Lidhje

SHBA: Feja islame, ndërmjet traditës dhe risive


Ndërkohë që mijëra muslimanë amerikanë përgatiten për haxhillëkun e përvitshëm në qytetin e shenjtë të Mekës muajin e ardhshëm, vazhdon debati nëse feja islame në Shtetet e Bashkuara duhet të jetë më e hapur ndaj intepretimeve liberale.

Të drejtuar nga Meka në Arabinë Saudite, ku burra e gra luten krahpërkrah gjatë muajit të haxhillëkut, shumë myslimanë amerikanë po e vënë në diskutim mënyrën si intepretohet islami.

Sipas një studimi të kohëve të fundit në Detroit të shtetit Miçigan, ku jeton komuniteti më i madh i myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, 38 përqind e tyre preferojnë një trajtim më liberal të islamit. 28 përqind ndjekin rrymën kryesore tradicionale, ndërkohë që 8 përqind janë për rrymën strikte vehibi që praktikohet në Arabinë Saudite.

Shumë ekspertë të islamit, veçanërisht ata që janë për barazinë ndërmjet burrave e grave, theksojnë se interpretimi i fesë islame varet shpesh nga kultura kombëtare e besimtarëve. Ata thonë se disa besimtarë nuk duan ta marrin parasysh faktin që, para 14 shekujsh kur u themelua, feja e tyre u ka siguruar grave të drejta të barabarta.

Shumë myslimanë të brezit të dytë e të tretë në Shtetet e Bashkuara, që duan t’i ringjallin këto praktika liberale, po iu kundërvihen interpretimeve të vjetra të ligjit islamik.

Ihsan Begbi, Professor i Studimeve islamike në Universitetin e Kentakit, thotë se myslimanë amerikanë të brezit të dytë janë më konservatorë se prindërit e tyre përsa i përket veshjes, por më liberalë lidhur me rolin e gruas.

Amina Vedad, Profesore e Studimeve Islamike në Universitetin e Vixhinias, thotë se praktikat si ajo e përjashtimit të grave nga drejtimi i lutjeve dhe e moslejimi i tyre që të luten përkrah burrave nuk bazohen në themelet e fesë, por janë më tepër rezultat i interpretimeve të bazuara në kulturat e kombeve të ndryshme, traditat lokale dhe në ligjin islamik të zhvilluar nga burrat.

Duke mbrojtur idenë se feja e vërtetë islame nuk i përjashton gratë, Amina, për më shumë se një ddekadë ka drejtuar shërbime lutjesh me pjesëmarrjen e burrave e grave në Nju Jork. Edhe pse është kërcënuar disa herë për vdekje dhe kundër saj janë lëshuar urdhëresa fetare, ajo thotë se përfshirja e grave kërkon riintepretimin e ligjit islamik. “Ka aspekte që mund të riinterpretohen për gjetjen e mjeteve më të përshtatshme në mënyrë që mesazhi-bazë i Kur’anit për barazinë të respektohet”.

Por disa analistë thonë se Kur’ani i ka caktuar meshkujt si drejtues të shoqërisë.

Imami i Qendrës Myslimane në Detroit, Abdullah El-Amin, nuk pajtohet me argumentat e disa myslimanëve të moderuar në Shtetet e Bashkuara në favor të lutjeve me pjesëmarrjen krahpërkrah të burrave e grave.

Megjithatë, zoti El-Amin thotë se disa intepretime si mbajtja e gruas brenda mureve të shtëpisë dhe aktet e dhunës apo terrorizmit, që gjoja të sigurojnë parajsën, duhen shqyrtuar. “Disa prej praktikave nga vende të ndryshme do të duhet të zhduken nga praktika fetare, kështu që do të kemi një tip më të moderuar islamizmi, jo vetëm në Amerikë, por në mbarë botën”.

Megjithatë, shumë analistë thonë se islamizmi duhet t’i përshtatet shoqërisë amerikane, ashtu siç ka ndodhur me këtë fe në kultura të tjera, si në Kinë apo Indonezi. Halid Abu El-Fadil, profesor drejtësie në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, thotë se myslimanët amerikanë duan një intepretim të tyrin të ligjit islmaik. “Një numër i madh myslimanësh në Amerikë kërkojnë një ligj islamik në përshtatje me nevojat, kërkesat dhe fizionominë e tyre të veçantë”.

Por Profesor El Fadil porosit që myslimanët në vendet perëndimore kanë nevojë që më parë të informohen mirë lidhur me pesë shkollat e ligjit islamik para se të përpiqen t’i riintepretojnë ato

Megjithatë, Mahir Het-hut, këshilltar i lartë në Këshillin e Marrëdhënive Publike Myslimane, thotë se myslimanët në Shtetet e Bashkuara mund të luajnë rol të rëndësishëm në rigjallërimin e praktikës së islamit. “Amerikanët myslimanë duhet ta shkëpusin islamin nga amullia dhe ngurtësia. Islami është fe dinamike, kështu që nuk mund të lihet brenda një kornize të ngurtë që e pengon t’u përshtatet ndryshimeve”.

Shumë analistë janë të një mendjeje se feja islame në Shtetet e Bashkuara do të zhvillojë patjetër një praktikë të posaçme për shoqërinë amerikane, të pasuruar nga përvoja e afrikanëve, hispanikëve e komuniteteve të tjera që praktikojnë fenë.Dhe, ndërsa myslimanët drejtohen nga Meka gjatë muajit të haxhillëkut, shumë myslimanë amerikanë shpresojnë se idealet e barazisë dhe të hapjes, të praktikuara atje, mund të përfshihen në një intepretim më moderuar të islamizmit në Shtetet e Bashkuara. //az//

XS
SM
MD
LG