Lidhje

Shpallen kandidaturat për çmimet Golden Globe


Filmi “Brokeback Mountain” është kandidat për shtatë kategori të çmimeve Golden Globe. Kandidaturat u bënë të njohura dje në mëngjes në Los Angeles. “Brokeback Mountain” është një nga konkurrentët më të fortë, ndërsa Hollivudi fillon sezonin e përvitshëm të çmimeve të mëdha.

“Brokeback Mountain”, tregon historinë e një dashurie të fshehtë mes dy kaubojsave.

“Brokeback Mountain” është kandidat gjithashtu për filmin më të mirë dramatik. I xhiruar në Wyoming dhe Texas, filmi mori kandidatura edhe për regjisorin Ang Lee, aktorin protagonist Heath Ledger dhe aktoren Michelle Williams.

Mes filmave të tjerë dramatikë kandidatë për Golden Globes janë “The Constant Gardener”, “A history of violence dhe “Match point” me regjisor Woody Allen.

Kandidaturë tjetër është edhe filmi “Good night, and good luck”, që tregon historinë e gazetarit Edward R. Murrow dhe të Senatorit Joseph McCarthy që filloi fushatën kundër komunistëve. George Clooney që ka edhe vetë një rol në film u kandidua si regjisor i tij.

Çmimet Golden Globes jepen nga Shoqata e Shtypit të Huaj e Hollivudit dhe nderojnë filmat dramatikë dhe komeditë në kategori të veçanta. “The producers” është gjithashtu një nga konkurrentët kryesore me katër kandidatura, përfshirë atë për komedinë më të mirë.

“Mrs. Henderson Presents” është gjithashtu kandidat për komedinë ose operetën më të mirë, si edhe për aktoren Judi Dench.

Fituesit do të shpallen më 16 janar dhe Hollivudi do t’i ndjekë ato nga afër sepse rezultatet për çmimet Golden Globes disa herë janë tregues për çmimet Oscar.

XS
SM
MD
LG