Lidhje

Projekt-ligji i debatueshëm për organizatat jo-qeveritare në Rusi


Presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi ndryshime për zbutjen e një projektligji të ri, i cili do të vinte kufizime për organizatat jo-qeveritare. Në një deklaratë të Kremlinit thuhej se udhëheqësi rus ka propozuar që të eliminohet një klauzolë, e cila do t’u kërkonte atyre që të regjistrohen si entitete ruse. Propozimi i ri është që organizatave jo-qeveritare t’u kërkohet vetëm që të informojnë autoritetet rreth pranisë së tyre. Në Rusi ka rreth 400 mijë organizatave joqeveritare vendase dhe të huaja. Veprimtarë për të drejtat e njeriut në Moskë shprehin shqetësimin se nëse projektligji miratohet, ai do të shfrytëzohet për të kufizuar veprimtaritë e disa organizatave, të cilat nuk shihen me sy të mirë nga autoritetet.

Autorët e projektligjit të ri thonë se synimi i tij kryesor është të ri-regjistrohen organizatat joqeveritare që veprojnë në Rusi, si dhe të rritet kontrolli mbi financimin dhe shpenzimet e tyre, në mënyrë që të ketë një informacion më të plotë rreth këtyre organizatave që veprojnë në Rusi dhe të pengohen veprimet për pastrim parash.

Por në projektligj theksohet gjithashtu se organizatat e huaja nuk do të lejohen të funksionojnë në Rusi përmes zyrave përfaqësuese, të cilat veprojnë aktualisht në vend. Atyre do t’u kërkohet gjithashtu të ri-regjistrohen si burime të pavarura financiare.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Moskë, si Aleksander Petrov i organizatës Human Rights Watch, mendojnë se projektligji synon të pengojë punën e shumë shoqatave ruse dhe të huaja: Ky ligj përputhet plotësisht me politikat që ka vënë në zbatim presidenti dhe qeveria në 3-4 vitet e fundit, që synojnë të imponojnë kufizime maksimale mbi veprimtaritë politike dhe sociale. Synimi është të kufizohen ose të nxirren jashtë funksionimit organizatat e huaja joqeveritare dhe të kufizohet veprimtaria e organizatave ruse. Nëse ky projektligj nënshkruhet nga presidenti, gjendja e krijuar do të na detyrojë ne dhe shumë organizata të tjera të largohemi nga Rusia.

Por përkrahësit e projektligjit të ri, si Alexei Ostrovsky i partisë ultranacionaliste, LDPR, thonë se fajin nuk e ka projektligji, por organizatat joqeveritare: Në Moskë ka shumë zyra të organizatave joqeveritare, si Human Rights Watch dhe të tjera, dhe veprimtaria e tyre nuk ka të bëjë aspak me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por shërben thjesht si fasadë për të kryer misionet e tyre që kanë marrë me urdhër të CIA-s dhe të adminstratës amerikane.

Vëzhguesit thonë gjithashtu se projektligji i ri pasqyron shqetësimin e qeverisë ruse se organizatat e huaja joqeveritare mund të mbështesin protesta popullore të ngjashme me ato që rrëzuan qeveritë në Gjeorgji, Ukrainë dhe Kirgizistan. Ata thonë se Kremlini druhet se mund të ketë plane për veprime të ngjashme edhe në Rusi.

Në korrik presidenti rus Vladimir Putin tha se nuk do të lejonte organizata joqeveritare të financuara nga jashtë të zhvillonin ato që ai i cilësoi si veprimtari politike. Të gjithë ne dëshmuam se si fondet e grumbulluara nga taksapaguesit amerikanë u shpenzuan për të mbështetur organizatat e të drejtave të njeriut në Gjeorgji dhe Ukrainë. Synimi i tyre përfundimtar ishte të ndryshohej regjimi, gjë që është jokushtetuese dhe ne nuk duam që Federata Ruse të pllakoset nga kaosi, i cili zakonisht pasohet nga revolucioni, si rrjedhojë e veprimeve të tyre, thotë zoti Ostrovsky .

Por në përpjekje për të sheshuar këto shqetësime politike, hartuesit e projektligjit mund të bëjnë më shumë dëm se mirë. Nga të 400 mijë organizatat joqeveritare që veprojnë në Rusi, vetëm 2 mijë janë angazhuara drejtpërdrejt në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ndërsa të tjerat përqëndrohen në problemet sociale. Sergei Nikitin është drejtor i zyrës së Moskës i organizatës Amnesty International: Ky projektligj do të dëmtojë punën e organizatave të vogla që nuk duan të regjistrohen. Përveç organizatave për të drejtat e njeriut ka edhe mijëra grupe sociale për shembull në mbrojtje të grave që kanë vuajtur dhunën në familje. Projektligji i ri parashikon probleme të reja burokratike për to.

Projektligji duhet të miratohet në dy seanca të tjera të dhomës së ulët të parlamentit, para se t’i paraqitet presidentit për firmë. Por me shumicën që gëzon në këtë dhomë partia pro-Kremlinit, Rusia e Bashkuar, është thuajse e sigurt se projektligji do të miratohet.

XS
SM
MD
LG