Lidhje

Bethoveni vdiq nga helmimi me plumb


Shkencëtarët amerikanë thonë se helmimi i vazhdueshëm me plumb shkaktoi vdekjen e kompozitorit gjerman Ludwig van Beethoven në vitin 1827. Ata arritën në këtë përfundim pasi bombarduan me rreze të fuqishme x pjesë të kockave të tij dhe të fijeve të flokut.

Gjeniu i muzikës klasike Beethoven që në fillim të të njëzetave vuajti nga dhimbje të padurueshme dhe vdiq në moshën 56 vjeçare. Ai humbi gjithashtu dëgjimin para se të mbushte 30 vjeç.

Tani një studiues nga Ilinoi specialist i çekuilibreve kimike në trup, Bill Walsh ka zbuluar se Beethoveni kishte në trup sasi helmuese plumbi, një zbulim që shpjegon problemet e tij me stomakun, por nuk duket se ka lidhje me humbjen e dëgjimit.

“Ai kishte sasi jashëzakonisht të mëdha plumbi si në kafkë, ashtu edhe në flokë. Niveli i plumbit në trupin e Beethovenit ishte ndoshta 100 herë më i lartë sesa ai që mund të gjendet tek amerikanët sot”.

Zoti Walsh e nxorri diagnozën në bashkëpunim me studiues të Laboratorit Kombëtar Argonne të Departamentit amerikan të Energjisë pranë Çikagos. Atje, ata goditën intensivisht me rreze x pjesë të kafktës dhe flokëve të Beethovenit. Shpejtësia e rrezeve me këtë teknike pothuajse arrinte atë të dritës. Zoti Walsh thotë se pjesëzat e dritës u përplasën me indet e pjesëve të trupit të kompozitorit dhe zhvendosën atome, të cilat një ndjesor përcaktoi të ishin plumb.

“Ne e filluam punën pa e parashikuar se cili do të ishte rezultati. Nuk kishim ndonjë ide të përcaktuar, përveç një hamendjeje të mëparshme që ai mund të kishte patur sasi të larta zhive në trup. Këtë sugjerim e bënë njerëz që mendonin se ndoshta simptomat e tij të rënda mund të kishin qenë ato të sifilisit dhe nëse ai kishte patur këtë sëmundje, do të ishte kuruar me mjekime të pasura me zhivë. Nga zbulimi ynë doli që i vetmi element jo i zakontë ishte plumbi”.

Zoti Walsh thotë se prania e plumbit në kafkën e Beethovenit lë të kuptohet se ai kishte gëlltitur sasi të tij për një kohë të gjatë dhe nuk bëhej fjalë për një dozë të madhe të vetme. Ndoshta plumbi e kishte patur origjinën nga gotat prej plumbi të verës dhe ka mundësi që është intensifikuar kur është bashkuar me plumb nga pjesa e brendshme e shisheve ku ai mbante disa nga ilaçet për sëmundjet e tij.

Makineria që u përdor për analizën është më e fuqishmja në bombardimin me rreze x, në gjithë hemisferën perëndimore. Rrezet u japin mundësi shkencëtarëve të kuptojnë më mirë strukturën dhe funksionin e materialeve, nga të cilat fragmentet e kafkës dhe flokëve të Beethovenit mund të kenë qenë ndër më të pazakontat.

Për studimin mbi sëmundjen e Beethovenit u përdor një fragment i kafkës së kompozitorit që e kishte pasur një biznesmen nga Kalifornia. Ai e kishte trashëguar përmes nga anëtarë të familjes së tij të cilët nga a ana e tyre e kishin marrë nga një paraardhës i tyre, mjek austriak. Pjesët e flokëve janë pronë e Shoqatës Amerikane të Beethovenit në San Jose të Kalifornisë, që i bleu ato në një ankand në Londër në vitin 1994.

XS
SM
MD
LG