Lidhje

"Shqipëria ka nevojë për transparencë më të madhe në financimin e partive politike"


Vëzhgues të jetës politike të Shqipërisë mendojnë se vendi ka nevojë të përmirësojë ligjet që bëjnë të mundur një transparencë më të madhe mbi financimin e partive politike. Drejtoresha e Institutit Kombëtar Demokratik Amerikan (NDI) për Shqipërinë, Xhenifer Butz, thotë se zgjedhjet e fundit ishin më të shtrenjta në historinë e Shqipërisë, ndërkohë që vlerëson si një hap të madh faktin që forcat kryesore politike u këmbyen në pushtet në mënyrë “të qetë”.

Zëri i Amerikës: NDI ka shumë vite veprimtari në Shqipëri. Si e përshkruani punën tuaj këtu, veçanërisht gjatë vitit 2005?

Xhenifer Butz: Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) është në Shqipëri që nga viti 1991, i mbështetur nga fondet e USAID-it, dhe tani së fundi ne po punojmë me një projekt të quajtur “Demokracia dhe qeverisja në Shqipëri”. NDI po punon me “Partnerët për ndryshime demokratike” nga shoqëria civile dhe me IREX nga media. Të gjithë së bashku po përpiqemi të sjellim nje dialog më konstruktiv midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të politikës.

Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit sapo ka kryer një punë fantastike me vëzhgimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe ky ishte një kontribut i madh i shoqërisë civile këtë vit.

Për herë të parë në këto 15 vjet Shqipëria shënoi një kalim të suksesshëm dhe të qetë të pushtetit nga një forcë politike tek tjetra, dhe kjo nuk duhet nënvlerësuar, sepse është një hap i madh përpara.

Zëri i Amerikës: Ju keni mbështetur disa veprimtari kundër korrupsionit dhe për transparencën e fondeve të partive politike gjatë fushatës. Cilat janë raportet midis partive politike dhe parave në Shqipëri?

Xhenifer Butz: Paraja dhe politika shkojnë krahpërkrah dhe mendoj se tani është rast i mirë për Shqipërinë që të ngrejë struktura më të mira për të parë se si shkojnë fondet tek partitë, por edhe vetë partitë se si i realizojnë fondet për të forcuar forumet e tyre, si organizata që përfaqësojnë qytetarët, ose, të paktën, pikëpamjet e anëtarëve të partisë.

Sa për zgjedhjet, ato ishin zgjedhjet më të kushtueshme në historinë e Shqipërisë. Pikëpyetja është se si janë përdorur këto para. NDI po punon edhe për një projekt mbi financimin e partive dhe vitin tjetër në Shqipëri do të vijnë ekspertë për të parë se si mund të përmirësohet situata.

Zëri i Amerikës: Një nga projektet e NDI në Shqipëri ka të bëjë edhe me përgatitjen e politikanëve të rinj. Cili është vlerësimi juaj për politikanët e vjetër në jetën politike të Shqipërisë?

Xhenifer Butz: Mendoj se shumë gabime janë bërë nga drejtuesit e parë të partive politike në pluralizëm. Kjo sepse ata janë individë që u formuan në sistemin e vjetër dhe është shumë e vështirë që të ndryshojnë, të reflektojnë mbi mësimet e mësuara gjatë jetës së tyre. Ata ]do ditë përvetësojnë metoda të reja.

Ja përse mendoj se brezi i ri i politikanëve që po vjen, kanë rrethanat e nevojshme të mësojnë dhe, ç’ka është më e rëndësishmja, të zbatojnë mësimet e hapura dhe transparente mbi demokracinë.

Zëri i Amerikës: Krahas vështirësive që ka vendi, cili është problemi më i madh që hasni ju gjatë punës tuaj në Shqipëri?

Xhenifer Butz: Mundësia për të marrë informacion është ende një sfidë shumë e madhe. Sfidë tjetër e dukshme është zbatimi i ligjeve të miratuara.

Zëri i Amerikës: Cilat janë veprimtaritë që keni përgatitur për të ardhmen e afërt, dhe sa njerëz punojnë për ju?

Xhenifer Butz: Një nga projektet që NDI udhëheq tani “Për demokraci dhe qeverisje” ka afro 50 punonjës me zyra në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Midis tyre jemi vetëm dy të huaj. Pra, në thelb, kjo është një veprimtari e shqiptarëve për shqiptarët.

NDI ka një përvojë shumë të madhe në terren. Forcimi i demokracisë nuk bëhet vetëm në bashkëpunimin me institucionet, por edhe përmes qytetarëve si individë, si fqinjë, si bashkësi, si rajon.

Ndërsa përmes projektit “Buxheti në dritë të diellit” ne po i nxisim zyrtarët vendorë që të kuptojnë se kriteret bazë të punës së tyre janë, para së gjithash, nevojat e qytetarëve. Kur bisedon nga afër me njerëzit e kupton se demokracia nënkupton që që udhëehqësit të punojnë për qytetarët, se demokracia janë të drejtat dhe përgjegjësitë. //az//

XS
SM
MD
LG