Lidhje

Në prag të vizitës së serkretares Rajs në Evropë


Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice fillon javën e ardhshme një turne në Evropë, në kohën që në kontinent po zhvillohet një debt i ashpër politik lidhur me njoftimet se Shtetet e Bashkuara kanë ngritur burgje sekrete në disa vende të Evropës Lindore ku mbajnë terroristë të dyshuar. Materiali në vazhdim analizon akuzat dhe ndikimin që ato mund të kenë gjatë vizitës së Sekretares Rice në Evropë.

Sekretarja Rice diskutoi rreth njoftimeve për burgjet sekret amerikane të martën me ministrin e jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier që ishte për vizitë këtu në Uashingtonin.

Gjermania është një prej vendeve evropiane që i kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të sqarojnë njoftimet për burgje të tilla. Administrata e presidentit Bush nuk i ka konfirmuar por as mohuar njoftimet, por Shtetet e Bashkuara kanë premtuar t’u përgjigjen shqetësimeve evropiane: Këto janë sigurisht pyetje legjitime që shtrohen nga media dhe publiku dhe ne do të bëjmë ç'është e mundur për t’u përgjigjur.

Më 2 nëntor, gazeta Washington Post citoi zyrtarë të paidentifikuar amerikane dhe të huaj të thonë se CIA “i mban dhe i marrë në pyetje disa nga të kapurit më të rëndësishëm të al-Kaidës në një kompleks të epokës sovjetike në Evropën Lindore”.

Organizata Human Rights Watch, e ndoqi çështjen me hetimet e veta. Tom Malinowski është drejtori i grupit të saj në Washington: "Pamë iteneraret e fluturimeve të avionëve të përdorur nga CIA për të lëvizur të arrestuarit në mbarë botën dhe zbuluam dokumentacione të hollësishme që të çojnë në vende si Polonia dhe Rumania, si qendra të mundshme".

Presidenti polak Alexander Kwasniewski dhe kryeministri rumun Calin Tariceanu mohojnë ekzistencën e burgjeve sekrete të CIAs në vendet e tyre. Por organizata Human Righs Watch nxjerr dokumentet e fluturimit që tregojnë se CIA ka përdorur një avion Boing 737 në intenerarin nga Afganistani në Gjirin Guantanamo të Kubës që ka ndaluar papritur në Aeroportin Szymany në Poloninë Verilindore dhe në aerodromin ushtarak Mihail Kogalniceanu në Rumani më 22 shtator të vitit 2003.

Organizata ka grumbulluar gjithashtu një listë me 26 të ndaluar të dyshuar të mbajtur të izoluar nga CIA, përfshi Ramzi Binalshibh, i dyshuar për konspiracion në sulmet e 11 shtatorit. Human Rights Watch thotë se të ndalaur të tjerë dyshohen për përfshirje në krime serioze, si shpërthimet me bombë në ambasadën amerikane në Kenia dhe Tanzani dhe në një klub nate në Bali të Indonezisë.

Organe të ndryshme shtypi prej kohësh kanë njoftuar për transportim të të burgosurve në fluturime sekrete të CIA-s, përfshirë atë në një aeroport të vogël në rrethinat e Karolinës së Veriut.

Megjithatë James Carafano, ekspert i anti-terrorizmit në Fondacionin Heritage në Uashington thotë se dokumentacioni i fluturimeve dhe listat e të burgosurve nuk provojnë ekzistencën e burgjeve sekrete: "Këto akuza janë bërë edhe përpara. Ajo që shohim tani janë njerëz të besuar që dalin me informacione: përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuest të organizatave jo-qeveritare që thonë kemi dëgjuar mjaft histori të tilla dhe mendojmë se janë të besueshme. Kjo të nxjerr në përfundimin se në se një thashethem e dëgjon shpesh, atëhere ai duhet të jetë i vërtetë".

Midis zërave që qarkullojnë është një njoftim se një avion i CIAs me të burgosur ka kaluar në hapësirën ajrore të Austrisë në janar të 2003shit. Komandati i Forcës Ajrore austriake, gjeneral-majori Erich Wolf tha të mërkurën se avionë luftarakë austriakë e interceptuan fluturimin nga Frankfurti në Azerbaijan dhe nuk panë asgjë të dyshimtë. Gjithashtu të mërkurën komisioneri i drejtësisë i Bashkimit Evropian Franco Frattini tha se deri tani nuk ka asnjë provë për fluturime sekrete të CIAs apo burgje sekrete.

Megjithatë Tom Malinowski i organizatës Human Rights Watch thotë se dhënia e sqarimeve është në interesin e Shteteve të Bashkuara: “Autoriteti moral i Shteteve të Bashkuara buron nga fakti se ato mbrojnë parimet bazë të qeverisjes demokratike, të drejtat e njeriut dhe respektin për ligjin. Amerika ka nënshkruar traktate të shumta që i ndalojnë akte të tilla. Dhe për Shtetet e Bashkuara të predikojnë për vlera të tilla tek të tjerët, në një kohë që i shkelin vetë, është shumë e dëmshme për interesat e tyre.”

Sekretarja e Shtetit Condoliza Rajs do të synojë t’i çojë më tej interesat amerikane gjatë turneun që fillon të hënën me ndalesa në Gjermani, Rumani, Ukrianë dhe Belgjikë. James Carafano i Fondacionit Heritage thotë se debati i tanishëm në Evropë rreth burgjeve sekrete nuk duhet të mjegullojë aspektet e tjera të vizitës së zonjës Rajs. “Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po ecin në të njejtën drejtim përsa i përket terrorizmit. Të dyja palët e konsiderojnë terrorizmin një kërcënim global. Të dyja e kanë të qartë se dudhet të bashkëpunojnë kundër tij. Nuk besoj se debati i fundit do të jetë një pengesë e madhe për bashkëpunimin Amerikë-Evropë dhe aq më pas në bashkëpunimin kundër terrorizmit.”

Megjithatë zyrtarët e Bashkimit Evropian i shohin këto njoftime me seriozitet dhe kanë paralajmëruar se mund t’u heqin të drejtën e votimit vendeve anëtare në se kanë lejuar burgje të fshehta në territorin e tyre.

XS
SM
MD
LG