Lidhje

Presidenti Bush përshëndet përparimin demokratik në Irak

  • Paola Ufson

Tre ditë para se irakianët të shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur një qeveri të re, presidenti Bush përshëndeti angazhimin e tyre drejt demokracisë, ndërsa pranoi çmimin e lartë që ata kanë paguar me jetën.

Presidenti Bush shkoi në Filadelfia të Pensillvanisë, vend-lindja e demokracisë amerikane, për të ofruar mbështetjen e tij për procesin politik në Irak. Ai tha se populli irakian nuk ka përfillur dhunën për të gjetur lirinë, duke treguar si guxim edhe vendosmëri. Ndërsa irakianët përgatiten të shkojnë përsëri në qendrat e votimit, tha presidenti, ata kanë arsye të jenë krenarë.

“Është një transformim i mrekullueshëm për një vend që thuajse nuk ka përvojë me demokracinë dhe që po përballet me vështirësi për të kapërcyer trashëgiminë e një prej tiranive më të rënda e të botës. Irakianët i kanë realizuar të gjitha këto arritje ndërkohë që armiqtë e vendosur përdorën dhunën dhe shkatërrimin për të ndalur përparimin.” - tha Presidenti.

Presidenti tha se ashtu si baballarët e kombit amerikan, udhëheqësit e demokracisë së re irakiane vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha, ndërsa ata formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse, përpiqen të arrijnë ripajtimin dhe zbatojnë shtetin ligjor. Por ai tha se vitet e fundit kanë qënë një kohë arritjesh.

“Në Irak mbetet ende shumë punë e vështirë për t’u bërë, por falë guximit të popullit irakian, viti 2005 do të mbahet mënd si një pikë kthesë në historinë e Irakut.”

Presidenti Bush tha se populli irakian ka treguar në shumë raste se zgjedh lirinë dhe jo terrorizmin. Ai shprehu besimin se irakianët mund të zgjidhin më në fund mosmarrëveshjet që kanë ndarë sunitë, shiitët dhe kurdët, duke parashikuar se nuk do të ketë luftë civile. Madje ai theksoi besimin e tij se një Irak demokratik mund të përballojë kërcënimet me të cilat ndeshet ndërsa jeton në atë që ai e cilësoi si një rajon plot vështirësi.

“Shumica dërmuese e irakianëve nuk duan të jetojnë në një teokraci të stilit iranian. Ata nuk duan që Siria të lejojë kalimin e autorëve të shpërthimeve me bomba në Irak. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin popullin irakian në përpjekjet e tij kundër kërcënimeve nga këta fqinj.”

Këto komente presidenti i bëri gjatë një fjalimi që mbajti në Këshillin e Çështjeve Botërore, një grup privat, që përpiqet të shtojë interesimin e publikut në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndryshe nga fjalimet e tij të mëparshme lidhur me Irakun, presidenti pranoi më pas disa pyetje nga audienca. Kur një grua e pyeti Presidentin Bush rreth numrit të irakianëve të vrarë që nga marsi i vitit 2003, ai bëri atë që Pentagoni ka nguruar ta bëjë. Presidenti u shpreh me shifra.

“Unë do të thoja se rreth 30 mijë irakianë janë vrarë si rezultat i ndërhyrjes fillestare dhe dhunës që po vazhdon. Ndërsa ne kemi humbur rreth 2140 trupa në Irak”.

Një tjetër pyetje kishte të bënte me mundësinë e lidhjes së sulmeve terrosite të 11 shtaorit 2001 në Shtetet e Bashkuara me vendimin e Presidentit për të përmbysur Sadam Huseinin. Zoti Bush tha se po të ishte para të njejtës situatë do të bënte përsëri të njejtën gjë.

“Duke patur parasysh atë që di sot, unë do të merrja të njejtin vendim. Përmbysja e Sadam Huseinit ka krijuar kushte më të mira sigurie në botë dhe Shtetet e Bashkuara janë më të sigurta”.

Skepticizmi i publikut rreth luftës në Irak ka çuar muajt e fundit të në mbështetjen më të ulët të publikut për presidencën e zotit Bush, megjithëse anketat e kohëve të fundit tregojnë se ka një farë rritjeje. Seria e fjalimeve të Presidentit për Irakun ka kryesisht si qëllim shtimin e mbështetjes së publikut amerikanë për atë që zoti Bush e quan strategji të fitores. Presidenti e mban fjalimin e tij të fundit të kësaj serie të mërkurën në Uashington.

XS
SM
MD
LG