Lidhje

Jetëgjatësia; Sapunët kundër baktereve


Jetëgjatësia

Një studim i këtyre ditëve vë në dukje se jetëgjatësia e njerëzve nuk është medoemos një dukuri vetëm në vendet e pasura. Për shembull dje ne njoftuan për një grua nga një vend i vogël i Amerikës latine, Ekuadori e cila u shpall si njeriu më i moshuar në Botë. Ajo është 116 vjeç. Ky njoftim përkon me një raport të kohëve të fundit të zyrës së statistikave që tregon se edhe amerikanët jetojnë sot më gjatë se kurrë më parë, megjithëse Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 48 në botë përsa i përket jetëgjatësisë së banorëve. Të dhënat lënë të kuptohet se një fëmijë i lindur në Shtetet e Bashkuara pritet të jetojë mesatarisht nga 77. 6 vjet deri në 78 vjet. Kjo është shifër më e lartë se mesatarja 77. 3 që ishte shënuar në vitin 2002 dhe 75. 4 në vitin 1990.

Sipas raportit, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 48 në botë, pas Holandës, Izraelit dhe Japonisë. E para është Andora, një vend i vogël midis Francës dhe Spanjës ku jeta mesatare e banorëve arrin në 83 vjet e gjysëm.

Gjithashtu sipas raportit, gratë në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jetojnë më gjatë se burrat, mesatarisht në mbi 80 vjet në vitin 2003, krahasuar me 74.8 vjet për burrat. Peggy MakFarland, megjithëse mbi 60 vjeç, thotë se ajo ndjehet e re dhe e fuqishme dhe i duket sikur nuk do të vdesë kurrë. Të dhënat mbi jetëgjatësinë Shtetete Bashkuara vijnë nga zyra e statistikave shëndetësore, pjesë e qëndrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve me seli në Atlanta. Por raporti përmban jo vetëm të dhëna pozitive. Zyrtarja e kësaj qëndre, Ami Bernstein thotë se shumë njerëz përqëndrohen në jetëgjatësi, ndërkohë që është e rëndësishme që kujdes duhet treguar edhe në cilësinë e jetës. Më shumë gra se sa më parë ballafaqohen sot me sëmundje si migrena dhe dhimbje të shtyllës kurrizore.

Në studim thuhet se 50 përqind e amerikanëve nga mosha 55 – 64 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut dhe afro 50 përqind e tyre janë mbi peshë e në një formë fizike sikur të ishin 10 vjet më të moshuar. Mordekai Rozenstein, 55 vjeç, thotë se babai i tij kurrë nuk kishte vuajtur nga tensioni i lartë apo nga kolesterina dhe jetoi mbi 80 vjeç.

Ndërsa Mark Ullard thotë se si shumë amerikanë, ai pret të jetojë më gjatë pavarësisht nga përpjekjet e pakta që ai bën. Ai thotë se e njëjta teknologji që krijon lehtësira duke i bërë njerëzit të rrijnë ulur, të lëvizin pak e të plogështohen, me siguri një ditë do t’u vijë në ndihmë njerëzve duke u zgjatur jetën.

Sapunët kundër baktereve

Një komision qeveritar amerikan u mblodh kohet e fundit për të shqyrtuar nëse sapunët kundër bakterial ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut. Shitja e sapuneve të tillë është shtuar shumë vitet e fundit, por administrata amerikane e ushqimeve dhe ilaçeve shqetësohet se sapunët kundër bakterial mund të jenë shkaku i shfaqes së baktereve rezistentë ndaj ilaçeve. Sapunë të tillë që konsiderohen si mjet trajtimi kundër baktereve, mund të shkaktojnë vdekjen, thonë ata. Dy të tretat e sapunëve të lëngshëm e të ngurtë që shiten sot në treg janë kundër bakterial. Por disa shkencëtarë kanë dyshime rreth vlerave të sapunëve të tillë. Doktoresha Allison Aiello pranë universitetit të Çikagos thotë se sapuni kundër bakterial nuk ka ndonjë dallim nga sapunët e zakonshëm përsa i përket pakësimit të sëmundjeve infektive.

Disa përkrahës të kësaj ideje besojnë se sapunët kundër baktereve mund të sjellin më shumë dëme se sa të mira, dhe kjo është arsyeja që agjencia federale e ilaçeve po e shqyrton këtë çështje me shumë kujdes.

Shumë prej solucioneve për larjen apo pastrimin e duarve përmbajnë alkohol ose deterxhent. Këto dy sybstanca nuk përbëjnë ndonjë problem, pasi janë të tretëshme. Por sapunë të tjerë përmbajnë substancë triklosan, e cila nuk shpërbëhet lehtë, prandaj disa shkencëtarë tregohen të shqetësuar. Ata thonë se mikrobet mund të fitojnë imunitet përballë substancave të tilla, dhe bëhen të paefektëshme kur organizmi ka nevojë për to. Doktor Stuart Livai pranë universtitetit Tufts thotë se ajo që i shqetëson shkencëtarët është se këto substanca janë kimikate të cilat kur zenë vend nuk shkëputen lehtë. Firmat e prodhimit të sapunëve thonë se shqetësimi i ngritur është i ekzagjeruar, pasi asnjë studim deri më sot nuk ka vërtetuar se mikrobet fitojnë imunitet për shkak të sapunëve kundër bakterial. Profesor Çarls Gerba, mikrobiologjist, thotë se disa shkencëtarë që mendojnë se sapunët që krijojnë këtë problem, në fakt ata nuk kanë asnjë të dhënë që të mbështesin idetë e tyre.

Megjithatë ka të ngjarë që agjencia federale e ilaçeve të kufizojë përdorimin e sapunëve kundër bakterial në spitale e restorante, vende ku zhdukja e baktereve të mundëshme ka shumë rëndësi për shëndetin publik. Por shumë mjekë thonë se ajo që ka rëndësi është larja e duarve me ujë të rrjedhshëm e të ngrohtë, sepse qëllimi është për të larguar mikrobet nga lëkura dhe jo medoemos për t’i mbytur ato, siç bëhet kur duart lahen me sapun.

XS
SM
MD
LG