Lidhje

Presidenti Bush: zgjedhjet për asamblenë e re irakiane - një moment i rëndësishëm në rrugën e vendit drejt demokracisë.


Presidenti Bush thotë se votimet janë një tjetër shenjë që flet për përparimin e Irakut drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe një pjesë jetike e një strategjie më të gjerë amerikane në luftën kundër terrorizmit.

“Ne po jetojmë aktualisht një moment vendimtar në historinë e lirisë. Vëmendja është tani pikërisht tek zgjedhjet e kësaj jave. Irakianët do të shkojnë në votime për të zgjedhur një qeveri në Irak, i cili do të jetë demokracia e vetme kushtetuese në botën arabe.”

Presidenti shpreson të ketë një pjesëmarrje më të madhe të sunive në zgjedhjet e ditës së nesërme, për të cilat ai thotë se do ta bëjnë Irakun një demokraci më gjithëpërfshirëse dhe do t’i veçojë më tej ekstremistët.

Ngaqë një pjesë e e madhe e rezultateve të votimeve nuk priten deri muajin e ardhshëm, zoti Bush thotë se do të ketë edhe ditë me pasiguri ndërsa politikanët irakianë punojnë për krijimin e një qeverie të re. Ai tha se kjo pasiguri do të kërkojë durim nga ana e irakianëve dhe amerikanëve përballë atij që ai e quajti një armik i vendosur.

“Këta armiq nuk do të dorëzohen edhe pas zgjedhjeve të suksesshme. Ata e dinë se ndërsa demokracia ze rrënjë në Irak, ideologjia e tyre e urryer do të pësojë një goditje shkatërrimtare, kështuqë ne presim që dhuna edhe mund të vazhdojë,” tha Presidenti.

Gjatë këtyre muajve të fundit, mbështetja për presidentin Bush ka shënuar nivelet më të ulëta gjatë mandatit të tij, pjesërisht për shkak të dhunës në Irak.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Harry Reid thotë se barra e suksesit në Irak nuk bie vetëm tek votuesit irakianë, por edhe tek Presidenti Bush. Duke folur para fjalimit të sotëm të Presidentit Bush, Senatori Reid tha se zoti Bush ende nuk është përqëndruar tek ato që janë të nevojshme të bëhen dhe se nuk ka patur sukses për t’i dhënë popullit amerikan një ide të qartë për të ardhmen.

“Ai vazhdon të thotë ‘Të qëndrojmë në rrugën që kemi nisur”, ai thotë se ‘ne po fitojmë’. Por duke u bazuar tek tre fjalimet e tij të para, në se ato do të ishin lojëra bejsbolli, Presidenti do të kishte dalë tashmë jashtë lojës. Me qëllim që të mbështesim misionin, populli amerikan duhet të dijë se cilat janë objektivat politike, ekonomike dhe ushtarake, si dhe një afat të arsyeshëm për arritjen e tyre.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan tha se është plotësisht mungesë përgjegjësie nga ana e demokratëve, kur thonë se presidenti nuk ka një strategji për arritjen e suksesit në Irak.

Presidenti është kundër idesë së caktimit të një afati për tërheqjen e trupave amerikane, sepse, thotë ai, kjo do t’i jepte zemër armikut, do të minonte të ardhmen politike të vendit, do të dobësonte forcat amerikane dhe do të tregonte se Amerika është një aleate e dobët dhe pa garanci mbështetjeje.

XS
SM
MD
LG