Lidhje

Sëmundjet vdekjeprurëse dhe fëmijët; Ilaçet dhe kostoja e tyre


Sëmundjet vdekjeprurëse dhe fëmijët

Çdo vit në Shtetet e Bashkuara, rreth 12 mijë e 500 fëmijë diagnostikohen me kancer dhe rreth 2 mijë e 300 vdesin çdo vit nga kjo sëmundje. Këta fëmijë, për asrye të moshës janë nën kujdestarinë e prindërve, dhe shpesh nuk përfshihen në procesin e marrjes së vendimit për trajtimin mjekësor. Por shkencëtarët thonë se gjatë një studimit vunë re se edhe pacientët më të rinj 7 vjeçarë e kuptojnë gjendjen e tyre dhe janë të aftë të vendosin vetë në situata të tilla midis jetës dhe vdekjes.

Samantha Weber do të kishte shumë dëshirë të luante me shoqet e saj. Ato dalin shetitje me shokë e shoqe dhe kalojnë kohën duke bërë biseda të shumta rreth mesimeve e jetës. Por Samantha ndodhet e shtruar në spitalin Shën Jude në Memfis të shtetit Tenesi. Samantha trajtohet me kimoterapi. Kanceri i saj është përhapur nga kockat në mushkëri. Tani në moshën 13 vjeçare, Samantha e di se çfarë e pret. Ky mund të jetë viti i saj i fundit pranë familjes dhe çdo ditë jete, është ditë e fituar. Kjo do të thotë se Samantha është e vetëdijëshme se çfarë po ndodh me të.

Shumë prindër e mjekë besojnë se i mbrojnë fëmijët e sëmurë duke mos i përfshirë në procesin e marrjes së vendimit rreth mënyrës së trajtimit. Por shkencëtarët thonë se gjatë studimit vunë re se edhe fëmijët e kuptojnë gjendjen dhe janë të aftë të përballojnë marrjen e një vendimi te vështirë.

Pam Hinds është autore e studimit mes 20 fëmijëve me sëmundje vdekje prurëse të pashërueshme. Ajo thotë se nga studimi ata mësuan se fëmijët janë në gjendje të marrin pjesë në marrjen e vendimit përsa i përket terapisë.

Rei dhe Suzi Pearl thonë se djali i tyre, Kristofori, u tregua mjaft i fortë gjatë 6 vjetëve të luftës me kancerin. Këtë fotografi ata e bënë vjet, në krishtlindjet e fundit që Kristofori ishte gjallë.

Ai vdiq qershorin e kaluar dhe çdo vendim për trajtimin e tij e morri vetë, megjithëse ndonjëherë prindërit nuk ishin dakord. Për shembull, prindërit donin që ai të vazhdonte trajtimin me reze, por Kristofori nguli këmbë që jo, duke dashur t’i gëzohej ditëve të fundit të jetës. “Në vendime të tilla duhet përfshirë edhe fëmija, pasi është trupi i tij”, thonë këta prindër. Kristofori vendosi që ditët e fundit t’i kalonte duke u argëtuar në vend që t’i nënshtrohej trajtimit me reze. Prindërit thonë se Kristofori e kishte të qartë se vdekja po i afrohej, edhe prindërit e dinin një gjë të tillë, prandaj nuk ndërhynë kur djali i tyre vendosi të shkëputej nga trajtimi pak javë para vdekjes.

Doktoresha Pam Hinds thotë se gjatë studimit u vu re se këta fëmijë pa shpresë shërimi nuk i humbasin shpresat për asnjë çast. Për shembull, Samantha ka pranuar të marrë një ilaç eksperimental, megjithës e di se nuk ka shërim. Ajo thotë se bën këtë për të sëmurët e ardhshëm, ndoshta për ta do të gjindet një mjet shërimi.

Mjekja Lisa Anderson, thotë se lufta kundër sëmundjes është e ashpër dhe guximi i këtyre fëmijëve duket se tregon se sado e vështirë, jeta ka vend për gëzim dhe ndonjëherë ky gëzim vjen duke bërë diçka për të ndihmuar të tjerët.

Ilaçet dhe kostoja e tyre

Në raste sëmundjesh, kostoja e ilaçeve është një shqetësim jo i vogël, veçanërisht kur disa sëmundje kërkojnë përdorimin e ilaçeve çdo ditë gjatë gjithë jetës. Kohët e fundit disa firma të sigurimeve shëndetësore kanë filluar të ofrojnë ilaçe të ndryshme në formë tabletash të cilat përmbajnë dyfishin e dozës, por kanë të njëjtin çmimim.

Që kur njoftoi nismën për ndarjen e tabletave përgjysëm, kompania e sigurimimeve shëndetësore United Health ka marrë rreth 3 mijë telefonata nga klientët e saj që kërkojnë paisjen e posaçme për ndarjen e tabletave. Në se shumë pacientë veprojnë kështu, ndërmarrjet farmaceutike parashikohet të humbasin miliona dollarë. Këto firma thonë se ndarja apo prerja e tabletës nuk është e këshillueshme, por të tjerët thonë se duke prerë tabletat pacientët mund të kursejnë të holla.

Shoqata United Health thotë se pacientët kursejnë të holla në varësi nga ilaçi duke blerë tableta me doza të larta dhe duke i ndarë ato sipas nevojës.

Kostoja e ilaçit varet kryesisht nga kohëzgjatja e punës kërkimore për krijimin e tij dhe shumë ilaçe kushtojnë thuasje njësoj pavarësisht nga doza.Për shembull rreth ilacit Lipitor kundër kolesterinës, furnizimi për një muaj me tableta Lipitor 20 miligramëshe kushton 99 dollarë; Po aq kushton edhe sasia për një muaj me këtë lloj ilaçi me tableta 40 miligramëshe. Pra pacientit i intereson të blejë tableta 40 miligramëshe dhe t’i ndajë ato përgjysëm duke siguruar kështu ilaçe për 2 muaj.

E njëjta gjë ndodh edhe me rreth 15 ilaçe të tjera që mund të ndahen përgjysëm, siç janë valtreks, leksapro dhe zoloft. Por jo të gjitha ilaçet rekomandohet të ndahen në dy pjesë, prandaj pacientët duhet të kërkojnë më parë këshillën e farmacistit.

XS
SM
MD
LG