Lidhje

SHBA: Etika në Kongres përsëri në vëmendjen publike


Dorëheqja e një ligjvënësi amerikan, i cili pranoi akuzat për marrje ryshfetesh, shmangje taksash dhe akuza të tjera e ka përqëndruar përsëri vemendjen tek çështja e etikës në Kongresin amerikan. Gjatë viteve, skandalet kanë qënë problem për të dyja partitë e mëdha politike në Shtetet e Bashkuara. Por siç thuhet në materialin e mëposhtëm, zhvillimet e fundit kanë nxitur thirrje të reja për një rishikim të etikës në Kongres.

Pranimi nga anëtari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Randy Kaningem, ishte për shumë vëzhgues politikë me përvojë këtu në Washington, thjeshtë një kapitull tjetër i skandaleve etike që kanë përfshirë për disa dekada si republikanët edhe demokratët.

Megjithëse kjo ndodhi ndërsa ligjvënësit ishin me pushime për dy javë, kur vemendja e amerikanëve nuk është e përqëndruar shumë tek Kongresi, pranimi i fajësisë me lot në sy në televizion nga zoti Kaningem shkaktoi reagime të shumta. “Për të gjithë këtë, më vjen shumë keq. E vërteta është se unë shkela ligjin, mbulova veprimin tim dhe turpërova zyrën time.”

Për sa i përket ndikimit politik afat-shkurtër e afat-gjatë, deklarata e zotit Kaningem se u angazhua në veprime të paligjshme nuk mund të kishte ndodhur në një kohë më të keqe. Në muajin shtator, ndaj ish udhëheqësit republikan në Dhomën e Përfaqësusve, Tom DiLei, u ngrit padija për konspiracion dhe shkelje të tjera, përfshirë pastrim parash. Zoti Dilei, duke folur me gazetarë, ndërsa u detyrua të jepte përkohësisht dorëheqjen nga posti i tij udhëheqës, iu kundërpërgjigj, siç u shpreh ai, përpjekjeve politikisht të motivuara kundër tij. “Ky akt është produkt i një fushate të bashkërenduar e të paramenduar ndëshkimi politik, me rezultate plotësisht të parashikueshme të një hetimi hakmarrës i kryesuar nga një fanatik partiak.”

Ndërsa zoti Dilei përballej me ndëshkime para shumë muajsh nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësusve mbi etikën, një prej kritikëve të tij më të mëdhenj, ish ligjvënësi Kris Bell foli rreth asaj që e cilësoi krizë etike, që kërcënon besueshmërinë e Kongresit. “Ky sulm ndaj Kongresit bëhet në formën e akteve serioze kriminale, duke përfshirë marrjen e rryshfeteve, manipulime, shfrytëzim me qëllime përfitimi financiar, pastrim parash dhe abuzim të pushtetit.”

Republikanët nuk humbën kohë për të dënuar veprimet e ligjvënësit Kaningem. Presidenti Bush tha se ideja që një anëtar kongresi të marë para është indinjuese. Dhe ndërsa presidenti bënte këto komente, u njoftuan hollësi të reja rreth hetimeve të vazhdueshme federale për korrupsion lidhur me veprimtaritë e ish-lobistit republikan, Xhek Abramof, i cili kishte lidhje me zotin Dilei dhe me ligjvënës të tjerë.

Ligjvënësi demokrat nga shteti Massachusetts, Martin Mihen, propozoi këtë vit projekt-ligjin, që do të vinte rregulla më të ashpra lidhur me veprimtaritë e organizatave lobiste në Kongres. “Kemi të bëjmë me diçka më të madhe se sa shkelja e etikave nga disa individë. Fakti që Xhek Abramof mendonte se po ushtronte praktika të pranueshme tregon se sistemi ka nevojë për ndryshime themelore.”

Një çështje tjetër e debatueshme ka të bëjë me mjetet që kanë ligjvënësit në dispozicion për të respektuar standartet e etikës. Demokratët dhe republikanët kanë debatuar për muaj të tërë rreth rregullave të funksionimit të komisionit, ndërsa demokratët kanë thënë se republikanët po e përdornin komisionin për të mbrojtur zotin Dilei.

Tani që ka një drejtues të ri, Komisioni i Etikës mund të shqyrtojë raste, që kanë të bëjnë jo vetëm me zotin Dilei, por edhe ligjvënës të tjerë. Debati i ri rreth etiës i ka bërë nervozë republikanët, me që ata po përgatiten të mbajnë vendet në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësusve në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Nga ana e tyre, demokratët e shikojnë debatin si një mundësi shumë të mirë për ta përdorur në avantazhin e tyre. Por të dyja partitë e dinë se duhet të bëjnë disa pastrime në mënyrë që t’i bindin amerikanët se standartet etike në Kongres po respektohen dhe zbatohen.

XS
SM
MD
LG