Lidhje

Presidenti Bush në mbrojtje të vendimit për përgjimin e personave të dyshuar


Presidenti Bush tha se ai ka autorizuar përgjimin e të dyshuarve brenda Shteteve të Bashkuara edhe pa miratim paraprak nga gjykata. Presidenti Bush tha se përgjimi ka ndihmuar në shpëtimin e jetës së amerikanëve dhe do të vazhdojë.

Pas kundërshtimit të djeshëm për të bërë komente mbi njoftimin e Nju Jork Tajmsit, Presidenti Bush e pranoi sot se ka autorizuar përgjimet e fshehta pas 11 shtatorit të vitit 2001.

Presidenti tha se urdhëri i tij është në përputhje me ligjin amerikan dhe se objekt i tij janë personat që kanë patur lidhje të njohura me Al Kaidën dhe organizatat e tjera terroriste. “Para përgjimit të komunikacionit, qeveria duhet të ketë informacion që vendos një lidhje të qartë të tyre me rrjetet terroriste. Ky është një program tepër sekret që është jetik për sigurinë kombëtare. Qëllimi i tij është të zbulojë dhe parandalojë sulme kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë.”

Në një fjalim në radio me tone të forta, që u transmetua nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Bush tha se njoftimet e shtypit për ekzistencën e programeve të tilla sekrete, u kanë dhënë armiqve të Amerikës informacione që ata nuk duhet t’i kishin. “Dalja e paautorizuar në publik e këtij informacioni dëmton sigurinë kombëtare dhe i vë në rrezik qytetarët tanë. Nxjerja e informacionit sekret është e paligjshme, i vë në gadishmëri armiqtë dhe vë në rrezik vendin tonë.”

Republikanët dhe demokratët në Kongres kanë kërkuar zhvillimin e hetimeve për të parë në se përgjimet e fshehta përbëjnë shkelje të ligjeve të vendit që mbrojtë të drejtat dhe liritë civile. Përkundër këtyre zërave, Presidenti Bush tha se është detyra e tij të marrë masa që përgjimet të vazhdojnë. “Ky program është një mjet jetik në luftën tonë kundër terrorizmit. Është i rëndësishëm për të mbrotjur qytetarët tanë. Populli amerikan pret prej meje të bëjë ç’është e mundur brenda hapësirave ligjore dhe kushtetutës për t’i mbrojtur banorët dhe liritë e tyre civile dhe kjo është pikërisht ajo që po bëj dhe do të vazhdoj të bëj, përsa kohë të jem president.”

Presidenti tha se ai e ka rilëshuar urdhërin për survejime, mbi 30 herë që nga 11 shtatori. Çdo herë që urdhëri rilëshohet, pothuajse çdo 45 ditë, pjesë e vendimarrjes janë Prokurori i Përgjithshëm, këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë, si dhe inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Sigurimit.

Presidenti Bush tha se udhëheqësit e Kongresit janë informuar mbi 10 herë për përgjimet e Agjencisë Kombëtare të Sigurimit dhe se zyrtarët e zbulimit të përfshirë në të kanë përvojën dhe njohuritë e duhura që ta zbatojnë urdhërin e tij me përpikmëri.

Agjencia Kombëtare e Sigurimit, apo siç njihet ajo me inicialet NSA, është agjencia kryesore e zbulimit për përgjimet elektronike dhe përmes satelitëve, me një buxhet më të madh, se sa ai i agjencisë më të njohur të zbulimit, CIA.

Dalja e njoftimit të përgjimeve, bëhet në një kohë kur republikanët në Senat po përpiqeshin të zgjasnin mandatin e paketës ligjore anti-terroriste të njohur si Akti Patriot. Përpjekja dështoi pasi demokratët dhe disa republikanë thanë se paketa ligjore nuk bën sa duhet për të mbrojtur liritë civile.

Presidenti Bush tha se bllokimi i kësaj pakete ligjore ishte thjesht një vendim politik. “Vendimi i tyre ishte i papërgjegjshëm dhe kjo do të verë në rrezik qytetarët tanë. Senatorët që po e bllokojnë atë duhet të heqin dorë nga përpjekja e tyre dhe Senati duhet të miratojë zgjatjen e mandatit të ligjeve. Në luftën kundër terrorit ne nuk mund të mbetemi pa këtë ligj për asnjë moment.”

Kundërshtarët thonë se këto ligje i japin qeverisë shumë pushtet për hetime të fshehta për të mësuar edhe çfarë librash lexon një individ ose si e ka kartelën mjekësore. 16 prej akteve nënligjore të paketës pritet të skadojnë në fund të vitit. Presidenti thotë se ato duhet të zgjaten pasi kërcënimi terrorist ndaj Amerikës nuk do të skadojë pas dy javësh.

XS
SM
MD
LG