Lidhje

Kosovë: Paqeruajtësit e NATO-s thonë se gjendja e sigurisë në vend është e brishtë


Pas një numri incidentesh të ditëve të fundit, një granate të pashpërthyer në një autobus dhe plagosjes së një të riu serb në një fshat pranë Prishtinës, paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë e cilësuan sot gjendjen e sigurisë në vend, të brishtë.

Një zëdhënës i paqeruajtësve tha se gjendja e sigurisë është ende e qetë, por e brishtë dhe me mundësi për incidente që mund të shkaktohen nga ata që nuk duan një process paqësor në vend.

“Ne nuk shohim ndonjë ndryshim në gjendjen globale të sigurisë, disa incidente që mund të ndodhin bëhen nga njerëz që nuk duan process paqësor, janë të mundshme, por ju siguroj se KFOR-i është i gatshëm të përballet me këto lloj incidentesh, është i përgatitur të reagojë në mënyrë të vendosur kundër kësaj lloj dhune. Ne nuk do të tolerojmë asnjë lloj dhune. Misioni ynë është të sigurojmë mjedis të sigurtë për të gjithë popullin e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike”, i tha Zërit të Amerikës, zëdhënësi i paqeruajtësve koloneli Pio Sabeta.

Koloneli Sabeta theksoi se çdo lloj dhune do të parandalohet.

“Ne kemi besim se shumica e popullsisë dëshiron një process paqësor. Ne po marrim të gjitha masat e nevojshme për t'u siguruar se çdo lloj dhune do të parandalohet dhe do të reagohet ndaj çdo lloj dhune”, tha ai.

Zyrtarët më të lartë serbë thanë të shtunën se incidentet në rritje kundër serbëve të Kosovës, siç u shprehën ata, do të kenë pasoja serioze në bisedimet për statusin e Kosovës.

Presidenti serb Boris Tadic tha se incidentet ishin shumë shqetësuese për serbët në Kosovë ndërsa kryeministri serb Koshtunica kërkoi që t’i jepet fund dhunës kundër serbëve të Kosovës siç u shpreh ai.

Megjithë komentet e Beogradit, administrata ndërkombëtare në Kosovë ka thënë se gjendja në vend është e qëndrueshme. Pas incidentit të fundit, kur një granatë e cila nuk shpërtheu u hodh në një autobus në të cilin udhëtonin qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike, administrate urdhëroi forcimin e masave të sigurisë. Zyrtarët më të lartë ndërkombëtarë kanë fajësuar për incidentet individë dhe grupe të izoluara që dëshirojnë të pengojnë ecjen e Kosovës përpara.

XS
SM
MD
LG