Lidhje

Sërvër: OKB-ja nuk mund ta mbajë barrën e bisedimeve për statusin e Kosovës


Një ekspert i çështjeve të Ballkanit thotë se Kombet e Bashkuara nuk mund ta mbajnë të vetme barrën e bisedimeve për statusin e Kosovës dhe se Brukseli dhe Uashingtoni duhet të përfshihen në këtë proces me një qëndrim më të qartë për statusin përfundimtar. Daniel Servër, nënpresident dhe drejtues i operacioneve për paqe dhe stabilitet në Institutin Amerikan të Paqes, parashikon që në tryezën e bisedimeve do të shtrohet edhe ndarja e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Sërvër, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari sapo përfundoi vizitën e tij të parë në rajon. Cili mendoni se do të jetë hapi tjetër dhe si e shikoni procesin në tërësi?

Daniel Sërvër: Do të ketë vizita të shumta të Marti Ahtisarit në rajon. Po të isha në vend të tij do të filloja të punoja që Uashingtoni dhe Brukseli të marrin vendime të rëndësishme për Kosovën. Mendoj se vetëm Kombet e Bashkuara nuk mund ta mbajnë këtë barrë pasi është shumë e rëndë për ta. Kombet e Bashkuara nuk kanë përvojë për të zgjidhur probleme të tilla politike, ata kanë përvojë në zbatimin e vendimeve të marra. Mendoj se Uashingtoni dhe Brukseli duhet të arrijnë një farë marrëveshjeje se cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Të dyja palët, shqiptarët dhe serbët kanë qënë shumë të qartë në qëndrimet e tyre, shqiptarët nuk kërkojnë asgjë tjetër veç pavarësisë kurse serbët thonë më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi për Kosovën. A mendoni se ka ende vend për kompromis?

Daniel Sërvër: Duhen pyetur shqiptarët çfarë nënkuptojnë me pavarësinë. Kur flas me njerëzit në Prishtinë dhe i pyes a do të thotë kjo se kërkojnë që të gjitha trupat e huaja të largohen nga vendi, përgjigjen negativisht. A do të thotë kjo që të gjithë gjykatësit e huaj të largohen, përsëri thonë jo. Pra ka një numër kufizimesh në konceptin pavarësi që ata janë të gatshëm ti pranojnë. Beogradi kërkon ta mbajë Kosovën pjesë të Serbisë, por kur i pyet në se janë të gatshëm të lejojnë qarkullim të lirë të 1 presje 8 milion shqiptarëve në Serbi, u duket e pakëndëshme; kur i pyet në se do të lejojnë shqiptarët të votojnë nuk janë të kënaqur. Dhe kur u thua se çmimi i të mbajturit të Kosovës nën Serbinë do të jetë që të ketë shqiptarë në poste të ministrit të jashtëm, të brendëshëm ashtu siç u është dashur boshnjakëve në Bosnje, kjo është e paimagjinueshme për ta. Duhet të pyesim të dyja palët se çfarë nënkuptojnë me qëndrimet e tyre, pra jo për slloganet por për përmbajtjen. Nuk mendoj se ndonjëri në Beograd dëshiron të qeverisë shqiptarët e Kosovës, ata kanë hequr dorë me kohë prej kësaj. Pyetjet që shtrohen janë si do të qeveriset Kosova, si do të përfaqësohet ajo në arenën ndërkombëtare; a do t’u japë Serbia një të tretën apo gjysmën e ambasadave jashtë vendit shqiptarëve siç ndodhi në Bosnje? Pra ka një numër pyetjesh të rëndësishme që kërkojnë përgjigje.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët nevojën e një përfshirjeje më të madhe të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara por a kanë Brukseli dhe Uashingtoni një qëndrim të qartë përsa i përket të ardhmes së Kosovës?

Daniel Sërvër: Akoma jo. Evropianët janë ende të ndarë në këtë çështje. Mendoj se Londra dhe Berlini janë të gati të pranojnë pavarësinë në një formë apo tjetër për Kosovën, ndërsa Italia, Franca dhe disa vende të tjera ende e kundështojnë atë dhe as Uashingtoni nuk ka marrë një vendim të prerë. Shpesh thuhet se qëndrimi i Uashingtonit dihet por unë nuk besoj se ekziston një qëndrim amerikan i qartë për statusin përfundimtar. Ka çështje që amerikanët nuk duan ti pranojnë si ndarja, por ata nuk kanë bërë atë që duhet për ta mënjanuar atë. Unë shikoj veprimet dhe nuk dëgjoj vetëm fjalët.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ndarja do të shtrohet në tryezën e bisedimeve?

Daniel Sërvër: Po, ajo do të shtrohet në bisedime në një formë apo në një tjetër. Ndoshta në formën e decentralizimit, por Beogradi e ka bërë shumë të qartë se ajo që nënkupton me decentralizimin është shumë pranë me konceptin e ndarjes. Diçka ndoshta si entitetet në Bosnje por me autoritet qëndror më të dobët. Pra mendoj se ndarja do të shtrohet në tryezën e bisedimeve. Beogradi e ka bërë mëse të qartë dhe ndërkombëtarët nuk duhet thjesht të thonë se nuk e pranojnë ndarjen por duhet të bëjnë diçka për ta mënjanuar atë; për të riintegruar territoret e kontrolluara nga serbët në Kosovë përfshi veriun. Nuk mendoj se kjo mund të bëhet nga institucionet vetqeverisëse të Prishtinës. Kjo mund të bëhet vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, ndoshta Kombet e Bashkuara – pra që të marrin autoritetin në territoret e kontrolluara nga serbët - por as për këtë nuk ka ende ndonjë plan.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se do të ndodhë në se zoti Ahtisari nuk do të arrijë t’i bindë palët për një marrëveshje?

Daniel Sërvër: Mendoj se ekziston rreziku i dhunës. Ka shumë padurim sidomos te pala shqiptare. Beogradi është më i përmbajtur për të mënjanuar dhunën nga marrëdhëniet që ka me Bashkimin Evropian dhe Naton. Por në se situata precipiton, ajo që ndodhi në mars të 2004ës do të ndodhë përsëri pasi në Prishtinë ka njerëz kokënxehtë, ka njerëz që mendojnë se mënyra për të marrë atë që duan është dhuna. Në fakt dhuna në këtë pikë do të rezultonte në ndarje, dhe kjo në fund të fundit është ajo që mbështet Beogradi dhe jo Prishtina. Pra kushdo që do të mbështeste dhunën apo do të merrte pjesë në të duhet të ketë parasysh se ajo do të çonte drejtëpërdrejtë në diçka që do të kënaqte Beogradin prandaj shqiptarët e Kosovës duhet ta mënjanojnë dhunën.

XS
SM
MD
LG