Lidhje

Petersen: Decentralizimi, me rëndësi thelbësore për statusin e Kosovës


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen Petersen u ka thënë sot udhëheqësve politikë të Kosovës se decentralizimi i pushtetit është shumë i rëndësishëm për përcaktimin e statusit politik të Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas një takimi me ekipin e negociuesve të Prishtinës, me të cilët ka debatuar hapat e ardhshëm në procesin e bisedimeve për të ardhmen e Kosovës. Ai tha se nga udhëheqësit politik ka kërkuar që të kalojnë nga deklaratat ne veprime.

“Decentralizimi do të jetë faktor thelbësor në përcaktimin e rezultatit të bisedimeve për statusin dhe veprimet duhet të vazhdojnë në bazë të dokumentit të Prishtinës, por udhëheqësit duhet të jenë të gatshëm të vazhdojnë dialogun me Beogradin”, tha zoti Jessen Petersen, sipas të cilit ata janë pajtuar por mendojnë se në bisedime duhet të shkojnë të përgatitur mire dhe pasi të kenë marrë edhe mendimet e komuniteteve pakicë.

Ai tha se këtë çështje do ta diskutojë nesër në takimin e Grupit të Kontaktit në Paris, ku do të marrë pjesë edhe krye negociatori për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari.

Përfaqësuesit e ekipit të ngociuesve thanë ndërkaq se decentralizimi nuk mund dhe nuk do të jetë pjesë e negociatave për statusin, por pjesë e punës së institucioneve të Kosovës. Kryetari i Parlamentit të Kosovës Nexhat Daci tha se nuk ka trysni për mbajtjen e një takimi të paralajmëruar për 19 dhjetor ndërmjet ministrit të pushtetit lokal Lutfi Haziri dhe homologut të tij serb Zoran Loncar në Vjenë të Austrisë.

“Kurrkush nuk bënë presione. Për detyrat që janë tonat të institucioneve të Kosovës dhe të qytetarëve, mundohet të jetë ndihmës dhe nuk ka presioni. Dhe përfundimisht nuk ka presione as për takime”, tha zoti Daci.

Kryeministri Bajram Kosumi tha ndërkaq se takimi do të ndodhë pavarësisht nëse do të jetë në datën e paralajmëruar apo jo.

“Në këtë moment ne duhet të krijojmë procesin bashkë me faktorin ndërkombëtar, por edhe me qeverinë e Beogradit sepse disa çështje duhet t’i diskutojmë dhe mund t’i diskutojmë mes veti dhe në pikat ku mund të arrihen marrëveshje, pse jo do të arrijmë edhe marrëveshje mes vete”, tha kryeministri Kosumi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, theksoi se takimet e njerëzve me vullnet të mirë duhet të ndodhin në kohë të duhur dhe në vend të duhur, por reforma e pushtetit në Kosovë duhet të zbatohet mbi ligje dhe jo mbi parime etnike e politike.

“Reformimi I pushtetit lokal duhet të udhëhiqet nga Prishtina sepse ndikimi i të tjerëve për reformimin e pushtetit lokal në Kosovë nënkupton një rrezik për ndarje të brendshme territoriale”, theksoi zoti Thaçi.

Ndonëse nuk është pjesë e standardeve për Kosovën, decentralizimi i pushtetit, i cilësuar si mjet për zbatimin e standardeve është rikthyer sërish në rend të ditës me gjithë dallimet e trashëguara ndërmjet komuniteteve por edhe ndërmjet përfaqësuesve politik të pozitës dhe opozitës.

Këshilli Konsultativ për Komunitetet takon përfaqësuesit e Kishës Ortodokse serbe

Kryetari i Partisë reformiste "Ora", Veton Surroi i cili drejton edhe Këshillin Konsultativ për Komunitete në kuadër të ekipit të negociuesve për statusin e Kosovës, tha se është pajtuar me drejtuesit e kishës ortodokse serbe që çështja e objekteve fetare të këtij riti të mos ndërlidhet me çështjen e statusit politik të Kosovës. Komentet e tij pasuan një takim me atin Sava Janjiq, në manastirin e Deçanit në Kosovën perëndimore me të cilin sic tha, është arritur pajtimi se për kishën nevojitet një marrëveshje e veçantë jashtë bisedimeve për statusin final.

Zoti Surroi tha se shteti i ardhshëm i Kosovës do të duhet të nënshkruajë një marrëveshje me Kishën Ortodokse për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, por hodhi poshtë çdo mundësi që kishat të kenë një status të veçantë brenda administrimit të përgjithshëm të Kosovës. Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe Sava Janjiq tha se takimi me përfaqësuesit e ekipit negociator në Manastirin e Deçanit ishte konstruktiv dhe nuk kishte karakter politik.

“Jemi pajtuar që në bazë të rekomandimeve të Grupit të Kontaktit objektet e kishës ortodokse serbe të kenë një lloj të veçantë të mbrojtjes për objektet e shenjta të kishës ortodokse serbe dhe për këtë nuk ka mëdyshje” -tha ati Sava Janjiq.

Këshilli Konsultativ për Komunitete, që drejtohet nga Veton Surroi është krijuar së voni nga ekipi negociator për statusin e Kosovës dhe ai ka filluar një seri takimesh me të gjitha komunitetet pakicë të Kosovës, në mënyrë, që në platformën e përbashkët të ekipit negociator të përfshihen edhe pikëpamjet dhe nevojat e këtyre komuniteteve. Mbrojtja e pakicave kombëtare, posaçërisht e komunitetit serb dhe objekteve kulturore e fetare të tij, nga bashkësia ndërkombëtare është cilësuar si një nga faktorët thelbësorë për përcaktimin e statusit politik të Kosovës.

XS
SM
MD
LG