Lidhje

Në shtetin amerikan të Karolinës së Veriut u krye dënimi i njëmijtë me vdekje


Të premten në shtetin e Karolinës së Veriut në Shtetet e Bashkuara u krye dënimi i njëmijtë me vdekje që nga viti 1976, kur u rivendos dënimi me vdekje. Kenneth Boyd mori të premten dënimin me një inxheksion vdekjeprurës, për vrasjen e gruas dhe vjehrrin në vitin 1988. Në Shtetet e Bashkuara ka disa vite që zhvillohet një debat lidhur me dënimin me vdekje dhe anketimet tregojnë se shumica e amerikanëve e mbështesin atë.

Në vitin 1977, Gary Gilmore, i dënuar nën akuzat për vrasje, u bë personi i parë që donohej me vdekje në Shtetet e Bashkuara pasi Gjykata e Lartë i dha fund një moratoriumi 10-vjeçar ndaj ekzekutimeve. Dënimi me vdekje ishte bllokuar për disa kohë, për shkak se gjykata vendosi se statutet e shteteve të veçanta për dënimin me vdekje ishin tepër arbitrare. Shumë shtete i rishkruan edhe një herë ligjet e tyre dhe sot, më tepër se 3 mijë e 400 të burgosur janë të pritje të ekzekutimve.

Por që nga viti 1973, 122 burgje nuk kanë pasur raste dënimi me vdekje, pas vënies në përdorim të analizave të ADN-së. Kundërshtarët e dënimit me vdekje argumentojnë se sistemi gjyqësor i Shteteve të Bashkuara bën edhe gabime dhe se disa të burgosur mund të jenë dënuar me vdekje për krime të cilat nuk i kanë kryer.

Susan Karamanian është studjuese e çështjeve ligjore në Universitetin George Washington.

“Kemi dëgjuar për vite të tëra për ngjarje të tmerrme rreth njerëzve ndaj të cilëve është zhvilluar proces gjyqësor dhe janë dënuar në bazë të një sistemi të padrejtë.”

Zonja Karamanian thotë se debati publik zhvillohej në këndvështrimin në se dënimi me vdekje do të shërbente si shkurajim. Por ajo shton se tani opinioni publik po ndryshon për të parë në se sistemi amerikan i drejtësisë është i aftë t’i mbrojë siç duhet nga ekzekutimi njerëzit e pafajshëm.

Një anketim i zhvilluar në muajin tetor arriti në përfundimin se rreth dy të tretat e amerikanëve vazhdojnë ta mbështesin dënimin me vdekje, në krahasim me 80 përqind në vitin 1994. Por kur të anketuarit iu kërkuar të zgjidhinin mes dënimit të përjetshëm pa të drejtë apelimi, mbështetja për dënimin me vdekje ra në 50 për qind.

Studjuesja Karamanian ia atribuon pjesërisht ndryshimin e opinionit publik amerikan një prirjeje, që filloi në vitet ’90, mes avokatëve shumë të kualifikuar që përfaqësojnë të burgosur të dënuar me vdekje dhe që ngrenë çështje që nuk janë trajtuar në të kaluarën.

"Kur kemi të bëjmë me avokatë të spikatur, anëtarë të Shoqatës Amerikane të Juristëve që angazhohen në këto çështje, së pari do të kemi një standart më të mirë përfaqësimi por në anën tjetër, çështja bëhet më e njohur për publikun", thotë studjuesja.

Për shembull, kohët e fundit, Guvernatori i Virginias, Mark Worner e bllokoi ekzekutimin e të pandehurit Robin Lovitt, i cili do të kishte qenë personi i njëmijtë i ekzekutuar në Shtetet e Bashkuara. Por një nga avokatët e zotit Lovitt ishte Keneth Starr, që drejtoi komisonin e posaçëm hetimor ndaj Presidentit Bill Clinton në vitet’90. Zoti Starr argumentoi në mënyrë të suksseshsme, se zoti Lovitt meritonte mëshirë, ngaqë një punonjës gjykate i Virginias, gabimisht kishte hedhur analizat e ADN-së së tij. Në vend që të ekzekutohej, zoti Lovitt po kryen dënimin me burgim të përjetshëm, për vrasje.

Analistët thonë se një tjetër faktor që ndikon në opinonin publik është kundërshtimi në rritje ndaj dënimit me vdekje nga besimtarë katolikë në Shtetet e Bashkuara. Në muajin nëntor, Konferenca Amerikane e Priftërinjve Katolikë miratoi me shumicë dërrmuese një deklaratë të re, që e kundërshtonte dënimin me vdekje. Në deklaratë, e cila është e para në 25 vjet nga ana e priftërinjve lidhur dënimin me vdekje, thuhej se “sanksioni i vdekjes shkel respektin për jetën dhe dinjitetin njerëzor”.

Megjithatë, avokatët e dënimit me vdekje argumentojnë se heqja e dënimit me vdekje do të dëmtonte viktimat e krimit. Michael Paranzino është kryetar i një organizate që mbron dënimet e rrepta të kriminelëve.

"Ideja se do të mbanim zi për vrasësin e njëmijtë që u dënua me vdekje kur kemi 600 mijë familje që nuk do ta harrojnë kurrë traumën, pikërisht këtu mendoj se duhet të përqëndrohet debati ynë - tek dëmi i përhershëm ndaj familjeve të tëra kur u vriten të dashurit e tyre", thotë zoti Paranzino.

Pavarësisht se si ndjehet publiku amerikan lidhur me dënimin me vdekje, statistikat e Qendrës së Informacionit për Dënimet me Vdekje në Washington tregojnë se dënimet me vdekje në shkallë kombëtare kanë rënë me 50 për qind që nga fundi i viteve ’90, ndërsa ekzekutimet e kryera kanë rënë me 40 për qind.

XS
SM
MD
LG