Lidhje

Kadare mes katër autorëve jo anglishtfolës, në listën e Nju Jork Tajmsit për 100 librat më të mirë  të vitit 2005


Shkrimtari Ismail Kadare, është një nga fare pak shkrimtarë të letërsisë së përkthyer në anglisht që përfshihet në listën e gazetës New York Times të 100 librave më të mire të vitit 2005. Vetëm katër libra gjithsej në listë ishin të autorëve të huaj, nga të cilët vetëm tre vepra të letërsisë artistike. Përkthyesi i Trashëgimtarit në anglisht, David Bellos, e quajti vlerësimin nga kritika dhe përfshirjen në listë të Kadaresë, një tregues se vepra e tij po rreshtohet tashmë mes atyre të shkrimtarëve të huaj të vlerësuar në Shtetet e Bashkuara.

Në listën me 100 librat më të mirë të vitit 2005 botuar në rubrikën e tij të veçantë të së djelës për librat, New York Times-i përfshinte 39 vepra të letërsisë artistike. Mes tyre përveç Trashëgimtarit të Ismail Kadaresë, vetëm dy të tjerë ishin shkruar nga autorë të huaj. Bëhet fjalë për romane të Gabriel Garsia Markesit dhe dhe japonezit Haruki Murakami.

Prof. David Bellos, që ka përkthyer Trashëgimtarin nga frëngjishtja, thotë se jo çdo vit ka libra të huaj në listën e 100 librave më të mirë të New York Times-it.

“Kështu unë do të thoja që ky është momenti i zbulimit të Kadaresë këtu dhe madje me vonesë”.

Brenda muajit të fundit Nju Jork Timesi ka botuar dy shkrime mbi librin Trashëgimtari që del për shitje në Amerikë në muajin shkurt. Po ashtu edhe gazeta të tjera si Los Angelos Times, Seattle Times dhe Philadelphia Inquirer kanë bërë analiza të librit. Ismail Kadare është fituesi i parë i çmimit prestigjioz Man Booker International.

“Mendoj që çmimi Man Booker që Kadare fitoi në qershor bëri që kritikët amerikanë t’i kthejnë sytë nga ai dhe emri i tij është tani shumë më i njohur, kështuqë për librin e ri ‘Trashëgimtari’ ka patur kritika të respektueshme në shumë gazeta të mëdha, gjë që ndoshta nuk do të kishte ndodhur, nëse ai nuk do të kishte fituar çmimin”, thotë zoti Bellos.

Ai thotë se vërtetë çmimi e bëri emrin e Kadaresë më të dëgjuar në botën anglisht-folëse, por shton se edhe vetë romani ishte i fuqishëm dhe dhe botuesit bënë të gjitha përpjekjet që të mos kalonte pa u vënë re.

“Mendoj se mund të thuhet që tani Kadareja ka hyrë në tregun amerikan të librit, ndërkohë që para një viti në këtë kohë, madje do të thoja për 40 vitet e fundit disa njerëz e njihnin veprën e Kadaresë këtu, por nuk kishte arritur dot një audiencë të gjerë”.

Autorët e huaj që kanë një audiencë të stabilizuar në Shtetet e Bashkuara janë të paktë, madje ata janë edhe më të paktë po të heqësh shrimtarët e mëdhenj të Amerikës së Jugut, të cilët janë shumë të njohur.

“Është një numër fare i vogël shkrimtarësh me peshën dhe cilësinë e letërsisë së Kadaresë, për të cilët do të kishte pasur kritika të tilla pozitive në mbi 5 gazeta kryesore amerikane”.

Prof. Bellos thotë se shpreson që tani të botohen dhe të ribotohen edhe libra të tjerë të Kadaresë dhe se përpjekjet në këtë drejtim kanë filluar.

“Diçka që do t’ia vlente të bëhej do të ishte që të ribotohej libri i mrekullueshëm ‘Kronikë në Gur’, sepse megjithëse është përkthyer dikur, tani duhet të ripunohet dhe të ribotohet sepse nuk është në treg për momentin”.

XS
SM
MD
LG