Lidhje

GNK publikon raport lidhur me referendumin mbi shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia


Në një raport të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, organizatë që përpiqet për parandalimin e konflikteve në botë, thuhet se në prill të vitit 2006, malazezët pritet të votojnë për t’u shkëputur nga Bashkimi me Serbinë. Ka ardhur koha, thuhet në raport, që Bashkimi Evropian ta bëjë të qartë se do të pranojë çdo lloj vendimi që do të marrin qytetarët e Malit të Zi.

Në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar ka nevojë të përqendrohet te zgjidhja e statusit të Kosovës, thuhet në raport, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të mos krijojë përshtypjen se po ua lehtëson punën forcave nacionaliste serbe. Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave thotë se çdo përpjekje për ta ngrirë çështjen e pavarësisë së Malit të Zi deri sa të zgjidhet statusi i Kosovës, do të rrezikonte të bëheshin gabimet e fillimit të viteve 90, kur ngurrimi i perëndimit për t’u përballur me shpërbërjen e ish Jugosllavisë, inkurajoi ekstremistët. Të paktën nga pikpamja afatgjatë, thotë raporti, zgjidhja e statusit të Malit të Zi, ashtu si edhe e atij të Kosovës, do të kontribuonte në stabilitetin rajonal, duke e inkurajuar Serbinë që më në fund të përqendrohet tek problemet e veta të brendshme.

Në raportin e tij, Grupi Ndërkombëtar i Krizave i rekomandon Bashkimit Evropian që të formulojë një politikë të tillë rreth çështjes së pavarësisë së Malit të Zi e cila të mos lidhet me procesin e statusit të Kosovës. Grupi rekomandon gjithashtu që Bashkimi Evropian të dërgojë një mesazh të qartë se zhvillimi i referendumit është çështje e brendshme e Malit të Zi që duhet vendosur pa presione të jashtëme politike.

XS
SM
MD
LG