Lidhje

Del Ponte: Komuniteti ndërkombëtar ka luajtur si “macja me miun” me Karaxhiçin dhe Mlladiçin


Kryeprokurorja e gjykatës së Hagës, Carla del Ponte është shprehur se përpjekjet për të kapur të akuzuarit për krime lufte nuk po funksionojnë. Zonja del Ponte kërkoi që autoritetet serbe dhe boshnjake të mbahen përgjegjëse, për mossjelljen para drejtësisë të të dyshuarve kryesorë.

Prokurorja e gjykatës së krimeve të luftës për ish-Jugosllavinë Carla del Ponte thotë se mosdorëzimi i të dyshuarve kryesorë për krime lufte është një tallje për gjykatën.

Në një raport para Këshillit të Sigurimit, zonja del Ponte përshëndeti rolin e Kroacisë në kapjen e të akuzuarit për krime lufte Ante Gotovina. Ish-gjenerali kroat u arrestua javën e kaluar në ishullin e Tenerifes.

Por ajo tha se të akuzuar të tjerë në arrati, si ish-udhëheqësi i Serbëve të Bosnjës Radovan Karadzic dhe shefi i tij i ushtrisë Ratko Mladic fshihen në vende ku autoritetet janë në gjendje t’i gjejnë në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë. Prokurorja tha se përpjekjet për t’i kapur ata nuk po funksionojnë dhe kërkoi që t’i jepet fund asaj që ajo e quajti një lojë e maces me miun që lejon që persona të paditur për krime lufte të mbeten të lirë.

“Për dhjetë vjet, komuniteti ndërkombëtar ka luajtur si macja me miun me Karadzicin dhe Mladicin. Dhe për pjesën më të madhe të kësaj kohe, macet kanë preferuan t’i mbajnë sytë mbyllur dhe të lejojnë minjtë të shkojnë nga një vrimë në tjetrën. Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar, sidomos në Serbi dhe Mal të Zi dhe në Republikën Serbe të Bosnjës, të ndërmarrë veprime të bashkërenduara që t’i gjejnë këta persona aty ko fshihen, t’i arrestojnë dhe t’ia dorëzojnë Gjykatës. Ka ardhur koha që macet të mos pranojnë më talljen e minjve”.

Prokurorja tha se bashkëpunimi i Serbisë dhe Malit të Zi është keqësuar, megjithëse me fjalë udhëheqësit e saj kanë premtuar se do të ndihmojnë.

“Fatkeqësisht bashkëpunimi i Serbisë dhe Malit të Zi është keqësuar kohët e fundit. Nuk ka një plan serioz dhe të hartuar mirë për të arratisurit. Informacioni që vjen në zyrën time është i mangët dhe jo bindës. Ushtria e Serbisë vazhdon të pengojë, si në mënyrë aktive, ashtu edhe pasive, bashkëpunimin e Serbisë dhe Malit të Zi”.

Ambasadori Serbisë në OKB, Nebojsa Kaludjerovic mohoi që të kishte ndonjë përpjekje për të penguar punën e Gjykatës. Ai tha se vendi i tij ka bërë shumë përpjekje për të plotësuar detyrimet e tij dhe se do t’i realizonte ato.

“Siç e dini, pengesa kryesore është se këta persona nuk fshihen në vende, ku qeveria mund t’i gjejë. Serbia dhe Mali i Zi nuk ka interes të fshehë asgjë nga historia tragjike që shoqëroi shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë dhe luftrat civile që pasuan. Populli ynë ka vuajtur pa masë dhe është në interesin tonë që t’i çojmë para drejtësisë”.

Zonja del Ponte i bëri komentet gjatë raportimit të përvitshëm për punën e gjykatave ndërkombëtare për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën. Mandati Gjykatës së Hagës përfundon në vitin 2008, ndërsa apelete deri në vitin 2010. Por prokurorja del Ponte tha dje se gjykata nuk do të përfundonte punën derisa të gjithë të dyshuarit të çoheshin para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG