Lidhje

Kryetari i Partisë Demokrate amerikane bën thirrje për tërheqjen nga Iraku


Shtëpia e Bardhë thotë se kryetari i Partisë Demokrate po u dërgon një mesazh të gabuar trupave amerikane në Irak, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta fitojnë luftën atje.

Kryetari i Partisë Demokrate, Howard Dean, tha në radiostacionin WOAI të Teksasit se lufta në Irak i kujton atij Luftën e Vietnamit, një konflikt për të cilin ai thotë se udhëheqësit amerikanë parashikonin fitore.

“Idea se ne do ta fitonim këtë luftë ishte fatkeqësisht krejtësisht e gabuar”.

Zoti Dean tha se mijëra ushtarë të guximshëm amerikanë dhanë jetën në Vietnam, sepse zyrtarët amerikanë nuk donin ta pranonin realitetin.

“Pastaj çdo kush përsëriste vazhdimisht ‘duhet t’i pëmbahemi kursit tonë edhe për një vit deri në fitore’”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan tha se ky është një mesazh i gabuar që u dërgohet trupave amerikane, kur ato janë në prak të një “arritjeje historike”, ndërkohë që zgjedhësit po shkojnë për të votuar javën e ardhëshme për asamblenë e re.

I pyetur për komentet e zotit Dean, Presidenti Bush tha se trupat amerikane kanë nevojë të dinë se populli amerikan është me ta.

“Unë e di se ne do të fitojmë, dhe trupat tona duhet të dëgjojnë se jo vetëm që ne i mbështesim, por kemi një strategji që do të na çojë në fitore. Unë e di se ka njerëz pesimistë, politikanë që përpiqen të fitojnë pikë, por strategjia jonë është e tillë që do të na çojë në fitore”.

Presidenti Bush thotë se ai e ka të qartë se do të ketë debate lidhur me luftën në Irak dhe do të ketë politikanë që përpiqen të përfitojnë nga ky debat, por ai tha se shumica e amerikanëve e mbështesin ushtrinë.

Ky është mesazhi që nënpresidenti Dick Cheney u transmetoi trupave amerikane që sapo janë kthyer nga Iraku. Ai foli në një bazë ushtarake në New Yourk sot, në kuadër të fushatës së Shtëpisë së Bardhë për të fituar mbështetjen e opinionit publik, ndërkohë që sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve tani mendojnë se lufta ishte një ndërmarrje e gabuar.

Disa anëtarë demokratë të Kongresit po bëjnë thirrje për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku. Nënpresidenti tha se kjo do të ndodhë vetëm kur komandantët në terren të vendosin se vendi është mjaft i sigurt dhe jo kur politikanët të bëjnë thirrje për tërheqjen e menjëherëshme të trupave.

“Ky nuk do të ishte aspak një vendim i zgjuar, kjo do të ishte fitore për terorristët, negative për popullin e Irakut dhe për vetë Shtetet e Bashkuara. Të largohesh nga ai vend para se misioni të kryhet plotësisht, do të thotë t’ia dorëzosh Irakun autorëve të sulmeve vetvrasëse dhe kriminelëve. Vendi do të kthehej nën sundimin e tiranëve, sepse një burim i madh destabilizimi në Lindjen e Mesme do të shërbente si platformë për sulme edhe më të mëdha kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të qytetëruara”.

Nënpresidenti Cheney foli në Fort Drum, ku më shumë se 3 mijë trupa të Divizionit të 42-të të Këmbësorisë u kthye në muajin nëntor. Një tjetër kontigjent prej 3 mijë trupash nga ky Divizion ndodhen ende në Irak.

Presidenti Bush ka filluar një fushatë të re në marrëdhëniet me publikun me një fjalim që mbajti javën e kaluar në Akademinë e Marinës. Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, i bëri johonë asaj me një fjalim dje në të cilin kritikoi median se përqendrohet më shumë tek humbjet.

Pas takimit të nënpresidentit me trupat sot, Presidenti Bush do të flasë përsëri nesër, duke u përqendruar në ato që Shtëpia e Bardhë i quan arritje ekonomike në rindërtimin e Irakut.
XS
SM
MD
LG