Lidhje

Gjermania përgatitet për finalet e Botërorit 2006


Shorti për përcaktimin e turit të parë të ndeshjeve për finalet e kampionatit botëror të futbollit vitin e ardhshëm në Gjermani do të hidhet të premten e ardhshme në Lajpcig, një nga të 12 qytetet ku do të luhen ndeshjet në qershor.

Ceremonia e hapjes së Finaleve të Kampionatit Botëror të Futbollit do të zhvillohet më 7 qershor në stadiumi olimpik i Berlinit apo Olimpiastadion. Është hera e parë që Federata Ndërkombëtare e Futbollit FIFA ka planifikuar një ceremoni kaq madhështore si siparin e finaleve.

Punonjësit e ndërtimit po punojnë jashtë stadiumit duke përgatitur mjediset për mijëra vizitorë që do të mbërrijnë në Gjermani për të ndjekur finalet dhe marrë pjesë në festime. Brenda, shihet qartë që stadiumi është rinovuar.

Ceremonia madhështore e hapjes do të zhvillohet në fushën e këtij stadiumi dhe data e saj u desh të zhvendosej nga 8 më 7 qershor. Zyrtari i finaleve për Berlinin, ish-lojtari i kombëtares, Mihael Prec, i tha Zërit të Amerikës se fusha ka nevojë për më shumë kohë. “Do të presim mijëra spektatorë për këtë mbrëmje madhështore në Berlin dhe fusha e pikërisht bari do të duan kohë për të marrë veten. Kjo është dhe arësyeja që ne kërkuam një ditë më tepër në mënyrë që ta kishim fushën në gjendje të mirë për ndeshjen e parë në Berlin”.

E para e 6 ndeshjeve të Berlinit do të zhvillohet më 13 qershor, ndërkohë që ndeshja e parë e finaleve do të luhet në këtë stadium në Mynih, që njihet si “anija kozmike” për shkak të formës së tij.

Shumë vizitorë do të mbërrijnë me tren dhe kryeqyteti Berlin do të ketë një stacion gjigand treni, i cili pritet të jetë plotësisht gati për Kupën Botërore. Gjatë finaleve që do të zgjasin rreth një muaj, stacioni pritet të presë e përcjellë një çerek milioni pasagjerë në ditë. Ingulf Lojshël është zyrtari i ngarkuar me oraret dhe infrastrukturën. “Do të fillojmë një orar krejtësisht të ri trenash për të gjithë Gjermaninë dhe veçanërisht gjatë finaleve do të kemi në përdorim trena shtesë. Nganjëherë do të përdorim trena me numër të dyfishuar vagonash”.

Stacioni do të përballojë fluksin e trenave ndërkombëtarë, vendas dhe të metrosë. Stacioni do të ketë gjithashtu një kompleks të madh zyrash, si dhe një autostradë të nëndheshme.

Për ata që do të udhëtojnë me makinë apo autobus, në rrugët pranë stadiumeve do të vendosen tabela të posaçme. I ngarkuari me trafikun gjatë finaleve, Jozef Zimons, tha për Zërin e Amerikës se, sapo të mbërrijnë, spektatorët do të ndjekin shenja me ngjyra të veçanta për të gjetur seksionin dhe vendin e tyre. “Të gjitha stadiumet janë të ndara në katër zona me ngjyra të ndryshme dhe çdo spektator ka një shenjë të posaçme në biletë. Për këto finale duam të vëmë në jetë një sistem udhërrëfyes trafiku që do të përdorë këto ngjyra”.

Në Frankfurt, puna vazhdon jashtë një stadiumi tjetër. Në të njëjtën kohë, ekipet praktikohen në një fushë pranë. Afër ndodhet komisioni gjerman i organizimit. Nënpresidenti i tij, Volfang Nirsbah, kalon një pjesë të mirë të kohës me telefonata dhe, siç tha për Zërin e Amerikës, duke u marrë me mijëra hollësi. “Jemi të kënaqur plotësisht. Mesazhi kryesor është pa dyshim se të 12 stadiumet do të jenë gati në kohë. Por ndërmjet edicionit të tanishëm të Bundesligës dhe finaleve të kampionatit botëror do të na duhet të bëjmë shumë në sejcilin prej stadiumeve, sidomos përsa i përket fushës. Objektivi ynë është të kemi fusha të reja gati për finalet dhe do ta arrijmë”.

Tani, sportdashësit po presim me ankth shortin e së premtes për të zbuluar se me cilin ekip do të luajë skuadra e tyre e zemrës, kur të fillojnë finalet e kampionatit botëror në qershor. //az//

XS
SM
MD
LG