Lidhje

Ngecin bisedimet e Organizatës Botëtore të Tregëtisë në Hong Kong


Delegatë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shkëmbejnë akuza lidhur me ngecjen në bisedimet e Organizatës Botërore të Tregtisë. Secila palë akuzoi sot tjetrën që nuk pranon të hapë plotësisht tregjet ekonomike, veçanërisht për prodhimet bujqësore.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se kanë ofruar një numër kompromisesh, por nuk kanë parë hapa të ngjashëm nga partnerët e tyre tregtarë. Ata thanë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin ndihmat me para në vend të ndihmave me ushqime për vendet e varfra.

Në përfundim të ditës së dytë të punimeve të konferencës, siç njoftojnë korrespondentët e Zërit të Amerikës, përfaqësuesit ngulmuan e forcë në qëndrimet e tyre që mbeten të papërputhshme. Zyrtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë paralajmëruan se mungesa e përparimit mund të vërë në rrezik arritjen e një plani kompromisi brenda afatit parashikuar në fund të vitit 2006.

Zyrtarët amerikanë kanë filluar ndërkohë përgatitjet për një raund të ri bisedimesh, duke thënë se planifikimi i bisedimeve të reja do të ruajë presionin për përmbushjen e afatit.

Protestuesit, që përpiqen të shkaktojnë ndërprerjen e bisedimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë në Hong Kong u përleshën sot me policinë, megjithatë nuk arritën të kalonin kordonët e sigurisë përreth ndërtesës ku mbahet takimi.

Dhjetra fermerë koreano-jugorë, që kundërshtojnë politikat e Organizatës Botërore të Tregtisë sulmuan policinë në mënyrë të përsëritur, por nuk mundën të kalonin kordonin 500 metra larg Qendrës së Konventave të Hong Kongut, ku po mbahen bisedimet e përfaqësuesve të 149 vendeve të Organizatës Botërore të Tregtisë. Të veshur me jelekë të kuq, protestuesit koreanë vërsuleshin drejt rreshtave të policisë, i vinin ata në lojë e pastaj tërhiqeshin për të pushuar e për t’i rigrupuar, duke filluar nga e para.

Policia përdori shkopinj gome dhe sprucatorë me lëndë paralizuese për të ndalur përparimin e protestusve. Nuk ka pasur njoftime për plagosje serioze.

XS
SM
MD
LG