Lidhje

Kosovë: Këshilli Konsultativ për Komunitetet Pakicë takohet me përfaqësues të grupeve enike


Në Kosovë filluan takimet e Këshillit Konsultativ për Komunitetet Pakicë, me përfaqësuesit e pakicave në vend. Takimet e para u zhvilluan sot me përfaqësuesit turq dhe egjiptas, ndërsa të hënën do të zhvillohen takimet me përfaqësuesit politikë serbë dhe ata të kishës ortodokse serbe. Në një zhvillim tjetër, po sot, kryeadministratori ndërkombëtar Jessen Petersen, u përsëriti serbëve të Kosovës se nuk do të ketë ndarje të territorit të Kosovës në baza etnike.

Këshilli konsultativ për komunitetet pakicë i delegacionit të Kosovës për bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, filloi sot në Prishtinë takimet me përfaqësues të komuniteteve pakicë në vend. Takimet e para u zhvilluan me përfaqësuesit e turqve dhe egjiptasve. Takimi u kryesua nga Veton Surroi si përfaqësues i delegacionit të Kosovës.

Përfaqësuesit e këtyre dy komuniteteve kanë paraqitur pikëpamjet dhe propozimet e tyre për integrimin e nevojave të komuniteteve në procesin politik që po zhvillohet në Kosovë për përcaktimin e statusit të ardhshëm të vendit.

Ky ishte hapi i pare i delegacionit të Kosovës në themelimin e dialogut të brendshëm me komunitet pakicë në Kosovë. Të gjitha komunitetet kane pranuar të bashkëpunojnë dhe të jenë pjesë e procesit të konsultimeve me këtë këshill.

Gjatë këtij muaji, Keshilli Konsultativ per Komunitete Pakice do të vazhdojë takimet me përfaqësuesit e pakicave të tjera, përfshi pakicën serbe. Takimet e ardhshme do të zhvillohen me përfaqësuesit serbë, Atin Sava si përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Deçanit, me përfaqësuesit politikë serbë Oliver Ivanovic dhe Randel Nojkic, përfaqësuesit romë dhe boshnjakë.

Ndërkohë që procesi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës ka filluar tashmë, kryeadministratori ndërkombëtar Soren Jessen-Petersen, ka përsëritur qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare se nuk do të ketë ndarje të territorit të Kosovës në baza etnike.

Zoti Petersen, i cili vizitoi sot Mitrovicën dhe tre komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, ua përsëriti të njëjtin qëndrim përfaqësuesve të komunitetit serb në këtë pjesë të Kosovës. Zoti Petersen u takua me udhëheqësit lokalë dhe përfaqësuesit serbë në pjesën veriore të cilët shprehën qëndrimet e tyre lidhur me lirinë e lëvizjes, decentralizimin, dhe kthimin e të zhvendosurve.

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka pranuar dështimin e përpjekjeve të saj për ndryshimin e gjendjes në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës. Administrata ka thënë se problemi I Mitrovicës do të zgjidhet bashkë me zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës.

XS
SM
MD
LG