Lidhje

SHBA: Demokratët kritikojnë fjalimin e Presidentit Bush në Irak


Demokratët e opozitës në Kongres e kritikuan fjalimin e djeshëm të Presidentit Bush mbi Irakun, duke thënë se ai nuk qe në gjendje t’u thotë amerikanëve se edhe për sa kohë trupat amerikane do të qëndrojnë në Irak dhe sa do të jetë kostoja e angazhimit amerikan atje. Demokratët reaguan pas fjalimit të tretë të rëndësishëm të Presidentit Bush mbi Irakun në dy javët e fundit.

Demokratët thonë se fjalimi i Presidentit nuk trajtoi çështjen kryesore për të cilën kërkojnë përgjigje amerikanët. Senatori demokrat Xhek Rid, është anëtar i Komisionit të Forcave të Armatosura.

“Për fat të keq ende nuk e dimë edhe pas një seri fjalimesh se sa do të zgjasë ky proces dhe sa do të kushtojë për financimin e forcave të ushtrisë dhe të personelit civil.”

Demokrati më i lartë në Komisionin e Forcave të Armatosura, Karl Levin tha se Presidenti duhet t’i kishte dërguar një mesazh më të fortë irakianëve se ata duhet të bëjnë kompromise të rëndësishme politike dhe të ndryshojnë kushtetutën pas zgjedhjeve, për të tërhequr më shumë banorë suni në jetën politike të vendit dhe për të shmangur një luftë civile.

“Presidenti bëri një deklaratë të paqartë për një çështje që kërkon qartësi, siguri e fuqi. Ai duhet t’u kishte thënë irakianëve hapur se Amerika e bëri detyrën e saj, madje më shumë se sa na takon. Tani u takon irakianëve të rregullojnë sistmein e tyre politik. Kjo kërkon ndryshime në kushtetutë, ashtu siç e pranoi edhe vetë presidenti. Kjo nuk është një mundësi, është një dodmosdoshmëri që irakianët duhet ta bëjnë ose përndryshe Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre në këtë vend.”

Në fjalimin e tij Presidenti Bush përshëndeti përparimin demokratik në Irak, por pranoi se që nga ndërhyrja amerikane në mars të vitit 2003, mbi 30 mijë irakianë janë vrarë.

Presidenti e mbajti fjalimin në Pensilvenia, shteti i ligjvenësit demokrat Xhon Murtha, një kritik i ashpër i luftës në Irak, por edhe një veteran i respektuar i luftës në Vietnam, që ka bërë thirrje për tërheqjen e trupave nga Iraku sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ligjvënësi Murtha iu përgjigj fjalimit të Presidentit duke thënë se irakianët e kundërshtojnë praninë amerikane.

“Është e pamundur të fitohet lufta kur, jo vetëm që ke humbur zemrat e banorëve, por je shndërruar në armik të tyre.”

Republikanët nga ana e tyre, folën me të njejtat tone si presidenti, përsa i përket përpjekjeve të Irakut drejt demokracisë. Ja si u shpreh senatori Creg Tomas.

“Në Irak janë hedhur hapa të rëndësishëm drejt lirisë. Unë kam qënë në Irak para një viti e gjysmë. Por pa dyshim që mendoj se është bërë përparim i vërtetë.”

Ndërsa udhëheqësi i republikanëve në Senat, Bill Frist, përmes një deklarate, i cilësonte zgjedhjet që do të zhvillohen në Irak të enjten, si një ngjarje të rëndësishme. Përparimi i vazhdueshëm në frontin politik, ekonomik dhe në atë të sigurisë, thotë senatori Frist, duhet t’i japin popullit amerikan besim, se Shtetet e Bashkuara do të fitojnë në Irak.

XS
SM
MD
LG