Një prej tyre është Carol Mackay:

" Isha 9 vjeç kur mësova se babai im ishte infektuar me virusin HIV."-thote Karol.

Ajo i tregoi Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se në moshën 9 vjeçare filloi të kujdesej për babain e saj të sëmurë

"Babai nuk ishte në gjendje të punonte, prandaj shpesh nuk i blenim dot ilaçet. Unë nuk kisha para për të blerë mjetet e shkollës dhe shpeshherë nuk mund të blija as ushqime."- thote ajo.

Njohuritë mbi sëmundjen, metodat dhe ilaçet për ta mbajtur atë nën kontroll, u shkojnë me vonesë miliona të infektuarve dhe familjeve të tyre. Por doktor Anthony Fauci, specialist për SIDË-n në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara, thotë se gjatë 18 vjetëve të fundit, vendet e ndryshme të botës e dinë tashmë se si transmetohet virusi, si diagnostikohet sëmundja dhe si mund të ruhen rezervat e gjakut dhe një numër i madh jetësh që janë shpëtuar nga ilaçet kundër virusit.

" Çështja kryesore që nuk është zgjidhur ende, është ajo e vaksinës dhe ky është problemi ynë kryesor," -thotë ai.

Doktor Fauci thotë se aktualisht janë vënë në dispozicion të të varfërve një numër më i madh ilaçes anti-virale, sidomos për ata nga vendet në zhvillim.

" Nga asgjëja sot kemi një numër të konsiderueshëm njerëzish, ndonëse jo numrin e nevojshëm, që po mjekohen me ilaçe anti-virale, pra po shkojmë në drejtimin e duhur."-thote mjeku.

Epiqendra e sëmundjes vazhdon të jetë Afrika nën-Sahariane, ku jetojnë dy të tretat e të infektuarve me virusin HIV dhe SIDË-n. Por epidemia vazhdon të shtohet dhe tani ajo po përhapet me ritme alarmuese edhe në rajone të tjera, thotë Piter Piot, Drejtor i Agjencisë së OKB-së për Sidën.

" Rritja më e madhe është në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore, në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, ku numri i të infektuarve me virusin HIV është rritur 20 herë në më tepër se 10 vjet. Në vendet ku flitet për përdorim të prezervativëve dhe për seksin e me masa sigurie, është zvogëluar numri i infeksioneve të reja.. Gjithashtu, në vendet ku ka programe edukative për trajtimin e SIDË-s, sëmundja nuk shihet si një damkë."

Doktor Fauci thotë se virusi HIV dhe SIDA përsëri përbëjnë një sfidë për shëndetin publik.

" Dhe e gjithë kjo përpjekje nuk po shkon tërësisht në drejtimin e duhur. Ka disa rajone dhe vende të botës që kanë bërë përmirësime në këtë drejtim gjatë vitit të shkuar, por shumica e tyre ndodhen në një gjendje të mjerueshme"- thote mjeku.

. ... Dhe fakti më i pashmangshëm është se një numër përherë e më i madh njerëzish janë të infektuar me virusin HIV dhe se viktimat e SIDË-s vazhdojnë të vdesin.

XS
SM
MD
LG