Lidhje

Solana: Zgjidhja e statusit të Kosovës - proces i gjatë dhe me sakrifica


Përfaqësuesi i lartë për siguri dhe politikë të jashtme i Bashkimit Evropian Havier Solana tha sot në Prishtinë se procesi i zgjidhjes së statusit politik do të jetë i gjatë dhe ai kërkon sakrifica të dhimbshme. Ai i bëri këto komente pas takimeve që zhvilloi me përfaqësuesit më të lartë ndërkombëtarë dhe vendas të cilëve u ka transmetuar qëndrimin se duhet punuar në dy kahe, në negocimin e statusit politik dhe njëkohësisht në përmbushjen e standardeve.

Duke shprehur bindjen se vendet e rajonit do të kenë ardhmëri evropiane, zoti Solana tha se një faqe e re e historisë së Kosovës po fillon dhe qytetarët e udhëheqësit e saj duhet të sillen në pajtim me standardet që janë të nevojshme për të shkruar kapitujt e ri të historisë. Ai tha se është shumë me rëndësi që të vazhdojë procesi i decentralizimit dhe ai i përmbushjes së standardeve duke nënvizuar se më këtë do të ndërtohet mirëbesimi ndërmjet qytetarëve, ndërmjet Kosovës dhe vendeve fqinje përfshirë edhe Serbinë si dhe besimi me bashkësinë ndërkombëtare.

Zoti Solana theksoi se njerëzit në Kosovë nuk duhet të mendojnë se procesi, i cili ka filluar para rreth dy javësh do të marrë fund brenda dy javëve të ardhshme. "Ky do të jetë një proces i gjatë dhe një moment me tensione dhe ndërlikime politike dhe kur të gjithë duhet të bëjnë sakrifica por edhe angazhime e përkushtime të dhimbshme. Prandaj njerëzit duhet të kenë ndjenjën se ky proces nuk do të përmbyllet brenda 24 orësh, përndryshe do të ketë frustrime", tha zoti Solana, duke tërhequr vërejtjen ndërkaq se çdo formë e dhunës do të kërcënonte procesin. “Nëse çfarëdo forme e dhunës, e madhe apo e vogël fillon atëherë ky do të jetë fillimi i fundit të procesit”, tha zoti Solana duke nënvizuar se ky është një proces politik që duhet të zgjidhet me mjete politike dhe jo me mjete tjera.

Ai tha se Evropa është ngritur mbi vlera të caktuara dhe çdo vend që respekton ato vlera mund të gjeje hapësirën e vet brenda Bashkimit Evropian, i cili sipas tij do të mbështesë fuqishëm procesin politik në Kosovë.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuar Soren Jessen Petersen tha se është me rëndësi që procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës të jetë në kontekst rajonal dhe çdo përfundim të jetë i bazuar mbi synimet euroatlantike. Ai veçoi ndërkaq rolin e Bashkimit Evropian në procesin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. “UNMIK-u do të ushtrojë autoritetin e vet derisa Rezoluta 1244 nuk zëvendësohet nga një tjetër Rezolutë, por gjatë procesit dhe pas tij Bashkimi Evropian duhet të luaj një rol të shtuar posaçërisht në përmbushjen e standardeve që duhet të jetë evropiane”, theksoi zoti Jessen-Petersen.

Mbështetjen e Bashkimit Evropian e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit politik të Kosovës, të cilët kanë kërkuar integrimin e Kosovës në familjen e vendeve evropiane. Presidenti Ibrahim Rugova, tha se zotit Solana I janë transmetuar synimet për një Kosovë të pavarur të gatshme të marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë që i takojnë me standardet ndërkombëtar. “Një Kosovë e pavarur me të gjitha garancitë për pakicat, për sigurinë e tyre dhe po ashtu për një fqinjësi me të gjithë fqinjët tanë”, theksoi presidenti Rugova.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Havier Solana udhëtoi për në Sarajevë në kuadër të vizitave që po u bënë vendeve të rajonit. Dje ai qëndroi në Beograd me zyrtarët e të cilit ka diskutuar rrugët e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës që sipas tij duhet të jetë i pranueshëm për të gjitha palët e përfshira në këtë proces.

XS
SM
MD
LG