Lidhje

Organizata e Konferencës Islamike mbështet nismën për të nxitur dialogun kombëtar në Irak


Në një takim këtë muaj në Mekë të Arabisë Saudite përfaqësuesit e Organizatës së Konferencës Islamike, mbështetën një nismë të Lidhjes Arabe, për të nxitur dialogun kombëtar në Irak. Konferenca gjithashtu dënoi dhunën terroriste kundër popullit irakian.

Presidenti Bush thotë se gjithmonë e më shumë shtete arabe po pranojnë se Iraku do të ketë një të ardhme të lirë. “Ata kanë filluar të mbështesin më shumë qeverinë e re irakiane. Kohët e fundit Arabia Saudite, Egjypti dhe Jordania kanë mirëpritur vizitat zyratre të kryeministrit të ri irakian. Këto, tha presidenti Bush, janë hapa të rëndësishëm dhe fqinjët e Irakut duhet të bëjnë më shumë. Udhëheqësit arabë kanë filluar të pranojnë se duhet të zgjedhin midis demokracisë dhe terrorizmit. Një alternativë tjetër nuk ekziston. Suksesi i demokracisë irakiane është edhe interesi i tyre jetik, sepse terroristët do të vënë në shënjestër vendet e tjera arabe nëse ata triumfojnë në Irak.”

Presidenti Bush thotë se mbështetje për demokracinë e re në Irak po japin gjithashtu edhe vendet jashtë rajonit. “Vende të tjera, vazhdoi presidenti Bush, kanë premtuar 13 miliardë dollarë ndihma për Irakun. Banka Botërore miratoi kohët e fundit huanë e parë për Irakun me një afat 30 vjeçar, duke i dhënë qeverisë irakiane një shumë prej 100 milionë dollarësh, për të përmirësuar sistemin shkollor. Me kërkesë të qeverisë irakiane, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi njëzëri një rezolutë për zgjatjen e mandatit të forcave shumëkombëshe në Irak për vitin 2006. Në fillim të vitit, shtoi presidenti Bush, Bashkimi Evropian organizoi një konferencë për më shumë se 80 vende dhe organizata ndërkombëtare, për të shqyrtuar koordinimin më të mirë të përpjekjeve për të ndihmuar irakianët në rindërtimin e vendit.”

Populli irakian, përfundon presidenti Bush, po përparon për të fituar lirinë dhe do t’i arrijë këtij qëllimi.

XS
SM
MD
LG