Lidhje

Strategjia amerikane për të garantuar kalimin e Irakut në demokraci


Më 30 nëntor Presidenti Xhorxh Bush parashtroi një strategji të përgjithshme për Shtetet e Bashkuara dhe vendet pjesëmarrëse në koalicion për të garantuar kalimin e Irakut në demokraci dhe mundjen e terroristëve. Kjo strategji përqendrohet në tri fusha kryesore: politike, ekonomike dhe atë të sigurimit.

“Në planin politik, e dimë se shoqëritë e lira janë paqësore. Kështu që ne po i ndihmojmë irakianët të ndërtojnë një shoqëri të lirë, me institucione demokratike gjithëpërfshirëse që do të mbronin interesat e të gjithë irakianëve. Po punojmë me irakianët për t’i ndihmuar që të angazhojnë ata irakianë, që mund të binden për t’u bashkuar me idenë e Irakut të ri dhe për të pakësuar në maksimum ata që nuk do të bindeshin kurrë. Në planin e sigurimit, forcat e koalicionit dhe ato irakiane janë në ofensivë kundër armikut, duke pastruar zonat e kontrolluara nga terroristët dhe besnikët e Sadamit, duke ua lënë forcave irakiane kontrollin e këtyre zonave dhe duke vazhduar me rindërtimin në fusha të përcaktuara për të ndihmuar irakianët që të rindërtojnë jetët e tyre. Edhe në planin ekonomik, ne po ndihmojmë irakianët të rindërtojnë infrastrukturën e tyre, të reformojnë ekonominë dhe të ndërtojnë begatinë, duke bërë që të gjithë irakianët të angazhohen në një Irak të lirë dhe paqesor”.

Zoti Bush thotë se themelore për këtë përpjekje është stërvitja e ushtrisë dhe forcave irakiane të sigurimit.

“Vjet në këtë kohë kishte vetëm disa batalione irakiane të stërvitura për luftë. Tani ka mbi 120 batalione luftarake të ushtrisë dhe policisë irakiane për të luftuar kundër terroristëve, dhe sejcili prej këtyre batalioneve ka nga 350 deri në 800 forca. Prej tyre, 80 batalione irakiane po luftojnë krahpërkrah forcave të koalicionit dhe rreth 40 të tjerë janë në krye të operacioneve luftarake. Shumë nga këto 40 batalione janë në kontroll të hapësirës së tyre luftarake, duke i zhvilluar vetë operacionet kundër terroristëve me pak mbështetje nga forcat e koalicionit. Ne po transferojmë nën kontrollin e forcave irakiane disa baza në funksionim. Nga shumë prej këtyre bazave, forcat irakiane të sigurimit po planifikojnë dhe kryejnë operacione kundër terroristëve dhe po vendosin sigurinë e sjellin krenarinë për popullin irakian”.

Më 15 dhjetor, irakianët do të votojnë për qeverinë e re, e cila do t’i drejtojë ata për katër vitet e ardhshme. “Me çdo votë të hedhur, tha Presidenti Bush, irakianët u dërgojnë një mesazh të qartë terroristëve: Irakianët nuk do të frikësohen. Irakianët do të vendosin mbi fatin e vendit të tyre”.

XS
SM
MD
LG