Lidhje

Shqipëri: 7 persona arrestohen gjatë një operacioni kundër një organizate kriminale të lidhur me mafien kalabreze

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri 7 persona u arrestuan sot gjatë një operacioni të zhvilluar njëkohësisht dhe në Itali e Gjermani për të goditur një organizatë kriminale të lidhur me mafien kalabreze.

Të arrestuarit akuzohen për trafik armësh, droge, femrash dhe shfrytëzim prostitucioni. Sipas hetimeve të zhvilluara në Itali dhe Shqipëri rezulton se shqiptarët furnizonin me drogë dhe armë mafien kalabreze në këmbim të lejes për të ushtruar shfrytëzimin e prostitucionit në territoret e kontrolluara nga kjo mafie.

Disa qindra vajza nga Shqipëria dhe vende të tjera të Europës lindore të detyruara të ushtronin prostitucionin dhe sasira të konsiderueshme armësh, municionesh dhe droge të trafikuara, kanë qenë prej vitit 1999 aktiviteti i një organizata kriminale italo-shqiptare që u godit sot falë një operacioni të zhvilluar njëkohësisht në Itali, Shqipëri dhe Gjermani, e që ka çuar në arrestimin e 80 personave.

7 prej tyre janë arrestuar në Shqipëri, në Tiranë, Durrës, Kavajë dhe Vlorë nga prokuroria e krimeve të rënda e cila kishte nisur hetimet falë dhe materialeve të bollshme të ofruara nga pala italiane. Shqiptarë të tjerë janë arrestuar në Itali. Operacioni në Shqipëri është ndjekur nga afër edhe nga një prokuror italian. Të arrestuarve u është gjetur një sasi armësh, 5 kallashnikovë dhe një pistoletë dhe sipas prokurorëve shqiptarë hetimet mund të çojnë dhe në arrestime të tjera. Të 7 personat ushtronin aktivitetin kriminal në tre qytete: Durrës, Kavajë dhe Vlorë, ku disa prej tyre kishin edhe veprimtari biznesi privat.

Hetuesit shqiptarë shpjeguan sot se janë vërtetuar të paktën dy raste, në vitin 2002 kur të arrestuarit kanë trafikuar armë, një herë nëpërmjet një motoskafi të nisur nga Vlorë dhe një herë tjetër nëpërmjet portit të Durrësit, ku armët ishin fshehur në një automjet. Por sipas tyre sasitë e armëve të trafikuara janë disa herë më të mëdha. Po ashtu për të arrestuarit është vertetuar dhe akuza e trafikut të drogës, ku bëhet fjële për një sasi prej 3 kilogram heroinë të sekuestruar më parë.

Por sipas zëvendësprokurorit të Krimeve të Rënda “fatkeqësisht nga hetimet kanë rezultuar dhe raste të tjera trafiku droge të cilat nuk ishin kapur”. Sipas asaj që kanë zbuluar hetuesit italianë, shqiptarët ishin lidhur me mafien kalabreze “Ndrangheta” duke i ofruar asaj drogë dhe armë në këmbim të lejes për të ushtruar prostitucionin në territoret e kontrolluara nga kjo mafie.

Madje autoritetet italiane po hetojnë edhe për raste të mbytjes së qëllimshme të klandestinëve në det në mënyrë që trafikantët të humbnin gjurmët e trafikut të armëve dhe drogës.

XS
SM
MD
LG