Lidhje

Presidenti iranian kritikohet ashpër për komentet mbi Holokaustin


Presidenti iranian i vijës së ashpër u kritikua gjerësisht për komentet e tij, në të cilat ai shpreh dyshim rreth holokaustit dhe sugjeron që Izraeli të zhvendoset në Evropë.

Gjatë fjalës që mbajti dje në një takim të nivelit të lartë të udhëheqësve islamikë në Arabinë Saudite, presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad, tha se nëse evropianët pretendojnë se kanë vrarë miliona hebrenj, atëherë ata duhet t’i japin Izraelit një pjesë të territorit të tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, tha se ishte tronditur thellë nga këto komente dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve të kundërshtojnë mohime të tilla të holokaustit.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Adam Ereli, tha se komentet e udhëheqësit iranian ishin të neveritshme dhe të dënueshme, siç i cilësoi ai. Izraeli i dënoi komentet si të urryera dhe raciste. Komentet e presidentit iranian u dënuan edhe nga udhëheqësit gjermanë e britanikë.

Në tetor, udhëheqësi iranian shkaktoi polemika të forta ndërkombëtare kur e cilësoi Izraelin si kancer dhe sugjeroi që ai të fshihet nga harta.

XS
SM
MD
LG