Lidhje

Kryeministrat e Italisë dhe Spanjës bisedojnë për imigracionin dhe buxhetin e BE-së


Bisedimet e djeshme në Romë midis kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, dhe homologut të tij spanjoll, Hoze Luis Rodriguez Zapatero, u përqendruan te çështjet e imigracionit dhe buxheti i Bashkimit Evropian.

Italia dhe Spanja kanë shqetësime të përbashkëta për sa i përket imigracionit të paligjshëm. Çdo vit, mijëra imigrantë të paligjshëm arrijnë brigjet e të dyja vendeve. Nuk është e papritur që kjo çështje mbizotëroi bisedimet e Romës midis dy kryeministrave.

Vendet e tyre u kanë bërë thirrje vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian të arrijnë një qendrim të përbashkët ndaj imigracionin. Dy kryeministrat ngulin këmbë se problemi i imigracionit nuk prek vetëm vendet përreth Mesdheut.

Kryeministri Zapatero tha se politika e imigracionit është problemi më i madh, me të cilën Bashkimi Evropian do të përballet gjatë viteve të ardhshëm. Zoti Berluskoni u pajtua me homologun e tij spanjoll:

“Ne, tha kryeministri italian, duhet t’i japim përparësi këtij problemi. Për të ardhmen e afërt, shtoi ai, ne ramë dakord që kontrolli kufitar duhet të jetë përgjegjësi evropiane. Italia dhe Spanja përdorën shpesh vetëm si vende kalimi për shkak se shumë imigrantë të paligjshëm synojnë të vendosen në Evropën veriore.”

Të dy udhëheqësit diskutuan edhe rreth një marrëveshjeje për të patrulluar Mesdheun, për të cilën ata shpressojnë se do të nënshkruhet me Francën në janar. Mes të tjerash, marrëveshja do të forconte luftën kundër trafikut me qenie njerëzore, veprimtarive kriminale dhe torrorizmit.

Në një konferencë shtypi pas bisedimeve, të dy kryeministrat u pyetën që të tregonin qendrimet e tyre ndaj Irakut. Megjithëse ata kanë pikëpamje shumë të ndryshme rreth Irakut, ata arritën të gjejnë edhe pikëpamje të përbashkëta, duke u pajtuar për nevojën për një Irak të lirë, demokratik dhe të bashkuar.

Qeveria e Kryeministrit Zapatero i tërhoqi trupat spanjolle nga Iraku menjëherë pasi erdhi në pushtet, kurse qeveria italiane vazhdon të mbajë në Irak një forcë prej tri mijë trupash. Kryeministri italian theksoi se një tërheqje e menjëhershme e trupave italiane do të thotë që Iraku të dënohet me zhytjen në kaos dhe luftë civile.

Të dy udhëheqësit u pyetën të komentonin edhe rreth njoftimeve për burgje sekrete të Cias dhe fluturimeve të saj në Evropë në kuadër të luftës së Shteteve të Bashkuara kundër terrorit.

Gjyqësori spanjoll po heton pohimet se avionët e Cias kanë përdorur aeroprtet e Spanjës si baza për të transportuar persona të dyshuar si terroristë. Zoti Zapatero tha se deri tani nuk janë gjetur të dhëna rreth veprimeve të paligjshme të Cias. Ai shtoin se qeveria e tij do të jetë shumë vigjilente në përpjekjet kundër terrorizmit, por gjithmonë duke respektuar të drejtat themelore.

Në Itali, prokurorët në Milano kërkuan muajin e kaluar ekstradimin nga Shtetet e Bashkuara të 22 agjentëve të Cias të akuzuar për rrëmbimin e një kleriku egjiptian në atë qytet në vitin 2003. Por, zoti Berluskoni mohoi se ekzistonte ndonjë informacion për veprimtari të paligjshme nga ana e Cias në territorin italian.

XS
SM
MD
LG